Porosia e zarfit të zbrazët

17 Maj, 2022 - 10:00 am

Jusuf Buxhovi: “Lufta e fundit e Bashkim Kosovës” , roman. Botoi “Faik Konica”, Prishtinë, 2011.

Ramadan MUSLIU

Periudha e fundit e zhvillimeve letrare shquhet për prirjet e fuqishme transformuese, me theks të veçantë në zhanrin e romanit. Ky transformim i brendshëm i zhanrit, që  ndodh për shkak të ndryshimeve thelbësore socio- historike dhe socio – kulturore, gjen shfaqjen më të plotë në procesin e konkretizimit të rrëfimit e që, thënë më ndryshe, vjen si pasojë e pranisë së jetës në rrëfim, profilizimit të karaktereve të personazheve dhe përgjithësisht mbizotërimit të empirisë të të gjitha llojeve, duke filluar nga kjo e jetës së përditshme e deri te empiria historike dhe etnopsikologjike të njeriut tonë. Në këtë proces të transformimit shpesh e më shpesh ndodh që autorët t’i kthehen dokumentaritetit, por jo edhe përfoljes së tij, por duke e funksionalizuar atë, duke e shndërruar në një apokrif artistik.

Hapja e rrëfimit në të njëjtën kohë ka mundësuar që të behën përkime përvojash edhe me artet e tjera. Kur është fjala për romanin mund të themi lirisht se hetohet një kthim i dukshëm nga absorbimi i teknikave të filmit, qoftë përmes përdorimit të teknikës së copëzimit të rrëfimit apo edhe të montazhit, ku sprovohet aftësia e shkrimtarit për manipulimin me kohën e rrëfimit dhe hapjen ndaj perspektivave dhe aspekteve narrative.  Kjo ka bërë që amplituda e romanit të sotëm të jetë tejet e gjerë, duke filluar nga kufijtë ekstremë, përpjekja për trivializimin e formave të zhanrit, çfarë do të ishte tipi i romanit – paskuinë, pastaj romanit – pamflet, për të pasur një shtrirje nga hapësirat e reja të prozës romanore , siç ndodh me veprat romanore t ë Ramadan Hazirit, Ardian Haxhajt, Gëzim Aliut, Anton Ndrecajt, Drenushe Zajmit, e sidomos romanit më të ri të Jusuf Buxhovit, “Lufta e fundit e Bashkim Kosovës.

                 Teksti dhe konteksti

Romani i Jusuf  Buxhovit, “Lufta e fundit e Bashkim Kosovës” është një rrëfim që tematizon empirinë e realitetit aktual. Mirëpo nuk është vetëm aktualiteti i temës dhe rrethi i referencialitetit vlera dominante e tij ngase kemi të bëjmë me një rrëfim kompleks, me një roman që dallohet edhe për strukturën e veçantë kompozicionale, me teknikat narrative që ndryshojnë edhe nga proza e tij e përparshme, sikundër edhe nga trendët aktuale në zhanrin e romanit. Pra në spikamë është teknika e rrëfimit, që kur bashkëdyzohet me peshën e temës dhe aktualitetin e referencave e fuqizon këtë vepër brenda zhanrit të vet.

Objekt i tematizimit të romanit është jetëshkrimi i një sportisti, Bashkim Kosovës, një boksier me një karrierë brilante kombëtare dhe ndërkombëtare. Jeta e boksierit, që nga fëmijëria, vrasja e prindërve nga shërbimet sekrete serbe, odieseada e tij që nga jeta në jetimore, kthimi ne vendlindje, formimi prej sportisti dhe ndërtimi i një kariere brilante, pengesave të shumta nga politika serbe, angazhimi i tij në jetën gazetareske e  politike, burgosja dhe në fund, vrasja – përbën boshtin syzheik të romanit. Bashkë me zhvillimin e veprimit autori është përkujdesur në ndërtimin e një konteksti më të gjere politik, social, etik, kulturor e sportiv që e karakterizon një periudhë brenda të cilit vepron kryeprotagonisti.

