Portreti i Skënderbeut

1 Tetor, 2019 - 10:30 pm

Ese nga: Qemal Stafa

Çdo epokë historike e trajtueme nga kushtet ekonomike e shoqnore që e kanë parakalue e që jetojnë bashkarisht me te, shkakton lindjen e një vargu të gjatë fenomenesh, të cilat n’anë tjetër ushtrojnë një veprim ngadalësues ose shpejtues mbi zhvillimin historik.

Po t’i marrim njerëzit e mëdhenj, si pjellë e kushtevet shoqnore-ekonomike dhe historike e arsyetimi ma fillestar na jep me e kuptuem – do të shohim se ata janë të lindun në nji rreth të caktuem, kanë pasë nji trajtim, i cili ka lehtësue veprimtarinë e tyne. Ata, njerëzit e mëdhenj të lindun në kushtet historike-shoqnore të dhanuna, kanë qenë shprehja ma mishnuese e aspiratave të rrethit shoqnor në të cilin kanë lindë dhe kanë ushtruem nji forcë mbi zhvillimin e ngjarjeve.

Prandaj, njerëzit e mëdhenj, që në realitet nuk janë aq të mëdhej, duhen studjue si gjithë fenomenet e tjera historike, politike e shoqnore, domethanë shbiruem rrethin ku kanë lindë, atmosferën që ka mbështjellë trajtimin e karakterit të tyne, vendin ku kanë zhvillue të gjithë aktivitetin për të cilin ata cilësohen si të mëdhenj.

I studjuem nën kët prizëm, si na paraqitet Skënderbeu?

Dikush do të mejtojë se fytyra e këtij burri do të pësojë një humbje, pse e ulun në shkallën e njerëzve të zakomhëm.

Kjo nuk asht aspak e arsyeshme.

Randësinë e nji njeriu, vlerën e një vetje historike nuk e përban fakti se ata nuk u ngjajnë njerëzve të tjerë, por pikërisht në këtë qëndron pika e zjarrtë e lartësimit të tyne; ata qenë njerëz që patën gëzime e idhnime, fatkeqësi dhe lumtuni, si të gjithë të vdekshmit.

Përndryshe do të arrijshin një nji divinizëm1) që, në vend që t’u shtonte vleftën, do t’i bante qesharakë si zotat e mitologjisë greke.

Të gjithë jetëshkruesit janë të nji mejtimi mbi cilësinë kryesore të Skënderbeut: ishte nji pris ushtrie i zoti. Legjenda pastaj na e zbukuron edhe ma tepër kur thotë se kishte le me shejë. . . Edukata që mori në oborrin e Sulltanit, luftat e vazhdueshme që bani kundra turqve, na provojnë këtë mejtim. Zotsia strategjike e Skënderbeut përbahej nga tri cilësi kryesore: njohja e thellë e ushtrisë dhe e mje-teve luftarake otomane, njohja e tokës dhe e psikologjisë së luftarit shqiptar, zotësia e organizimit.

Skënderbeu e njihte mirë ushtrinë otomane, pse që në fëmini kishte marrë pjesë në ushtrimet luftarake të ushtarëve, që n’atë kohë i shtijshin tmerrin botës evropiane. Kështu nga një kombinim dialektik që na ve me mejtue, vetë Perandoria e madhe osmane edukon nji princ të madh që dikur do të bahet armë kundër saj. Me shpresë se do të mundte me e shfrytëzuem në dobi të vet, pregatit një vegël kundra vetëvetes…

Prandaj Skënderbeu, tue njohë vlerën e ushtarëve osmanlli, organizimin e kuadrove të ushtrisë perandorake, dhe gjendjen e përpiktë të armatimit të tyne, mujti me i drejtue mësymjet e tij në më-nyrë që mungesën e luftarëve të tij e zëvendësonte me përqëndrimin e fuqisë në drejtim të pikës ma të dobët të armikut, gja që e njihte ma së miri. Skënderbeu ishte nji princ i lindun në malet e Shqipnisë. Kjo s’kishte nji kuptim të zbrazët për të: kjo donte të thotë njohjen e vendit pllambë për pllambë.

