Promovohet në Tiranë monografia e Sabri Hamitit për Naim Frashërin

21 Tetor, 2020 - 9:52 am

Një jetë e tërë e mbushur me krijime letrare të cilat përfaqësojnë denjësisht kulturën tonë, kanë zënë fill në monografinë e Sabri Hamitit. Në përvjetorin e 120-të të shkuarjes në amshim të rilindasit Naim Frashëri, u promovua vepra kushtuar tij, shkruan KultPlus.

Në këtë përvjetor, Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Albas” ka promovuar monografinë e Hamitit të quajtur “Naim Frashëri”.

Në promovimin i cili u mbajt në hapësirë të jashtme, ishin prezentë shkrimtarë, studiues e kritikë letrar, përfaqësues fetarë të bektashizmit dhe të afërm të Hamitit. Një ndër të pranishmit ishte edhe poeti Xhevahir Spahiu.

Përgjatë promovimit, fjalë për librin foli studiuesja dhe ligjëruesja e letërsisë Perida Asllani.

Duke përvijuar ngulmimin e autorit Hamiti në leximin sistematik e të vijueshëm, vit mbas viti teksteve poetike të Naim Frashërit, studiuesja Asllani thekson se “Prej këndej buron këmbëngulja e skajshme për ta sjellë tekstin në lexim sa më pranë botimit të parë, për t’iu kthyer atij me lexime të vijueshme dhe pasuruese sa herë që ia dikton shqisa e vet. Atëherë takohemi përnjëmend me Naimin që himnizon përjetësisht gjuhën, atdheun, heroiken, dashurinë e bukurinë, Naimin e lirikës personale e mistike, Naimin që vajton, Naimin që mrekullohet, Naimin e utopisë dhe ëndrrës, mirësisë e melankolisë, Naimin e Skënderbeut, Naimin e bektashizmës së frymëzuar e sidomos Naimin e zemrës, atë të lexuar për herë të parë e që mbetet thelbi i çdo rileximi, sado i shtyrë në kohë qoftë ai.”

Vetë autori Hamiti theksoi se Naim Frashëri të gjithë librat e tij në shqip i shkroi brenda një dekade (1886-1895), ndërsa lëngoi nga sëmundja në 5 vjetët e fundit të jetës.

“Ai është i lindur si poet lirik. Në këtë vështrim, logjikisht, të menduarit të çon te ‘Lulet e verës’ si libri më i mirë lirik i tij”, vlerësoi Hamiti.

Libri është botuar në edicion të shtëpisë botuese “Albas” nga Tirana./KultPlus.com

Të ngjajshme