Nga konteksti politik lexuesit do të kuptojnë se fjala është për një personazh që përfaqëson brezin e tretë të një familjeje të përndjekur nga strukturat e pushtetit serb, siç ka vepruar edhe me të gjitha familjet e mëdha në Kosovë. Duke e kontekstualizuar personazhin brenda një ambienti socio-politik ai jep një tablo të gjerë të zhvillimeve politike sa rrëfimit pothuajse i jepen atributet e romanit politik. Jusuf Buxhovi, për dallim nga shumë autorë të tjerë që merren më këtë tematikë, rindërton vetëm një kontekst politik, duke mos kaluar në rrafshet e alegorizimit apo edhe të ironizimit të njerëzve konkretë nga jeta e përditshme dhe nga empiria e përditshme, duke i dhënë romanin rolin e një instrumenti për qërim të llogarive më një kohë dhe akterët e asaj kohe dhe gjithnjë të vështruar nga një prizm personalizues. Në romanin  “Lufta e fundit e Bashkim Kosovës” kemi vetëm një kontekstualizim të përsonazhit brenda një rrafshi politik aktual, duke e lënë atë të veprojë dhe të zhvillohet sipas ligjësive të rrëfimit romanor dhe të botës së fiksionit, çfarë është e domosdoshme për atë që nuk do ta bëjë veprën e vet artistike pamflet politik.

                      Shenjat e realitetit

Romani “Lufta e fundit e Bashkim Kosovës” përbëhet nga tri pjese dhe “Shtojca”, si pjesë përmbyllëse e rrëfimit. Që të tri pjesët dallohen për formën e diskursit. Pjesa e parë e romanit, që duket si një ekspozicion, është një rrëfim nga perspektiva e narratorit të gjithëdijshëm, ku bëhet “prezantimi” i shenjave të biografisë. Nga kjo pjesë mësojmë jetëshkrimin e kryeprotagonistit Bashkim Kosova, ku ai na del se është trashëgimtar i një familjeje me tradita feudale, e cila është nën një presion të vazhdueshëm nga okupatori serb. Babai i kryeprotagonistit të romanit, Naim Kosova, një përfaqësues i një familjeje me traditë nga Prishtina, si pilot – kapter i armatës jugosllave, vritet nga shërbimet e caktuara sekrete serbe. Po të njëjtën ditë në një aksident trafiku i vritet edhe e ëma, Marija Paleviq, e bija e një avokati kroat me origjine arbëreshe nga Zara dhe motra e gjeneralit Josip Paleviq. Pas vrasjes së prindërve Bashkimi mbetet, së pari nën përkujdesjen e institucioneve shtetërore më nje status special të të birit të ish ushtarakut, që pastaj të mbetet nën përkujdesjen e familiarëve të tij në Prishtinë. Gjatë shkollimit të hershëm ai zbulon talentin e tij për sport dhe duke iu përkushtuar boksit arrin të ndërtojë një karierë të suksesshme prej sportisti me renome botërore. Duke qenë fitues i shumë medaljeve, që nga e arta e lojërave olimpike, të argjendëtes si nënkampion botëror, ai bëhet idhull i rinisë kosovare dhe shenjë e identitetit të një lëvizjeje që shpie nga ideja mbi “bashkimin nacional”, që buron edhe nga emri dhe mbiemri i tij. Si tillë ai behët objekt i persekucionit të pashembulltë të të gjitha strukturave etatiste serbe.

Pjesa e dytë e romanit është kryesisht një tekst i karakterit dokumentar. Në të janë përfshirë pjesë nga “reportazhet”, “fejtonet” dhe “artikujt”, të shpeshtën denigrues nga shtypi serb (gazetat “Politika”, “Veçernje novosi”, “NIN”, “Politika ekspres”,  “Jedinstvo” etj) dhe ato favorizuese të gazetës së përditshme “Rilindja” të Prishtinës. Shkrimet e gazetës “Rilindja” janë dëshmi e zhvillimeve jo vetëm sportive, por edhe kulturore, intelektuale dhe politike në Kosovë gjatë periudhës së viteve të ‘80 – ta, që shpiejne deri në krijimin e një lëvizjeje gjithëpopullore për Kosovën shtet, çfarë ishte ajo e prirë nga LDK në vitin 1989, jashtë koncepteve ideologjike marksiste  – staliniste.

