Promovohet libri ‘Qyteti dhe letërsia: ese’ i Stefan Çapalikut, konsiderohet udhërrëfyes i mrekullueshëm për qytetin e Shkodrës

14 Shkurt, 2024 - 10:40 pm

Në mesin e shumë adhuruesve të librit është promovuar libri “Qyteti dhe letërsia: ese” i autorit Stefan Çapaliku, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery.

Autori Çapaliku në këtë libër ka sjellë një shtrirje letrare të qytetit të Shkodrës këtu duke përfshirë arkitekturën, pikturën, fotografinë, humorin, zejet dhe gjithçka tjetër që e karakterozon qytetin e Shkodrës, këtu pa harruar edhe tre figurat kyqe të letërsisë shqipe të cilët ishin me prejardhje shkodrane si Gjergj Fishtën, Migjenin dhe Ernest Koliqin.

Këtë ngjarje e shpalli të hapur panelistja dhe drejtoresha e mediumit KultPlus, Ardianë Pajaziti, e cila përveç që falënderoi të gjithë për pjesëmarrje, tha se librin perlë sipas saj e kishte lexuar me shumë ëndje, i cili do të shërbej edhe si udhërrëfyes për ata që nuk kanë njohuri mbi qytetin e Shkodrës.

“Stefan Çapaliku është me fat, m’u për faktin që është shkodran, pikërisht për këtë edhe ka zgjedhur të shkruaj për Shkodrën dhe shkodranët. Të shkruash për letërsinë e Shkodrës dhe jo vetëm, dhe për figurat shkodrane, është një privilegj sikurse që e ka pasur Çapaliku. I ndarë në disa kapituj, apo më mirë në disa perla shkodrane ku përfshin arkitekturën, letërsinë, tri figurat kryesore të letërsisë që vijnë nga Shkodra: Gjergj Fishtën, Migjenin e Ernest Koliqin por duke përfshirë edhe figura të tjera të letërsisë, si Kolë Idromeno, Marubi etj, ky libër mund të konsiderohet edhe si udhërrëfyes për të gjithë ara që nuk kanë njohuri për këtë qytet, e sidomos për të huajt” ka thënë Drejtoresha Pajaziti duke shtuar se libri do të duhej të përkthehej së paku në gjuhën angleze në mënyrë që këto informacione  për Shkodrën të mund t’i marrin edhe qytetar nga vende të tjera jashtë trojeve shqiptare.

Drejtoresha Pajaziti, po ashtu tha se përmes përshkrimit fantastik dhe në detaje të qytetit, autori ka sjellë para lexuesve Shkodrën, ashtu siç Ismail Kadare e kishte sjellë kafenenë ‘Rostand’ të Parisit,  duke e bërë të njohur edhe te ata që kurrë nuk e kanë vizituar Parisin.

“Stefan Çapaliku ka sjell në pah ndikimin e qytetit në krijimin letrar, që është shumë më i theksuar në ndikimin e Shkodrës te krijuesit letrar dhe jo vetëm. Se qyteti apo një vend i caktuar i qytetit ka një rëndësi të madhe në krijimtarinë e një krijuesi na ka dëshmuar edhe shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare, i cili kafen ‘Rostand’ të Parisit e bëri të njohur edhe te ata që kurrë nuk e kanë vizituar Parisin”, tha më tej Pajaziti, duke uruar që të tilla libra të botoheshin edhe për qytetet e tjera të mëdha, në mënyrë që brenda një libri të ketë rrëfime në disa segmente për frymën kulturore të një qyteti.

Panelisti tjetër, Ag Apolloni, po ashtu e ka vlerësuar këtë vepër letrare të autorit Çapaliku duke potencuar se libri “Qyteti dhe letërsia” për të është një goditje qysh në titull, i cili të nxit për të shkruar edhe libra të tjerë me temë të ngjajshme.

