Presidenca nuk flet për borxhin gjysmë milionësh për librin autobiografik të Thaçit

18 Prill, 2018 - 8:36 pm

Presidenca e Kosovës vazhdon të heshtë rreth deklarimeve të ish-prokurorit të Hagës, Geoffrey Nice, se Hashim Thaçi nuk ia pagoi atij borxhin gjysmë milioni euro për ndihmë rreth librit biografik.

KTV-ja i ka dërguar pyetje Presidencës për të gjitha këto pretendime të ish -prokurorit të Hagës, dhe nëse do paguhet ky borxh që pretendon Nice, por Presidenca nuk ka kthyer përgjigje, raporton KTV.

Por, njëjtë nuk mund të veprojnë edhe me deputetët e Kuvendit, kur do të jenë anëtarë të Komisionit hetimor për këtë çështje.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, thotë se Komisioni do të zbardhë gjithçka dhe askush nuk mund të mbrojë individët që punojnë në dëm të shtetit.

Ndërsa, shefi i deputetëve të VV-së, Glauk Konjufca, ka thënë se edhe nëse deputetët e partive në pushtet do ta bojkotonin këtë Komision, punën mund ta kryejnë edhe deputetët e opozitës.

Ai thotë se presidenti duhet ta kuptojë që Presidenca nuk është institucion personal për promovimin e figurës personale. Në muajin mars, presidenti Hashim Thaçi, promovoi librin e tij biografik që flet për të kaluarën e tij para, gjatë dhe pas luftës.

Të ngjajshme