Promovohet libri ‘Kosova 1990-92’, pasqyron fatin shqiptar nën presionin serb

23 Qershor, 2023 - 9:10 pm

Sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, u promovua libri ‘Kosova 1990-92’ i autorit të ndjerë, Llukman Halilit, shkruan KultPlus. Edhe pse ky libër nuk pati rastin të botohej nga vetë autori në kohën kur ai ishte gjallë, sot familja e tij nuk ia lanë mundin në harresë. Me inciativën e gruas dhe tre fëmijëve të tij, ky libër u shpërnda sot në duart e shumë njerëzve, për të mbetur si dëshmi e gjallë dhe faktuese e realitetit të asaj periudhe.

Ky libër përshkruan më së miri ngjarjet e ndodhura në vendin tonë që nga gushti i vitit 1990 e deri në fund të vitit 1992. Rreth 30 vite më parë, në kohën kur këto shkrime janë përmbledhur, ato nuk janë lënë në harresë , por janë transmetuar përmes ‘HINA-s’, Agjencisë Nacionale Kroate të Lajmeve.

Dhuna, tmerri, situatat, krizat e përjetuara në Kosovë, janë në qendër të fokusit të këtij libri. Shumë fytyra të njohura televizive, miq, kolegë dhe artdashës e çmues së veprimtarisë së Halilit, zunë vend nëpër ulëset e kësaj biblioteke, gjatë promovimit të këtij libri.

Në fillim të promovimit të librit ‘Kosova 1990-92’, fjalën e mori Avni Spahiu, ambasador, diplomat karriere dhe njëkohësisht koleg i Llukman Halilit, duke e çmuar lart veprimtarinë e tij.

“Çdo shfletim i faqeve të këtij libri është si një etje në kujtesën e kohës. Janë ngjarje të renditura në mënyrë kronologjike që në tërësi paraqesin dëshmi autentike, të lëna nga një autor që bëri punën e tij pa ndaluar, prej një gazetari profesionist”,theksoi Spahiu.

Spahiu vlerësoi maksimalisht kontributin e autorit dhe gazetarit Llukman Halili duke e konsideruar atë si një ndër gazetarët e parë që raportoi guximshëm për ndryshime demokratike në Shqipëri dhe duke sjellë tek lexuesit ngjarje të mëdha historike.

Për Spahiun, Llukman Halili do të mbetet përherë një njeri me vlera të larta njerëzore, mundi i së cilit nuk paguhet dot.

Ndërkaq, Melazim Koci, shok i studimeve i Llukman Halilit dhe njëkohësisht përkthyesi i librit “Kosova 1990-92”, vlerësoi pozitivisht veprën e Halilit duke konsideruar se shkrimi i këtij libri është i paraqitur në formën më të mirë të mundshme dhe se ky libër është pasqyruesi më i mirë i realitetit me anë të vetëm një gjëje ‘fakteve’.

“Beteja e shqiptarëve të Kosovës është pasqyruar në formën më besnike në këtë liber dhe se libri me saktësi fakton dhunën, represionin, vrasjet e regjimit serb të asaj kohe. Por, njëkohësisht pasqyron edhe rezistencën dhe sakrificën e madhe të shqiptarëve në luftën për liri e demokraci”, theksoi Koci.

Përpos vlerësimit pozitiv që Koci pati për veprën e Halilit, ai nuk la pa shkëputur ca pjesë të kujtimeve nga e kaluara, duke kujtuar ngjarje qysh nga fillimi i njohjes me Halilin e gjer në vitin e fundit të vdekjes së tij.

Fjalë rasti pati edhe deputetja në parlamentin kroat, Ermina Lekaj-Prlijaskaj, kontributi i së cilës është i pashmangshëm në botimin e këtij libri në gjuhën kroate dhe promovimin e tij në Zagreb.

Deputetja, Lekaj-Prlijaskaj, për autorin dhe gazetarin tashmë të ndjerë tha se ai me anë të shkrimeve që bënte u paraprinte proceseve të ndryshme duke u dhënë atyre drejtime të caktuara. Ajo theksoi më tutje se krahas kësaj, Halili kishte një qëndrueshmëri aq të fortë sa që nuk lejonte t’i nënshtrohej askujt.

“Llukman Halili nuk prodhonte lajme për të dëmtuar substancën kombëtare veç sa për t’iu nënshtruar diktaturës së Millosheviqit, pra, ai guximshëm e refuzonte atë politikë, dhe se, si dëshmi të tërë kësaj e kemi sot këtë libër”, përfundoi Prlijaskaj.

Për fund, Daors Halili, djali i autorit të ndjerë, dha një biografi të shkurtër të babait të tij, duke kujtuar shkollimin, punën, e jetën e tij dhe njëkohësisht falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë promovim.

“Shpresojmë qe ky libër të shërbejë si frymëzim i fjalës dhe mendimit të lirë për brezat e rinj”, ishin fjalët përmbyllëse të Daors Halilit.

Kujtojmë që libri “Kosova 1990-92” me autor Llukman Halili u botua nga Bashkesia Shqiptare e Zagrebit./KultPlus.com

Të ngjajshme