Promovohet libri “Unë jam Anemone” me rrëfimet e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës

19 Qershor, 2022 - 10:30 pm

“Unë jam Anemone” udhëton në Tiranë, edhe nga atje kërkohet drejtësi.

Tiranë, 19 qershor –  Libri “Unë jam Anemone”, me rrëfimet e 25 viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, është promovuar të dielën në Tiranë, në selinë e Universitetit Evropian të Tiranës. 

Promovimi i këtij libri, që është cilësuar me peshë historike për Kosovën, është bërë pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Eliminimit të Dhunës Seksuale në Konflikt. Ndërsa, libri është botuar nga Organizata “Medica Gjakova”, në bashkautorësi me gazetaren Salie Gajtani-Osmankaq, në mbështetje të Organizatës gjermane medica mondiale.

Milrinda Sada, drejtoreshë ekzekutive në “Medica Gjakova”  ka thënë se jo rastësisht është zgjedhur Tirana, si vendi i parë i promovimit të këtij libri jashtë Kosovës, sepse kjo po bëhet edhe si falënderim  ndaj Shqipërisë për gjithë atë që ka bërë, në ndihmë ndaj popullit të Kosovës në vitin 1998-1999. 

“Kosova ende lëngon nga plagët e luftës. E njëra ndër to është krimi i dhunimeve seksuale. Krim ky që për kohë të gjatë nuk u njoh as nga vendimmarrësit vendor dhe vazhdon të jetë i mohuar edhe nga ndërkombëtarët. Por, jemi ne ato që po punojmë dhe po ballafaqohemi çdo ditë me këtë fakt”, ka thënë Sada. 

Ajo ka bërë të ditur se menjëherë pas përfundimit të luftës, Organizata gjermane  medica mondiale, e udhëhequr nga doktoresha Monika Hauser kishte hapur zyrën e saj në Gjakovë, duke krijuar për herë të parë në Kosovë një horizont të ri të trajtimit të rasteve që kanë përjetuar dhunë seksuale. Pas kësaj, ajo kishte nisur bashkëpunimin me organizatat vendore partnere, të cilat ende vazhdojnë të merren me trajtimin e traumave të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, duke iu ndihmuar në mbështetje të stafit në fushën e trajtimit të traumave për këta të mbijetuar. 

Sipas saj,  “Medica Gjakova” tani mbulon me aktivitete të gjithë territorin e Kosovës, duke iu ofruar të mbijetuarve këshillime psikologjike individuale dhe grupore, në çifte dhe në familje. Pastaj, trajtim gjinekologjik dhe edukim shëndetësor, përkrahje dhe përfaqësim në sferën juridike si dhe fuqizim ekonomik. 

“Ne ndihmojmë edhe në lobim për përmirësimin e politikave për mirëqenien e të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës në Kosovë”, ka thënë Sada. 

Ajo ka shtuar se “Medica Gjakova” bashkë me QKRMT lansoi fushatën ‘BËHU ZËRI IM’ për të kontribuar në rikthimin e dinjitetit të të mbijetuarve. Kurse, një ndër aktivitetet e kësaj fushate është edhe publikimi i librit “Unë Jam Anemone”.

“Në këtë libër përshkruhen 24 rrëfime të ngjarjes traumatike të dhunës seksuale të grave dhe vajzave dhe 1 rrëfimi i një burri. Përmes librit, ne synojmë që krimi i dhunimeve seksuale të jetë i njohur edhe përtej kufijve të Kosovës”, ka theksuar Sada. 

Edi Puka, drejtor i Departamentit të Psikologjisë në UET ka thënë se ky libër, hap horizonte të reja dhe hedh dritë mbi makabritetin njerëzor. 

“Kuptojmë sërish, sa afër dhe sa larg, ndodhet qenia njerëzore  në mungesë të një rregullatori edukativ, si dhe ajo se çfarë do të thotë, kur njeriu bie pre e instiktive primordiale”, është shprehur Puka.

Ai ka vlerësuar se “nga ky botim ne kuptojmë edhe njëherë rolin vendimtar që merr procesi edukativ, në konceptimin dhe formimin e individit”.

Salie Gajtani-Osmankaq, bashkautorë e librit “Unë jam Anemone” ka thënë se librin e pagëzuan me emrin e lules që simbolizon kontrastin e simbolit midis ndarjes e braktisjes dhe përpjekjen e këmbënguljen për një rilindje tjetër, mu sikur forca e të mbijetuarve të dhunës seksuale.

Ajo ka theksuar se ky libër do t’i mbijetojë harresës nëpër kohë, ashtu siç të mbijetuarit e dhunimeve, i mbijetuan torturës më të rëndë njerëzore e përdorur si armë lufte për të gjunjëzuar një popull që kërkonte liri. 

“Rrëfimet në këtë libër janë dëshmi për një anë tjetër të tmerreve të luftës, për të cilat u hesht shumë gjatë dhe vijnë si thirrje që shoqëria të kthejë sytë kah kjo kategori e stërvuajtur gjatë luftës dhe pas saj”, ka thënë Gajtani-Osmankaq.   

Brunilda Hoxhaj, profesoreshë në UET ka thënë se historia shpesh tregohet nga ata që kanë qenë fitimtar, luftëtar dhe heronjë. 

“Historia tregohet vetëm nga ata, mirëpo një pjesë e historisë mbetet e padëgjueshme, sikur në këtë rast. Dhe kësaj të vërtete i duhet drejtësia”, ka thënë Hoxhaj.

Shpresa Komani- Frrokaj, psikologe në “Medica Gjakova” ka thënë se “derisa flitet me krenari për veteranët, dëshmorët dhe martirët për rezistencën e tyre në mbrojtje të vendit, personat e mbijetuar të dhunës seksuale qëndrojnë të heshtur, të izoluar e të stigmatizuar nga vetja e tyre, nga shteti, nga shoqëria dhe fati i tyre i panjohur edhe për Evropën dhe botën”.

Sipas saj, për këtë grup qytetarësh të vendit, vetëm drejtësia është shërim, qetësim, ngushëllim dhe shpresë për ta.

Në këtë ceremoni u kërkua që të zbardhen krimet e dhunimeve gjatë luftës dhe kriminelët të sillen para drejtësisë. / KultPlus.com

Të ngjajshme