E me të vërtetë Skënderbeu, bir i ndershëm i maleve të kësaj Shqipnie të vorfun, e njihte vendin e tij, pse Skënderbeu nuk ishte mbyllë në pallate maharaxhahash, por kishte jetuem. në mes të popullit, në mes të fshatarëve të mirë e punëtor të kësaj Shqipnie tonë të dashun… Kështu, toka shqiptare nuk ishte për të vetëm nji fushë për me zgjanuem pasunitë, por ishte toka ku kishte lindë, ku kishin jetuem dhe ku kishin vdekë të parët e tij.

Edhe e donte kët tokë, e dashunonte me gjithë zemër, me zjarrin dashnues të nji djaloshit tetëmbëdhjetëvjeçar. Para se me durue dhunimin e vorreve të të parëve të vet, para, se me pranue përuljen, ai pranonte me ba fli qetësinë e tij vetjake, atë të popullit të tij.

Mbas nji princit të tillë që ka jetuem dhe ka vuejtë me popullin e vet, kush nuk shkon me vdekë!?

Pse populli, kjo masë e çuditshme. e zonja për mrekullitë dhe ballalleket ma të mëdha, vetëm në një vend asht i pagabueshëm: ai i njeh ata qi e gënjejnë, i gjykon dhe i dënon. Don me gjithë shpirt edhe vdes për ata që punojnë pa dallavere, në të mirën e tij.

Pika e tretë asht zotsia e organizimit. Asht e pamohueshme se potenciali luftarak i nji pakice të organizueme, d.m.th. e inkuadrueme në rregull, e dishiplinueme dhe e bindun, asht shumë ma e naltë se një turmë e madhe dhe e shkatërrueme.

E Skënderbeu e kish kuptue këtë të vërtetë: prandaj ai zgjidhte kuadrot jo tue u nis nga parimi i stërgjyshisë, por tue vërejtë trimninë. ushtrimin dhe zotsinë e drejtimit. Pse Skënderbeu zgjidhte oficerat vetë e pse nuk donte që t’ishin të vlefshëm vetëm për me ba paradë.

Nji anë gjer më sot e pagjurmueme mirë nga jetëshkruesit asht zotsia diplomatike e Skënderbeut. Jemi mësuem me e kufizuem admirimin tonë vetëm tek Skënderbeu luftar, të gjitha cilësitë e tjera kanë qenë të mbizotnueme nga kjo cilësi kryesore.

Por Skënderbeu si diplomat paraqet një interesim shumë të madh. Përveç disa sqarimeve mbi zotsinë e inteligjencën e vet, Skënderbeu na jep holësi të mjafta edhe për kuptimin e pozitës politike të Shqipnisë së asaj kohe.

Kemi pamë anët kryesore të Skënderbeut, të Skënderbeut historik, të kapedanit trim që na pëlqen ta parafytyrojmë me trup të madh, shpatulla katrore e me mjekërr të gjatë.

Por Skënderbeu njeri? Skënderbeu fëmi, djalosh, dashunues, babë fëmijësh.

Këtë e lanë në heshtje jetëshkruesit egoistë të zatetun kryesisht nga dëshira të na paraqesin luftarin. Janë për t’u studjuem çastet e idhnimit, të dëshpërimit, të fatkeqësive.

Një njeri që të gjithë jetën e kalon në luftë të përgjakshme a nuk andrroi ndonjëherë me u gjetë pranë të vetëve e me shijuem në një natë dimni ledhatimet e Gjonit të tij të vogël, ngrohtësinë e vatrës familjare, ngushëllimin e fjalëve të ambla.

A por ky njeri, i reshun ndër lufta, nuk pati ndonjë çast ligështie kur pau bashkëpunuesit ma të mirë që e tradhëtuen, shokët e tij ma trima që ranë në luftë.

Kush i ka studjuem lotët e heshtun që ka derdhun Skënderbeu trim, larg fushës së betejës, kur mejtonte fatkeqësinë e vendit të tij. Pse Skënderbeu mejtonte çdo ditë me zemër, për të ardhmen e vendit të vet.

Po të zbulojshin ndonji epistolat të tijin, do t’ë na vlente për me njohë anën njerëzore të heroit tonë.

E do ta dojshim ma ahumë Skënderbeun, nga zotsitë e tij, nga trimnia e rrallë, nga bujaria e zemrës; nga roli historik që ka -luejtë mbi fatin e Kombit tonë ka mbetë edhe asht një simbol.

Simboli i mundimeve të kom’bit tonë, simbol i aspiratave të nji populli martir që vuejti gjatë shekujsh. /KultPlus.com

Maj 1939

Të ngjajshme