Prej Titos te Toto, e prapë prej fillimit

9 Qershor, 2019 - 9:44 am

(Rreth librit ’25 maji tani është 1 tetori’ nga Bardhi Haliti)

Derisa shfletonim librin “25 maji tani është 1 tetori” dhe këqyrnim fotografitë e gazetave të sportistëve dhe lojtarëve (“trupat që kërcejnë, përplasen, shtyhen, ngrehin njëri tjetrin, tentojnë të fitojnë…”), një ide absurde na shkoi në mend – ngjashmëria mes fjalëve ‘Tito’ dhe ‘Toto’. ‘Tito’ natyrisht i referohet Josip Brozit, partizanit dhe burrështetasit të famshëm, presidentit të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë prej vitit 1953 deri më 1980, dhe si i tillë forca shtytëse (apo së paku inspirimi ideologjik) prapa shtatë sallave identike të sportit që janë temë e librit “25 maji tani është 1 tetori.”

Në anën tjetër, ‘Toto’ mund të jetë një fjalë pak më e panjohur. Është shprehje që përdorët gjithandej në Evropën kontinentale për t’iu referuar një sistemi të basteve lidhur me sportin – një sërë lojërash ku pjesëmarrësit (bixhozçinjtë, në thelb) provojnë të parashikojnë rezultatin e lojërave sportive të ardhshme. Emri ‘Toto’ vjen prej makinave të quajtura ‘Totalizatorë’ – pajisje automatike që përdoren për të kalkuluar (dhe shfaqur) bastet fituese. Fjala ‘Toto’ rrjedhimisht fsheh (brenda dy rrokjeve të saj) një përsëritje të lezetshme, ritmike (‘Total/Total’) – një përsëritje që ka një efekt qetësues totalizues në vetvete.

Shtatë sallat identike të sportit (ashtu sic projektuan mes viteve 1974 dhe 1979, nga arkitekti kosovar Miroslav Čočanović), që së bashku formojnë temën kryesore të librit të Bardhi Halitit, mund të shikohen si një ‘Totalizator’ gjithashtu – një përsëritje motorike e shtatë elementeve identike që ekzistojnë si infrastukturë topologjike, e që në mënyrë ritmike i lidhin me njëra tjetrën shtatë qytetet kryesore të Kosovës (Prishtinën, Prizrenin, Gjakovën, Mitrovicën, Pejën, Ferizajn dhe Gjilanin).

Natyrisht, edhe fjala ‘Total’ gjithashtu e luan një rol të rëndësishëm në botën e sportit. Në kohën kur u konceptuan sallat kosovare të sportit, ekipi i futbollit nga Amsterdami, Ajax-i, luante suksesshëm duke përdorur një model të quajtur ‘Total Football’ (Futbolli Total) – një sistem fluid në të cilin asnjë lojtar nuk është i fiksuar në një rol të përcaktuar dhe në të cilin secili mund të luajë në mënyrë të njëpasnjëshme si sulmues, mesfushor dhe mbrojtës. Në këtë aspekt, Futbolli Total është një metodë tërësisht jo-hierarkike e egalitare – modulare, strukturaliste, përherë në rrotullim. Në fakt, si taktikë, është mjaft e përafërt me modelet e socializmit dhe modernizmit.

Dhe me të vërtetë, në shikim të parë, fjala ‘Totalizator’ duket se ndërlidhet edhe me socializmin edhe me modernizmin – si zakonisht,shumë njerëz do të nxitojnë që ta shpërfillin cilëndo ideologji ambicioze sistematike si ‘totalitare’, ‘totalizuese’, apo thjesht ‘totale’ në përgjithësi. Është një ide tërheqëse – socializmi modernist (ose modernizmi socialist) si ‘Totalizatori’ final, barazuesi i madh, shkatërruesi i botëve.

Por natyrisht, kjo është vetëm njëra anë e tregimit. Njëjtë si ‘Totalizatori’ origjinal që në thelb është një makinë që jeton nga rastësia e lojtarëv të bixhozit, çdo ideologji sistematike gjithmonë do të përmbajë një dimension anti-sistematik. Standardet krijohen përmes variacioneve të tyre, rregullat theksohen përmes përjashtimeve të tyre, dhe gjuhët universale gjithmonë vijnë me dialektet dhe thekset e veta. Secili sistem e prodhon subversionin e vet, njashtu si çdo subversion që e prodhon sistemin e vet.

Dhe kjo është ndjenja jonë kryesore derisa shfletojmë “25 maji tani është 1 tetori”. Përkundër sallave sportive të standardizuara, përkundër uniformave të numëruara, përkundër rregullave të lojës (ose, siç ne do të argumentonim – për shkak të sallave sportive të standardizuara, për shkak të uniformave të numëruara, dhe për shkak të rregullave të lojës) këto fotografi janë plot me emocione njerëzore, shprehje dramatike, lëvizje dinamike, gjeste teatrale. Standardi nuk është asgjë pos një platformë për variacionin e vet, dhe vetëm në përsëritje mund ta gjejmë lëvizjen e vërtete unike. Kështu që po – neve na pëlqen përsëritja, dhe na pëlqen libri i Bardhi Halitit.

Experimental Jetset
15 maj, 2019 – Amsterdam

Të ngjajshme