22 Maj, 2025 - 10:07 am
Shoqata e ish të Burgosurve Politikë, në bashkëpunim me Shoqërinë “Lëvizja”, organizoi “Orë Përkujtimore”, me rastin e njëvjetorit të ndarjes nga jeta të ish të burgosurit politik dhe ish veprimtarit të çështjes sonë, Ramadan Bunjaku- Dani, ku me ç`rast u promovua edhe libri i tij autobiografik “Ecje mbi plojë”.
“Atdheu nuk është pasion për ta udhëhequr! Atdheu është dashuri!”
Këto janë ndër vargjet në librin autobiografik të veprimtarit të çështjes kombëtare Ramadan Bunjaku- Dani, i cili u promovua me rastin e njëvjetorit të ndarjes nga jeta.
“Një vit më parë ndërroi jetë një nga të dënuarit politikë që la boshllëk në familjen dhe shoqërinë tonë”, tha Shefik Sadiku, kryetar i Shoqatës së Burgosurve Politikë të Kosovës.
“Historia e përshkruar në libër nuk është tregim personal, por pasqyrim i vështirësive dhe padrejtësive që u bënë ndër shekuj popullit shqiptar. Ai nuk u përkul kurrë dhe nuk reshti së punuari për një Kosovë-Shqipëri. Në qelinë e burgut ai asnjëherë nuk u ndal në kauzën kombëtare”, tha Ismet Hajrullahu, veprimtar.
“Ky libër është dëshmi kohore që arriti ta shkruante para se të vdiste, duke lënë një dëshmi të dorës për atë çfarë ka ndodhur. Në çdo faqe të librit gjeni shpirtin e pathyeshëm të tij dhe kjo vepër meriton të lexohet”, tha Hysen Berisha, recensues.
Edhe familjarët u shprehën krenarë për kontributin e tij për atdheun.
“E kisha pas vëllain si shkëmb dhe gjithmonë ka qenë i nderuar. Jemi krenarë me të”, tha Zeq Bunjaku, vëllai i Ramadanit.
“Kujtojmë jetën dhe veprën e tij si simbol i qëndresës dhe guximit. Simbol i punës së palodhshme. Gjatë jetës së tij ai shërbeu me dinjitet”, tha Artan Bunjaku, biri i Ramadan Bunjakut.
Ndërsa bashkëshortja e Danit, Drita Bunjaku, falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në promovimin e librit.