Primo Shllaku: Përkthyesit ecin në të njëjtën rrugë me gozhda që ka ecur shkrimtari

23 Mars, 2021 - 3:06 pm

Në radhët e aktiviteteve që po mbahen në kuadër të edicionit të 21-të të Javës së Frankofonisë në Kosovë, shkrimtari dhe poeti Primo Shllaku kishte sesionin e nënshkrimit të përkthimit të librit ‘’Katedralja Shën Mëria e Parisit” nga Viktor Hygo e të cilin në muajin shkurt pati promovimin e tij në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Sesioni i këtij nënshkrimi vjen edhe pas vlerësimit që mori nga Ambasada Franceze në Tiranë si përkthimi më i mirë nga gjuha frënge. 

Vepra “Katedralja Shën Mëria e Parisit” është njëra nga veprat më të njohura nga Hygo, e një rëndësie shumë të madhe për dashamirët e letërsisë franceze të shekullit XX, të cilën për lexuesin shqiptar e sjellë të përkthyer mjeshtërisht shkrimtari nga Shqipëria, Primo Shllaku.

Pas nënshkrimit të librit për të pranishmit, Shllaku ndau për KultPlus përvojën e tij gjatë përkthimit të këtij libri.

Për përkthimin e kësaj vepre, Primo tregoi se ka shpenzuar 160 ditë diell dhe kënaqësi për ta përkthyer.

Ndërsa sa i përket vështirësive në përkthim, autori pohoi se “ka qenë një libër shumë i vështirë edhe për Hygoin për ta shkruar, sepse ai e ka studiuar me themel jetën parisiane të shekullit XV dhe na e ka ofruar të detajuar, kështu që natyrisht se ka vështirësi edhe në përkthim”, tha Shllaku duke potencuar se përkthyesit ecin në të njëjtën rrugë me gozhda që ka ecur shkrimtari.

Kujtojmë se Hygo në këtë vepër e ka ndjekur traditën e enciklopedisë dhe mesazhet e kësaj vepre vlerësohen kryesisht për horizontet e mëdha që u krijojnë lexuesve. / KultPlus.com

Të ngjajshme