Promovohet “Mali i qumështit”, autorja Ervina Halili shpalos prozën poetike që trajton farën e krijimit

8 Maj, 2025 - 7:00 pm

Romani “Mali i qumështit” (Onufri, 2025) është një tjetër dritë në krijimtarinë e autores Ervina Halili e cila vazhdimisht ballafaqohet me lexuesin, duke paraqitur mendime dhe skena të cilat vënë pikëpyetje të shumta në kokën e lexuesit. Promovimi i këtij libri u bë dje në ambientin e librarisë Dukagjini në Prishtinë, me ç’rast u diskutua stili, rrëfimi dhe kalimi nga poezia në prozë i autores Halili e cila konsiderohet të ketë shkruar një vepër që lehtësisht zgjon imagjinatën e njeriut, shkruan KultPlus.

“Mali i qumështit” është një rrëfim me kujtime nga ngjarje të vërteta nga jeta jashtëletrare. “Udhëtimi i vetes sonë metafizike nëpër botën që na pret krahapur me dashuri e shërim si një nënë e madhe, ndonëse ngjan fantastik, është po aq i realtë, pavarësisht çfarë pamje merr i reflektuar nga imagjinata jonë”, ka bërë të ditur autorja Halili.

Sipas saj në libër, mali përveç një hapësirë e realtë përjetimesh është poashtu një hapësirë utopike që jeton në zemrën e secilës grua.

Promovimi i cili filloi në orën 18:00 mblodhi rreth vetës artdashës, shkrimtarë e poetë. Në këtë ngjarje në panel të ftuar ishin autorët Ernestina Gjergji Halili, Ag Apolloni dhe autorja e librit, Ervina Halili. Panelin e moderoi Latif Mustafa i cili librin e trajtoi si një temë që flet dukshëm për shoqërinë tonë.

“Ervina është personi i parë e cila shkruan për letërsinë në të cilën nuk e sheh Zotin të shkrirë në gjithçka, por gjithçka e sheh të shkrirë tek Zoti apo sido që dëshironi ta quani atë. Edhe tek ky libër bëhet rezonimi i saj, pra ajo shkrihet në natyrën dhe natyra shkrihet në të. Autorja përpiqet të shkruajë për jetë, për mënyrën se si gjërat lindin. Edhe aktin e ngjizjes e sheh sikur poesis, diçka që vjen nga universi dhe frutizohet në botë”, thotë Mustafa.

Në anën tjetër, autorja Erenestina Gjergji Halili thotë se Ervina dhuron një copë të fantazisë së meditimit ku rrjedha lineare ndërpritet bukur.

“Është një ngjarje artistike dhe kulturore pasi që autorja ka arritur të sumblimojë një dhimbje e cila është e rrallë në jetën e njeriut. Mund të them se Ervina e ka tejkaluar veten si individ dhe ka sjellë rrëfimin e një autoreje që ka shfaq guxim dhe kjo ka një shijeje postmoderniste. Ajo na ka sjellë një hap përpara në gjininë e prozës. Jam nga ata personat që e kam lexuar dy herë librin e saj, për të kuptuar se çfarë ndodh me një autore që kalon në rrëfimin e gjatë dhe për të kuptuar procesin e saj. Jam e mahnitur me qenien grua jo vetëm të Ervinës por të të gjitha grave. Përgjatë rrëfimit mund të shohësh se ajo çfarë Evrina thotë është një copëz e fantazisë sonë, e meditimit tonë. Elementi i parë që më ka tërhequr është fragmentariteti dhe ndërprerja e rrjedhës lineare, ky është element postmodern. Kemi tre kategori, kemi meditim, përjetim emocional të natyrës, narrativë reale të përditshme, jeta në fshatin malor etj. Kemi rrugëtime filozofike dhe biologjike. Kjo është risi e jashtëzakonshme dhe një element i cili më tërhoqi gjithë qenien time brenda librit. Kemi një çrregullim kohor në narrativë dhe kjo është teknikë postmoderne dhe vë në pikëpyetje stabilitetin e realitetit tonë”, thotë ajo.

Sipas saj, elementi që ka vënë re është zhveshja e subjektit dhe autoritetit të një qendre. Pra, subjekti nuk është hero klasik por një vetëdije që endet, i ndarë mes meditimit, kujtesës, frikës dhe fantastikes apo magjikes.

“Personazhi kryesor përjeton një krizë ekzistenciale në kufi mes trupores dhe shpirtërores, reales dhe metafizikes, individuales dhe mitologjikes. Këtu kemi një autoritet qendror, një shkrike perceptimesh. Janë disa elemente që shohim se janë mbështetur nga realizmi magjik në romanin e autores. Kemi një ndjeshmëri të theksuar ndaj frazës poetike, një ndjeshmëri ndaj stilit dhe ndërtekstualitetit i cili është shumë figurativ, poetik, ka stil të lartë estetizmi të përditshmërisë që shndërron gjithçka në metaforë. Libri është një protestë ndaj mjedisit social e kulturor. I gjithë libri e ka protestën njerëzore brenda. Ervinës nuk i intereson as vetja, as nëna por njeriu i cili mund të jetë vetja, nëna, pasardhësi/ja, dhe në këtë ambiguitet e shikoj unë letërsinë e autores që ka një dëshirë për të kuptuar botën. Kështu krijohen kryeveprat shpirtërore”, përfundon Gjergji Halili.