Krahas një përfytyrimi pozitiv që krijohet nga dokumentariteti i “dëshmive” shqip të gazetës “Rilindja”, autori përmes teksteve që janë nga burimësia e medieve beogradase, arrin të plotësojë “dosjen e urrejtjes”, e cila asocion traditën e gjatë të makinerisë propagandistike serbe, e filluar nga mesi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, me “Naçertanien” e Garashaninit, e plotësuar me shumë projekte gjenocidale (V.Gjorgjeviq, Moleviq, Andriq, Çubrilloviq, marreveshja serbo – turke për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi), Memorandumi i ASHA-s, etj. do të shpie deri te gjenocidi i fundiviteve të nëntëdhjeta në Kosovë.    

Autori me shumë sukses pajton dokumentaritetin me fiksionin, duke arritur që më një forcë artistike të krijojë iluzionin e fuqishëm artistik të dokumentit.

Ndërkaq pjesë e tretë e romanit është një rrëfim në vetën e parë, ku kryeprotagonisti “pasqyron” jetëshkrimin e jashtëm dhe të brendshëm të vetin, duke ndriçuar shumë moment intime, elemente që lidhen më botën e tij subjektive, raportet familjare, etj. dhe ku del në pah një proces i tërë i zhvillimeve psiko-sociale, filozofike e që tangjentojnë me proceset e jashtme, si ato sociale, morale, por edhe me zhvillimet politike, ngase vetë Bashkim Kosova është një nga akterët e rëndësishëm të skenës politike kosovare, duke qenë edhe njëri nga themeluesit të LDK-së.

Kjo pjesë është tepër e rëndësishme ngase rrëfimit ia siguron atë bazën subjektive dhe aspektin e brendshëm të karakterit, pa të cilin personazhi do të mbetej në suaza të një deskriptivizmi repertoresk.

Ndërkaq “Shtojca”, përfshin intervistat me hallën e kryeprotagonistit, Shpresa Berisha – Kosova, dajës së tij,  gjeneralit Josip Paleviq, të njohurve të tij, Luan Hoti, Bekim Krasniqi. Kjo pjesë vjen si një epilog i gjithe rrëfimit, sepse krahas përmbylljes së linjës narrative, ajo njëherit ka funksionin e zbërthimit të enigmës përfundimtare, e cila bartet në gjithë rrëfimin: cili është mesazhi i një zarfi që Bashkim Kosova e ka marre nga daja Josip Paleviq.

                      Ideografia e veprës   

Rrëfimi romanor, sikundër mund të shihet, ka tri tipe të tekstit që shkrihen njëra në tjetrën, duke krijuar një mozaik narrativ funksional që për shumëçka i falet teknikave të filmit. Te themi se situata iniciale e rrëfimit është dhënë në Prolog, e fillon rrëfimin me vdekjen e kryeprotagonistit. Kjo situatë fillestare e rrëfimit jepet më një të folur pothuajse repertoresk dhe nga kjo drejpërdrejtshmëri kuptojmë se autori, analogjikisht me romanet e tipit kriminalistik, do të merret me rikonstruktimin jo vetëm të një krimi, por do të bëjë retrospekcion në jetën e Bashkim Kosovës. Pra autori veprimin e vendos në një kohë reale dhe më te gjitha shenjat të identifikueshme të realitetit: “Ditën e 17 shkurtit të vitit 2008, Bashkim Kosova, kampion i gjashtëfishtë i Kosovës në boks,  i kategorisë gjysme të rëndë, kampion i katërfishtë i Jugosllavisë se dikurshme të të njëjtës kategori, kampion i pesëfishtë  i Jugosllavisë me klubin “Prishtina”, pastaj kampion i Ballkanit, kampion europian, fitues i medaljes së artë në Lojërat Olimpike të vitit 1984 në Los Angjelos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe së fundi edhe nënkampion botëror në Kampionatin e Boksit Amator në Toronto, në vitin 1986, do të vdesë nga plagët e marra sa po të arrijë në Qendrën e Emergjencës të Spitalit të Prishtinës.”    

