Këtë të diel promovohet “50 TË DIELAT E PRISHTINËS”

14 Dhjetor, 2023 - 11:59 am

Së shpejti do të promovohet libri me poezi  i autorit Bajram Lani, me titull “50 TË DIELAT E PRISHTINËS”, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.

Copëzat e Prishtinës të mbledhura si një mozaik, vijnë në një përmbledhje me poezi nën titullin “50 të dielat e Prishtinës”.

Autori Bajram Lani, gazetar dhe redaktor në RTK-Radio Kosova, ka zgjedhur që të dielën e 51-të ta bëjë promovimin e librit me 50 të dielat e tij, që janë të diela dhe përditshmëri e secilit që jeton dhe punon në kryeqytet.

Pesëdhjetë poezitë me titull të njëjtë, janë shkruar të dielave në mëngjes, në kohën kur secili teksa pi kafe për t’u kthjellur nga gjumi, e kthjell edhe mendjen dhe më lehtësisht i sheh të metat dhe përparësitë, shprehitë dhe dukuritë, të bukurën dhe të shëmtuarën që e karakterizon kryeqendrën e Kosovës.

Andaj edhe libri “50 të dielat e Prishtinës”, promovohet të dielën, më 17 dhjetor 2023, në orën 12:00 në KultPlus Caffe Gallery, në vendin që i jep zë artit të shkruar dhe fytyrë artit pamor. Në vendin, i cili ju fton që ta ndani një pjesë nga e diela juaj për t’ia kushtuar “50 të dielave të Prishtinës”. Mirë se vini!/KultPlus.com

Të ngjajshme