Promovohet libri i dramave shqipe të përkthyera në Turqi, theksohet interesimi i lexuesve atje (FOTO)

11 Qershor, 2018 - 2:30 pm

Gili Hoxhaj

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës, Qendra Multimedia nga Prishtina, në bashkëpunim me shtëpinë botuese nga Turqia Mitos Boyut, organizuan promovimin e librit “Antologji e dramës bashkëkohore nga Kosova” [Çagdas Kosova Oyunlari Seçkisi], i botuar sivjet në Turqi, shkruan KultPlus.

Në përmbledhjen “Antologji e dramës bashkëkohore nga Kosova” [Çagdas Kosova Oyunlari Seçkisi] janë përfshi dramat e autorëve: Xhevdet Bajraj, Ilir Gjocaj, Visar Krusha dhe Jeton Neziraj.

Dramaturgu dhe udhëheqësi i Qendrës “Multimedia”, Jeton Neziraj u shpreh se ky promovim aksidentalisht ka qëlluar në dhjetëvjetorin e Himnit të Kosovës ndërsa tha se aksidentalisht mund ta quaj edhe faktin që ky libër botohet me mbështetje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, pasi që ky është botimi i parë jashtë Kosovës që financohet nga MKRS.

“Nëse nuk gaboj është hera e parë që Ministria e Kulturës ka financuar një botim jashtë Kosovës dhe e cilësoj si një hap shumë të mirë dhe shpresoj që do të vazhdoj edhe me botime të tjera të kësaj natyre”, theksoi Neziraj.

Sot para publikut në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës, erdhi Drejtori i shtëpisë botuese Mitos Boyut, Turhan Yılmaz Öğüt. Mitos Boyut është shtëpia botuese më e madhe në Turqi e cila veprimtarinë e saj kryesore e ka botimin e dramave dhe librave të fushës së Teatrit.

Neziraj e cilësoi botuesin Turhan Yılmaz Öğüt, si një botues legjendar.

“Turhan Yılmaz Öğüt është botues legjendar dhe botuesi më i madhi dramave në Evropë pasi që boton një numër të madh të dramave të autorëve turq dhe jo turqtha ai.

Më herët kjo shtëpi botuese ka botuar edhe librat e Stefan Çapalikut, Doruntina Bashës e Jeton Nezirajt. Botuesi i njohur turk, Turhan Yılmaz Öğüt tregoi se për 25 vite shtëpia e tij botuese ka botuar ekskluzivisht vetëm drama, duke nxjerrë kështu rreth 800 botime, prej tyre 600 janë libra të dramave kurse pjesa tjetër përben tekste teorike që kanë të bëjnë me dramaturgjinë.

“Shtëpitë botuese në Turqi zakonisht hezitojnë që të botojnë vepra të dramës pasi numri i tirazhit është i ulët. Ne në botimet tona bëjnë përpjekje që ta mbajmë gjallë traditën e dramaturgjisë në Turqi. Edhe pse vëllimi i punës tonë duket të jetë i lartë me 800 botime, numri i stafit tonë është i ulët pasi që jemi vetëm tre veta dhe me këtë staf e kemi bërë gjithë këtë punë”, u shpreh botuesi Öğüt.

Botuesi Öğüt theksoi se përpiqen që në shtëpinë e tyre botuese të përfshijnë edhe teatrot e letërsive që nuk i përkasin letërsisë perëndimore por që janë pjesë e letërsisë botërore.

“Për 20 vite me radhë kemi kontribuar që të krijojmë teatro që prodhojnë vepra teatrale. Mund të them se krijuesit modern të kohëve të fundit janë të gjithë ata që ne kohëve të fundit u kemi kontribuar atyre”, tha tutje Öğüt.

Ai tutje u shpreh se një rëndësi të jashtëzakonshme në botimet e tyre kanë autorët e Ballkanit pasi që stili i jetës së tyre është shumë i afërt me stilin e jetës së turqve. Tutje ai theksoi se kjo ndodhë edhe për faktin se ai vet dhe përkthyesja janë me prejardhje nga Ballkanit. Lidhur me interesimin për veprat e autorëve shqiptar, tashmë të përkthyera, botuesi Öğüt u shpreh se interesimi është relativisht i mirë pasi që kanë kapur lexues të rinj që duan ta njohin Ballkanin.