Pse ky krim mu në ditën që duhej të ishte solemniteti i mileniumit? Këtu zë fill rikonstruktimi i historisë së re dhe riinterpretimi i proceseve politike të disa dekadave të fundit. Bashkim Kosova është më shumë se një personazh i zakonshëm i një rrëfimi që merret me tematizimin e aktualitetit, sepse ai është edhe sportist, edhe eksponent i një familjeje feudale shqiptare, e cila ose duhej të zhduket nga okupuesi serb, ose duhej të shpërngulej për në Turqi, si u tjetërsuan edhe shumë familje të tjera kombëtarisht ose duhej të “integrohej” në sistemin institucional serb me një kujtesë të fshirë nacionale. Kjo nuk ndodh me këtë familje për të vetmen arsye se gjeni i fuqishëm etnik del i patjetërsueshëm nëpër shekuj. Autori prej një mjeshtri me pervojë në interpretimin e historisë kalon nga plani individual, mbase edhe duke e margjinalizuar funksionin e personazhit letrar, sepse ai mbetet në nivelin e ilustrimit të një teze historiko-politike, e kalon rrëfimin në planin  familjar e nga plani familjar në atë nacional. Po të njëjtën gjë e bën edhe në planin kohor, duke e kthyer aktualitetin në kahen reverse, për të arritur deri në histori dhe parahistori. Duke i shkrirë këto aspekte dhe duke i vënë në  një plan historik J. Buxhovi bën një retrospekcion historiko – politik të etnosit iliro-dardano-shqiptar në Kosovë. Ai nisët nga dosja personale e krye personazhet, e vë atë në planin familjar dhe nga ai familjar në atë etnik. Edhe më kohën ndodh kështu, sepse aktualiteti, që është pothuajse dominues, edhe për shkak se është rezultante e një zhvillimi historik, shfaq të gjitha përversitetet dhe gjendja mentale që e pasqyron edhe një energji të grumbulluar shekullore, për të mbërri deri te dosja e hapur “Kosova” , që fillon në Dardaninë antike, për të arritur në kohën tonë dhe që ilustrohet qoftë përmes atentatit ndaj simbolit të shtetësisë së Kosovës, qoftë edhe përmes “zarfit të zbrazët”, të cilin gjenerali i KOS-it, Josip Paleviq ia jep Bashkim Kosovës për t’ia dorëzuar njeriut të parë të shtetit të Kosovës. Pikërisht zarfi bosh, që në planin narrativ del si një mjet katalize të ngadalësim-shpejtim të veprimit romanor, është edhe kumulacioni i pritjes së recepientit dhe çelësi për konstatimin e një gjendjeje politike që buron drejtpërdrejtë nga dosja “Kosova”. Sistemi i shenjave të lidhura mes veti krijon ideogramin, domethënë pasqyrën e një gjendjeje në sinkroni dhe diakroni të entiteti nacional në një kohë-hapësirë të caktuar.

                      Perspektivat narrative

 Romani “Lufta e fundit e Bashkim Kosovës”  për trajtën narrative, skeletin kompozicional, mënyrën e ndërtimit të syzheut dhe shumë aspekte të tjera paraqet një vepër që ofron një lëndë të bollshme për diskutim. Romani fillon, siç kemi thënë, me prolog, ku jepet situata iniciale narrativë, për të vazhduar më tri pjesët  romanit, ku se cila ka një qasje ndryshe problemit, ka natyrë tjetër proceduralë, por qe të gjitha shkrihen në një vijë fabulativë. Po kaq edhe “Shtojca”, që është një fragmentim i romanit, që del jashtë konceptimit të zakonshëm të formës së rrëfimit të këtij zhanri, sepse përbëhet nga intervista si zhanër letraro-puliciatik, vetëm sa e plotëson idenë e autorit për një procedim ndryshe dhe për një formë të personalizuar të rrëfimit romanor. Cila është kjo formë, ta quajmë kushtimisht e individualizuar apo edhe e personalizuar e rrëfimit romanor dhe cilat janë efektet artistike?

