Promovohet libri monografik për Nexhmije Pagarushën

21 Shtator, 2019 - 9:42 pm

Është promovuar sot libri monografik për këngëtaren e famshme Nexhmije Pagarusha. Libri është një rrëfim origjinal dhe personal i një udhëtimi të mrekullueshëm nëpër jetën dhe krijimtarinë e këngëtares tonë të famshme, bilbilit të këngës shqipe në Kosovë, Nexhmije Pagarusha.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, gjatë kësaj ceremonie solemne tha se Pagarusha në kohën kur Kosova nuk njihej shumë sa i përket kulturës, me zërin e saj u bë shkas që një vend i vogël i Ballkanit të prezantohej ndryshe.

“Ishte zëri i një vajze të re, që nuk e kishte të lehtë përballjen me kohën kur jetonte. Po flasim për vitet e ’50 dhe ’60. Aso kohe vajzat po përballeshin edhe me pamundësinë e shkollimit ndërsa Nexhmije Pagarusha pos një këngëtareje që qysh në fillet e karrierës shihej që do të shkëlqente, nuk e la me kaq. U shndërrua në një shkëlqim që hidhte shkëndiza drite tek bashkëmoshatarët e saj”, tha ministri Gashi.

Tutje ministri Gashi tha se zëri i Bilbilit të Kosovës, pos vokalit të bukur e magjepsës do të ishte thirrje për emancipim. E tillë është figura e saj edhe sot.

“Ministria e Kulturës, e ka për obligim që t’i shërbejë artit e artistëve. Pos kësaj ka për obligim që të jetë pranë vlerave të Kosovës. E fusha e muzikës identifikohet me vlerën që ka mbajtur, mbanë dhe do të mbajë emrin, Nexhmija Pagarusha. Qysh prej marrjes së mandatit si ministër, angazhimin tim e kam fokusuar në disa projekte kapitale. Midis tyre edhe përkujdesin për vlerat që do të jetojnë gjithmonë. E tillë është edhe vepra e zonjës Pagarusha”, theksoi ministri Gashi.

“Vitin e kaluar me propozimin e Ministrisë së Kulturës, Qeveria e ka shpallur zonjën Pagarusha “Qytetare me merita të veçanta”, duke i ndarë edhe një pension për këtë titull. Sonte po promovojmë monografinë që paraqet jetën shumëngjyrëshe të këngëtares, ashtu sikurse edhe fotografia me të cilën është ilustruar ballina e librit. Sigurisht që Ministria e Kulturës për zonjën Pagarusha dhe për artistet që shënuan fillet e artit në Kosovë nuk do të ndalen me kaq”, tha ministri Gashi.

Po ashtu, ministri Gashi tha se “jemi në proces të nisjes së punës për ndërtimin e qendrës kulturore “Nexhmije Pagarusha” në fshatin e lindjes së këngëtares, në Pagarushë të Malishevës. Me këto projekte të realizuara ju them pa modesti se MKRS-ja dhe unë si ministër do të vazhdojmë të jemi në shërbim të artistëve sikur Nexhmije Pagarusha. Këtë do ta bëjmë jo vetëm se e kemi obligim si institucione, por edhe në respekt të atyre që përmes veprave na shtruan rrugën deri te identiteti i shteti që kemi”. /KultPlus.com

Të ngjajshme