“Është një libër që trajton një temë interesante për letërsinë shqipe. Vetë koncepti i relacionit në mes të letërsisë dhe qytetit është shumë domethënës për zhvillimin e letërsisë shqipe. Kur e pash titullin e librit, ngaqë nuk e dija që do ta ketë këtë titull para se të botohej, më shkoi mendja te një kritik i yni shumë i njohur, Arshi Pipa, i cili kur flet për letërsinë e shekullit XX, të vëllimi i trete i Triologjisë ‘Albanika’ thotë që pse letërsia shqipe nuk e ka të zhvilluar temën urbane, kjo sepse të gjithë shkrimtarët janë nga fshati. E thotë sikur me humor, por realisht është kështu. Ta zëmë Fishta ose shkrimtarët e asaj kohe nuk mund të flisnin për epokën e Jazzit në Shkodër, ose për një shfaqje operistike në atë kohë. Kjo pra tregon se pse nuk mund të bëhej një letërsi tipike moderne qysh e bënin autorët evropian, ngase ata kalonin kohë nëpër vende urbane, klube, kafene shumë moderne dhe kjo impononte atë stil shkrimi”, ka thënë Apolloni.

Panelisti Apolloni po ashtu tha se autori si risi në letërsinë shqipe e kishte sjellë edhe trajtimin e temës së varrezave, e cila fare rrallë hasej te autorë të tjerë shqiptarë.

“Stefan Çapaliku e lidh ndjeshmërinë e shkrimtarëve me qytetin e tyre si reflektohet qyteti në veprat e tyre, çfarë rëndësie kanë për qytetin dhe varreza që është një qytet brenda qytetit. Kësaj temës së fundit nuk i kemi kushtuar shumë rëndësi përveç te Kuteli “Midis të gjallëve dhe të vdekurve”. Pra, e rikthen këtë temë dhe e sjellë si diçka që është e pranishme në jetë. Pra, sepse tema e vdekjes është gjithmonë e pranishme në jetë.” ka thënë panelisti Apolloni duke e potencuar si libër që mund të nis diskutime në vazhdimësi, duke nxitur shkrime për qytete tjera të veçanta.

Ndërsa, vetë autori tha se libri bazohet në elemente kulturologjike më shumë se sa në ato letrare, të cilat e karakterizojnë qytetin e Shkodrës.

“Libri mund të ishte thirre edhe ‘Kultura dhe Qyteti’ sepse është një libër kulturologjik më shumë se sa mirëfilltazi një libër që mbështetet te letërsia. Por letërsia ka qenë njëfarë predominancë në kohën kur unë jam përqendruar të flas për qytetin. Qyteti i Shkodrës ka qenë rasti i studimit mund të ketë qenë edhe ndonjë qytet tjetër, por unë nuk i njoh qytetet e tjera, unë njoh Qytetin e Shkodrës”, ka thënë autori.

Ai më tutje tregoi edhe për mënyrën së si e zgjodhi të shkruaj për Shkodrën, për elemente dhe figura të shquara të këtij qyteti.

“Tema për të shtjelluar qytetin ka ardhur te unë në mënyrë graduale. Ato pak ese që unë kam shkruajtur nuk kanë ardhur asnjëherë si një lus letrar, por kanë lindur si shqetësime. Mbaj mend kur kam kryer doktoraturën jam konsultuar me një përkthes par excelance si Gjon Shllaku, ku e kam pyetur çfarë mund të marr për të trajtuar. Kisha shkuar me idenë për Fishtën dhe Lahutën e Malësisë, dhe ai më rekomandoi Satirën e Fishtës, e jo Lahutën. Këtë e kisha vath në vesh sepse satira merret me qytetin. Në të vërtetë Fishta është një poet i qytetit, për shkak ta Satirës dhe jo për shkak të Lahutës” përfundoi ai duke thënë që  libri ka plot gjëra intersante kulturologjike.

Ndërsa profesori Agim Vinca, përveç temës së varrezve tha se edhe tema e barcoletave e përfshirë në këtë libër është një pjesë mjaft interesante

“Tema e barcoletave është shumë interesante, të cilën e kanë edhe qytete të tjera, si Gjakova. Humori ka qenë shumë i rëndësishëm sepse e ka përmbytur seriozitetin. Humori është i shëndetshëm”, ka thënë profesori Vinca.

Në fund të ngjarjes pjesëmarrësit patën mundësi të marrin libra me nënshkrimin e autorit, si dhe të shkëmbenin ndonjë batutë me shkrimtarin shkodran./KultPlus.com

Të ngjajshme