Autori në stilin e një njohësi jashtëzakonisht të mirë të teknikave të kompozicionit filmik, do të bëjë copëzimin e rrëfimit, ku në të njëjtën kohë do të participojnë perspektivat e ndryshme të narracionit, që nga retrospekcioni, i cili paralajmërohet në “Prolog” e deri te rrëfimi nga pozita e naratorit të gjithëdijshëm të pjesës së parë, rrëfimit të karakterit dokumentar në pjesën e dytë, deri te introspekcioni, në pjesën ë e tretë. Sikundër mund të shihet në roman ka disa tipe tekstesh, perspektivash narrative, pozicionesh të ndryshme të narratorit, sikundër edhe tipe të ndryshme të diskursit narrativ.

Secila nga këto perspektiva të rrëfimit ka edhe funksionin e veta artistik. Pjesa e parë e romanit, ku autori i bën një ekspozicion të gjerë kontekstit brenda të cilit lind, zhvillohet dhe vepron kryepersonazhi Bashkim Kosova, është një vështrim neutral, të folurit përmes faktografisë biografike, ku gërshetohen kohë, përvoja dhe ku jepen indiciet për zhvillimin e mëvonshëm të syzheut, qoftë përmes tekstit kryesor apo atij ekspikativ. Në këtë pjesë dëgjohet zëri i rrëfimtari të gjithëdijshëshëm apo “zotit të rrëfimit”, të cilit i falet e gjithë fabula romanore. Edhe kjo pjesë është mjaft e copëzuar dhe funksioni i fragmentit del më shumë si një paralajmërim i asaj që do të ndodhë në sinkronicitetin rrëfimor.

Pjesa e dytë e romanit është një rrëfim që ndërtohet në vijën dokumentare dhe, siç kemi thënë diku më herët, ka funksion në krijimin e iluzionit artistik të realitetit. Këtu pasqyrohen efektet e apokrifit artistik dhe efekti që del nga letrarizimi i dokumentit. Në këtë pjesë kemi një vështrim nga jashtë edhe të personazhit edhe të problemeve të tjera që shtrohen në rrëfim. Në planin e ideve në këtë segment narrativ kemi krijimin e idesë mbi formimin e “Dosjes së urrejtjes , e cila fillon më kryepersonazhin për t’u shtrirë pastaj në gjithë kolektivitetin dhe për të përfunduar me gjenocidin e pashembullte mbi kolektivitetin të cilit i përket Bashkim Kosova. Në këtë pjesë autori me të madhe mbështetet në empirine reale, në dokumentet konkrete, në fakte dhe të dhëna e që të gjitha këto krijojnë pasqyrën mentale të një kohe në të gjitha planet. Me zhvillimin e rrëfimit del se kjo “Dosje e urrejtjes”  është vetëm një pasqyrim i një momenti historik të një dosjeje që e përcjell popullatën vendore të kësaj pjese të Dardanisë që nga antikiteti, ku shqiptarët të shumtën e herëve janë vetëm një element manipulues në duart e uzurpuesve të këtyre territoreve gjatë historisë.

Pjesa e tretë e romanit është një pasqyrë e të rrëfyerit të autorit, ku jepen nyjat jetësore nga jetëshkrimi i tij, duke prekur situata ekzistenciale, morale, psikologjike po edhe të politikës, sportit dhe të aktiviteteve të tjera të kryeprotagonistit. Në këtë shtegtim introspektiv autori personazhin e vet e vë në sprova të ndryshme, duke përkuar me momentet kyçe të një realiteti konkret. Mbase kjo është pjesa më pikante e (auto)biografisë  së kryeprotagonistit si në planin intim, privat, familjar, social, etj. Këtu kemi një vështrim nga brenda të problemeve që shtrohen dhe këtu është ai diskursi vetëkritik ndaj një realiteti.

