“Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”, 10 familje me rreth 33 anëtarë të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë

26 Gusht, 2019 - 12:00 pm

Në Kosovë, me përfundimin e luftës së armatosur, 6,063 persona janë raportuar të zhdukur, ndërsa aktualisht numri i të pagjeturve është 1653. Në mungesë të gatishmërisë së mjaftueshme për bashkëpunim në mes qeverive në Prishtinë e Beograd, dhe me një dialog të brishtë për normalizim të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur kanë ngecur dukshëm.

Përkundër faktit se çështja e personave të pagjetur përfshin palë të ndryshme të interesit, fatkeqësisht dihet relativisht pak për të pagjeturit, çfarë ka ndodhur me ta dhe çfarë mund të bëhet më shumë për gjetjen e tyre, dhe zbulimin e krimeve të lidhura me këto raste.

Të shtyrë nga kjo gjendje momentale, dhe nga rëndësia e padiskutueshme që çështja e personave të pagjetur ka në proceset e Ballafaqimit me të Kaluarën dhe të Drejtësisë Tranzicionale, në fillim të vitit 2018, Integra dhe forumZFD programi në Kosovë kanë nisur me grumbullimin e rrëfimeve dhe kujtimeve personale të familjarëve të të pagjeturve, me qëlllimin parësor që t’u jepet zë familjarëve, pastaj të shtohet presioni mbi institucionet përgjegjëse për zbardhjen e krimeve të luftës dhe fatit të të pagjeturve, dhe të diversifikohet narrativa për të pagjeturit.

Libri “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”, shpalosë rrëfimet e 10 familjeve me rreth 33 anëtarë të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë. Nga familjet e intervistuara për këtë libër, 7 janë shqiptare dhe 3 serbe.

Promovimi i Librit të Kujtimit “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve” me rrëfime të familjarëve të personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë, do të mbahet më 30 gusht 2019, nga ora 10:00 në Hotel Sirius – salla Andromeda, në Prishtinë. Ky publikim fuqizohet nga forumZFD, Integra, Qendra Burimore për Persona të Zhdukur, BMZ, RBF dhe Ambasada Zvicerane. Kjo ngjarje organizohet edhe për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, 30 gushtin. 

Në këtë ngjarje do të flasin: Nora Ahmetaj – Eksperte për Drejtësinë Tranzicionale, Jelena Krstić – Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut Serbi, Nita Luci – Antropologe dhe ligjëruese në Universitetin e Prishtinës, Fabien Bourdier – Drejtor Rajonal i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Dragana Varagic – Aktore, Kaltrinë Zeneli – Aktore. Ky promovim do të moderohet nga Korab Krasniqi.

Kopjet e librit në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze do të shpërndahen për pjesëmarrësit në promovim.

Gjeni të bashkangjitur dizajnin e librit.

Kjo ngjarje organizohet në kuadër të Festivalit “Mirëdita, dobar dan!” në Kosovë. Festivali “Mirëdita, dobar dan!” fuqizohet nga Integra (Kosovë) në partneritet me Fondacionin Kosovar për Shoqëri të Hapur (Kosovë), Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi), Iniciativat Qytetare (Serbi), Fondacioni për Shoqëri të Hapur (Serbi), Rockefeller Brothers Fund, dhe Ministria e Kulturës në Kosovë. /KultPlus.com

Të ngjajshme