POLIP, solli diskutimin për Revolucionin e Grave në Rojava që po sjellë ndryshime

20 Maj, 2018 - 2:30 pm

Alberina Haxhijaj

Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë POLIP, solli të shtunën diskutimin “Ndërtimi i Shoqërisë Radikale Progresive: Një Revolucion i Grave në Rojava”, duke nxitur të pranishmit të mendojnë përtej konceptit të shtetit kombëtar dhe duke sjellë në qendër gratë dhe barazinë, shkruan KultPlus.

“A është e mundur që një shoqëri të jetë demokratike dhe vërtet e barabartë pa çlirimin e grave nga sistemi shtypës i rendit patriarkal?”, ka qenë njëra ndër pyetjet e zhvilluar në debatin që solli Agron Tufa, Ann Cotton, Tinka Kurti, Laura Huerga dhe Elona Pira, moderuar nga Svetlana Rakočević.

Ekziston një eksperiment që po zhvillohet në Lindjen e Mesme, duke i dhënë përgjigje kësaj pyetje dhe të tjera, e që vë barazinë e grave në qendër të këtij procesi. Konfederalizmi Demokratik, ndërtuar në Rojava në Siri veriore, e që propozon një model unik zgjidhjeje për konfliktet themelore të Lindjes së Mesme.

Model i bazuar në pluralizmin etnik dhe kulturor, aktualisht po ndërtohet me rolin udhëheqës të grave. Formuluar nga Abdullah Ocalan, udhëheqësi i burgosur i PKK, kjo është një formë e socializmit libertarian që përqendrohet në drejtësinë sociale dhe mjedisore, me gratë në zemër të luftës kundër të gjitha formave të shfrytëzimit (patriarkatit, kapitalizmit dhe shtetit).

Kështu në këtë diskutim që u mbajt në Qendrën Multimedia u shqyrtuan mundësit se si forcat progresive në Ballkan mund të mësojnë nga eksperimenti radikal Rojava dhe revolucioni i grave që po ndodhin atje.

Tinka Kurti tha se ngjarjet sikur ajo në Rojava provokojnë debat dhe diskutim publik pasi që janë shumë të rëndësishme në disa aspekte duke përfshirë edhe atë feminist, barazinë në mes të burrave dhe grave.

“Siç duket gratë atje e kanë të qartë se çështja e barazisë nuk është një çështje dytësore që mund të pres pasi të zgjidhen çështje të tjera që janë në agjenda. Siç duket atje e kanë të qartë se çështja e barazisë duhet të jetë një çështje e vazhdueshme dhe është mjaftueshme, urgjente edhe në një luftë në si ajo në të cilën ata janë të përfshirë. Mirëpo nuk është vetëm kjo, shtypja për gratë atje është e shumëfishtë. Zakonisht sa më i shtypur që të jesh aq më e vështirë është të rezistosh dhe kjo nuk vjen spontanisht, pa një lloj emancipimi paraprak, një artikulimi politik të cilin e kam vërejtur që atje është”, tha ajo.

Ndërsa theksoi se kërkimi i të drejtave të grave nuk ka ndodhur në luftën e fundit në Kosovë. Sipas saj aktivistet e mëhershme të viteve të 90-ta thonë se ne si gra nuk e kemi kërkuar barazi për gratë pasi që ka qenë diçka më madhore, pra liria e vendit. Ndërsa shtoi se edhe tani pas luftës dominimi është komplet mashkullore dhe gruaja vazhdon të jetë në rolet tradicionale që ka qenë.

Sipas Agron Tufës, ka një lloj konfuzioni në paraqitjen e perspektives nacionaliste të teorive mbi kombet dhe lidhjes pastaj direkt me çështje të feminizmit dhe emancipimit.

“Jam dakord që vetëdija emancipuese e një komuniteti, e një shteti, është esenciale pra vetëdija emancipuese për të vlerësuar rolin e gruas dhe për ti dhënë atë që e meriton dhe që i takon. Mendoj se këto janë probleme që mund të zgjedhën me pasjen e një shteti, një legjislacioni brenda shteti. Të gjitha forcat intelektuale udhëheqin jetën e një kombi kanë mundësi që ta përhapin emancipimin e grave, çlirimin e tyre nga strukturat, nga ndrydhjet e ndryshme qofshin ato kanunore, tradicionale, fetare, apo të tjera”, tha ai.

Mirëpo Svetlana Rakočević tha se nuk është vetëm çështja e legjislacionit pasi që nuk ka asnjë kushtetutë që e lejon diskriminimin e minoriteteve, grave apo grupeve të tjera, mirëpo kjo akoma po ndodh. Sipas saj ne duhet që të kërkojmë për ndryshime pasi që ekzistimi i ligjeve nga zbatimi i tyre në rrugë, ndryshon. Diçka të tillë sipas saj e shohim në Amerikë, si lëvizja “Black Lives Matter” dhe nuk duhet që ta injorojmë këtë fakt.

Sipas Laura Huerga, një shoqëria mund të gjykohet nga vendi që gratë kanë në të ndërsa Elona Pira theksoi se jo gjithçka ka të bëjë vetëm me numrin e përfaqësimit që kanë gratë në shtet mirëpo me mënyrën sesia ato janë të përfshira në çështjet shtetërore dhe në jetën shoqërore, pra mirëqenia e tyre dhe shumë aspektet të tjera. E për Ann Cotton gratë në Rojava janë ndryshim pikërisht për shkak të mënyrës sesi sillen dhe veprojnë sipas saj është sidomos e rëndësishme fakti se ato nuk përdorin retorike urrejtëse.

Edicioni i 8-të i Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë, POLIP, do të vazhdojë edhe sot./ KultPlus.com

Të ngjajshme