Ndërkaq në “Shtojcë” kemi një si prolog, një përmbyllje të rrëfimit ku autori i kthehet prapë formës dokumentare të rrëfimit, sepse intervista dhe zhanri (kuazi)letrar-publicistik është procedimi dominues.

Brenda këtyre tipeve të rrëfimit kemi edhe forma të tjera të diskursit, ku më dominuesi është ai i valorizimit dhe rivlerësimit të historisë, por edhe të aktualitetit. Autori në vend së të përdorë korrektivin imagjinativ, ai me të madhe vë në përdorim  aspektin aksiologjik, që është i domosdoshëm kur është në pyetje tematizimi i empirisë historike, aktualitetit politik dhe përgjithësisht i dukurive dominuese në një shoqëri e që lidhet me perspektivën e saj.

                    Horizonti receptiv

 Gjatë leximit të këtij romanit nuk mund të mos imponohet pyetja: ku është kufiri mes dokumentit dhe tekstit artistik, faktografisë dhe fiksionit? Mirëpo vetë natyra e letërsisë është e tillë se mundëson absorbimin e të gjitha përvojave, madje duke e transformuar çfarëdo qoftë ai dokumentaritet në faktoigrafi të pastër artistike. Romani i takon botës së fiksionit,kurse dokumenti botës së faktografisë historike. Dallimi mes tyre qëndron në faktin se i pari është në dispozicion të përhershëm të lexuesit, kurse i dyti pronë e kohëpaskohshme e specialistëve të caktuar që merren më kohën kur u përket dokumenti.

Romani “Lufta e fundit e Bashkim Kosovës” tematizon një empiri historike që përmbylet me ngjarjet aktuale të periudhës së fundit historike. Bashkë me aspektin fabulativ shkon edhe shtresimi askeptues i tekstit, në të cilin autori merret me rivlerësimin e historisë dhe pasojave në aktualitetin politik. Duke u marrë me këtë aktualitet autori konstaton gjendjet reale: riaktualizimin e “Dosjes Kosova”, referencat që dalin nga “zarfi i zbrazët”, që është një përpjekje për ta vetëdijësuar lexuesin për joperspekvizmin politik, për rigjallërimin e akterëve të “Dosjes Kosova”, për një proces politik që ka derivuar të gjitha këto perversitete që mbyllin çdo perspektivë.

Një rrëfim që bën heqjen e tabuve të çfarëdo natyre qofshin, pos efektit artistik që ka, ai njëherë mundëson edhe një katarsis moral të vetë lexuesit. Por ka pasur dhe do të ketë lexues që do të mund të identifikohen më ngjarje dhe procese, si në kuptimin pozitiv po aq edhe në atë negativ, sa reagimet e tyre do të na kujtojnë se në shoqërinë e sotme është mjaft veprues koncepti dhe praktikat e një lloji të revolucionit kulturor kinez në formën autoktone tonën. Po aq keqinterpretimi i të gjithë atyre që e gjejnë veten në këtë rrëfim na bëjnë më dije se ky roman ka qenë i domosdoshëm të shkruhet, së paku për ta bërë autopsinë e një politike shterpe, ku njeriu ndjehet viktimë e mekanizmave irracionale si në romanet e Kafkës, për dallim se këtu nuk ka shtet e ka viktima.

Në fund te them se letërsia shpesh ka nevojë edhe për vepra që do të mundësojnë një katarsis moral para se atë estetik. Këtë funksion romani  “Lufta e fundit e Bashkim Kosovës”   i Jusuf Buxhovit e kryen më te madhe, duke e renditur autorin tek ai grup i paktë, mbase edhe ineksistent, në kulturën tonë, që bëjnë detabuzimin e politikës dhe shoqërisë dhe që me reagimet e veta intelektuale dhe artistike krijojnë mundësinë të jenë në paqe me ndërgjegjen vet./ KultPlus.com

Të ngjajshme