Gjithashtu, shkrimtari Ag Apolloni ka thënë se brenda librit ‘Mali i qumështit’, autorja Halili ka krijuar një paralele, një orkestër ku zemrat femërore japin kontributin e tyre.

“Është shumë mirë që ju shoh kaq shumë në promovimin e këtij libri. E vlerësoj shumë poezinë dhe letërsinë e Ervinës dhe me qejf jam këtu. Është një nga autorët më të talentuara që kemi tani dhe e lexova me kënaqësi librin e saj. Letërsia shqipe ka qenë një letërsi në diskurs androcentrik dhe shumë rrallë i është bashkuar këtij kori ndonjë zë femëror. Tani ka nisë të krijohet një paralele, një orkestër ku zemrat femërore japin kontributin e tyre. Duke lexu librin shohim se ka një perspektivë gjinocentrik dhe duhet të jesh femër për ta shkruar një libër të tillë. Është e domosdoshme perspektiva e librit sepse pasuron letërsinë shqipe pasi që jemi duke folur për një krijim që flet për krijimin e një fëmije dhe nuk është thjeshtë një shtatzëni por një varg idesh ku krijohen relacione të çuditshme mes brezave. Personi që rrëfen përshkruan subjektivisht dhe tregon paralele të realitetit të sotëm dhe asaj të një kohe kur Kosova ishte nën regjimin serb. Janë paralele mes dy linjave të dy lindjeve dhe bartja nga personalja tek socio-politikja është një prurje e veçantë e kësaj proze që më shumë anon kah ana poetike duke mos u përqendruar tek narracioni. Është një meditacion mbi temën e librit”, thotë Apolloni.

Sipas tij, është një libër i veçantë sepse autorja ka ndërruar zhanrin dhe ka krijuar një roman që është anti-postmodern.

Ndërkaq, autorja e vetë librit, Ervina Halili ka treguar se libri është një prozë poetike në vete dhe ka lindur si pasojë e dëshirës për të ia dedikuar një tekst më të gjatë poezisë së saj ‘Nana’ që u publikua në librin ‘Nuk janë sytë e mi’.

“Nga poezia kanë lindur shumë shkenca dhe vetë filozofia, sipas meje. Por, metafizika të cilën e shfrytëzoj për të shpjeguar shumë koncepte, është vetë poezia. Poezia është shumë intime, e brendshme. Poezitë janë protestë emocionale dhe poezia është njëfarë thani i qetësisë dhe jo protestë. Ndonjëherë nuk mjafton për të komunikuar në rrafshe të tjera. Libri është një prozë poetike në vete. Ka qenë një proces jo i lehtë i tekstit të prozës së librit ‘Mali i qumështit’, për shkak të vetëbesimit për të shkruar prozë. Proza kërkon njëfarë teknike të daljes nga ajo që vjen automatikisht. Dua të them se gjinia tejkalohet ngaqë ideja ka qenë fillimisht që përmes procesit të një gruaje, të përjetohet principi femëror universal. Kur personazhi është grua atëherë krijohet një ngarkesë tjetër sociale dhe politike. Kam pasur dëshirë që eko-feminizmi që është aktiv në botë, të flasë jo për gjininë por për botën, tokën, natyrën, Zotin si princip femëror. Ekziston një poemë e imja, ‘Nana’ tek libri ‘Nuk janë sytë e mi’, ndaj së cilës doja ta krijoja një tekst të zgjeruar, dhe libri është pikërisht dedikim ndaj asaj poezie. Unë kam pasur një proces luftarak me këtë tekst sepse sa herë që lëshohesha në shpjegime, ndalesha dy-tri ditë dhe doja që teksti të jetë i përmbytur dhe jo i hapur”, thotë Halili.

Ajo ka thënë tutje se libri trajton dy botë që janë kundërshtare me njëra-tjetrën por që janë opozitare në mënyrën se si shoqëria e percepton.

“Mali shkon karshi egos së njeriut dhe kur njeriu i hyp malit me shumë ego, mali nuk e duron. Njeriu krejt sferën e ka ndërtuar me egon e tij por është diçka esenciale që ka njeriu. Mbiegoja është më e rrezikshme sesa egërsia natyrore e vetë malit. Do të vijë një kohë kur njeriu do ta harrojë prejardhjen e tij, burimin e tij, gjithçka. Ashtu e imagjinoj unë. Njeriu do të harroj se zemra e tij është e lidhur me diçka shumë më esenciale sesa truri. Ndoshta libra të tillë do të ia rikujtojë kësaj gjenerate, burimin e njeriut”, thotë ajo.

Në fund, të pranishmit patën mundësinë të flasin gjerësisht me autoren e cila i ftoi ata në një koktej rasti./ KultPlus.com

Të ngjajshme