“Krijuesit nga Ballkani pasi që i përkasin stilit të jetës që është e afërt me neve, janë shumë simpatik edhe për neve edhe për lexuesit tanë. Po ashtu kemi përkthyer edhe autorë nga Irani, Japonia, Kina, por numri i përkthimeve nga këto vende është më i ulët. Në të ardhmen do të vazhdojmë të përkthejmë krijuesit nga Ballkanit pasi që unë dhe përkthyesja jemi me prejardhje nga Ballkani dhe ne do të vazhdojmë edhe më tutje me këtë interesim”, tha botuesi Öğüt.

Përkthyesja e librit, Senem Cevher thotë se ka punuar një kohë të gjatë mbi veprat e Jeton Neziraj, ndërsa shpreson se edhe tre autorë të rinj të cilët i ka njohur përmes tij, të gëzojnë famën që ka Neziraj në Turqi.

“Jetoni është një autor mbi të cilin punoj një kohë të gjatë. Për herë të parë e kam përkthyer veprën “Urat” kurse me përkrahjen e tij tani jam njoftuar edhe me tre autorë të rinj, me Xhevdet Bajraj, Visar Krusha dhe Ilir Gjocajn. Unë shpresoj që edhe këta tre autorë do të fitojnë një famë të njëjtë në Turqi. Do të dëshiroja që të dija gjuhën shqipe në mënyrë që të përktheja në gjuhën origjinale”, u shpreh përkthyesja Cevher.

Po ashtu në këtë promovim është folur edhe për interesimin e teatrove turke për inskenimin e dramave shqipe atje.

““Pallati i ëndrrave” nuk do të inskenohet në teatrin shtetëror, pas dy javësh kemi zgjedhje në Turqi dhe nwse diçka do të ndryshoj, ajo mund të inskenohet. Por ajo po ashtu wshtw vwnw nw skenw dy herw nw teatro tw tjera nw Turqi. “Liza fle” është shfaqur po ashtu. Visar Krusha kemi bindjen se brenda dy tri vitesh do të shfaqet në teatrot shtetërore pasi që në Turqi kohëve të fundit kërkohet më shumë komedia. Për dramën e Xhevdetit do të kenë interesim teatrot private pasi që është një monodramë”, u shpreh përkthyesja Cevher.

Ajo tutje tregoi se përkthimin e këtyre veprave shqipe i ka përkthyer në vende të ndryshme të botës. Ajo tutje tregoi se përkthimi i librit të Visa Krushes i zgjatur gjashtë muaj dhe e ka përkthyer në Amerikën Jugore. Veprën e Jeton Neziraj e kam përkthyer në Argjentinë kurs veprën e Ilir Gjocajt e kam përfunduar në Buenos Aires dhe veprën e Xhevdet Bajres në Ugait.

Puna e përkthyeses Senem Cevher është ngushtë e lidhur me teatrin, ku ajo punon si aktore e regjisore dhe fakti që përkthimi nuk është punë primare , ajo u shpreh se përkthen vetëm ato vepra të cilat e entuziazmojnë.

“Profesioni im primar nuk është përkthimi, unë nuk jam arsimuar për këtë. Unë mendoj qe e zotëroj një fluiditet gjuhësor pasi që vij nga teatri pasi qe këtë e vërej në vlerësimet që u bëhet veprave të mija ku gjithkush thotë se përkthimi rrjedh si ujë dhe shumëkush thotë se kjo vjen nga fakti se unë vij nga teatri. Unë pasi ta përfundoj përkthimin, distancohem nga vepra dhe pastaj e lexoj me zë të lart pasi qe edhe dëgjuesi mund ta dëgjoj më mirë. Unë i përkthej vetëm autorët që me entuziazmojnë, unë nuk bëj përkthim me porosi, këtë lë ta bëjnë atë që e kanë punë të parë”, përfundoi Cevher.

Po ashtu kjo vepër do të promovohet edhe në qytetin e Prizrenit. / KultPlus.com

Të ngjajshme