15 Qershor, 2025 - 7:56 pm
Era Berisha
Në një kohë kur çrregullimet e shëndetit mendor po shfaqen si pandemi globale dhe zgjidhjet shpesh kërkohen në barna dhe modele neuroshkencore, psikiatri Imri Demisai vjen me një qasje ndryshe në librin e tij më të ri, “Psikologji për jetën time”, që u promovua dje në ambientin e ngrohtë të Galerisë KultPlus.
Me një përvojë klinike shumëvjeçare, Demisai ngre shqetësimin se aspekti shpirtëror i njeriut po anashkalohet gjithnjë e më shumë. Në librin e tij, ai u bën thirrje profesionistëve të shëndetit mendor që të shohin përtej diagnozave të ftohta, të dëgjojnë me kujdes historinë e pacientit dhe të mos mbështeten verbërisht vetëm në farmakoterapi.
“Rrënjët e vuajtjes shpirtërore janë psikologjike, jo biokimike,” – shkruan autori. – “Vetëm përmes njohjes, mirëkuptimit dhe një qasjeje njerëzore mund të arrihet shërimi i vërtetë.”
Nën moderimin e Ardianë Pajazitit, drejtoreshë e gazetës KultPlus, promovimi i këtij libri u kthye në një bisedë të sinqertë mbi rolin e humanitetit në trajtimin e shëndetit mendor. Libri u cilësua si një manifest i një psikiatri që nuk i sheh njerëzit vetëm si bartës simptomash, por si qenie të ndërlikuara me histori, emocione dhe plagë të thella shpirtërore.
Vetë autori Demisai ka thënë që njerëzit jetojnë në një kohë kur çrregullimet e shëndetit mendor kanë marrë përmasa pandemike.
“Ndihmës të shumtë përpiqen të na shpëtojnë sa më parë, duke krijuar një situatë ku jemi të ekspozuar ndaj një vale të vazhdueshme informacionesh dhe këshillash të shumëllojshme. Ndihma që na ofrohet është kryesisht psikiatrike, ndonëse ende nuk është gjetur një kurë që të shërojë plotësisht çrregullimet mendore. Nga ana tjetër, psikologët i janë drejtuar terapive kognitive të sjelljes (CBT – terapi e orientuar drejt veprimit), si një formë psikoterapie që synon reduktimin e simptomave të gjendjeve të ndryshme të shëndetit mendor. Ata shpesh mbajnë modele të trurit mbi tryezat e tyre të punës, duke treguar kështu besnikëri ndaj psikiatrisë tradicionale dhe duke lënë shpirtin mënjanë. Ata besojnë në ato që thonë profesorët se, përveç depresioneve që lidhen me krizat e jetës, ekzistojnë edhe depresione që, gjoja, vijnë si pasojë e çrregullimeve biokimike në tru. Kështu mendon shumica sot, përndryshe nuk do të shiteshin kaq shumë barna”, thotë ai.
Sipas tij, faktet klinike e kanë bindur se nuk ka shkaqe të tjera për problemet psikike, përveç shkaqeve psikologjike. Ngjarjet janë ato që shkaktojnë reagime emocionale, dhe këto manifestime shpirtërore vënë në lëvizje të gjithë organizmin, jo vetëm trurin. Pra, çrregullimet mendore janë gjendje shpirtërore që lidhen me ngjarjet e jetës, me botëkuptimin dhe me qëndrimin tonë. Edhe ato që quhen “sëmundje psikike” janë gjendje sistemike, kryesisht si pasojë e transmetimit të traumave të familjes nga brezi i vjetër tek brezi i ri.
“Nëse mendoni kështu, do ta kuptoni më mirë psikologjinë e jetës së përditshme, duke u nisur nga konteksti juaj social. Ruani kokën, që të mos lëndohet truri, por mos e lodhni mendjen me hipoteza neuroshkencore, të cilat deri më sot nuk kanë sjellë zgjidhje të qarta. Le t’i lëmë shkencëtarët të merren me këtë punë; ne praktikuesit të merremi me atë që na ofron shkenca e jetës. Nëse keni nevojë për ndihmë dhe vëreni se psikologu që takoni përdor slogane neuroshkencore në faqen e tij të internetit ose në dhomën e punës, keni arsye të dyshoni. Mos e lejoni veten të trajtoheni si kopje, por bëhuni si ato librat origjinalë që lexohen për herë të parë”, thotë ai.
Ai po ashtu është shprehur se çdo njeri duhet të jetë i informuar mbi këto çështje, përndryshe nuk do ta kuptojnë se çfarë ndodh me ta.
“Kjo nuk është e vështirë, nëse flisni hapur dhe kërkoni shpjegime për nocionet që përdoren gjatë bisedës me psikologun tuaj, në mënyrë që të kuptoni më mirë njëri-tjetrin. Së pari, duhet ta keni të qartë pse keni nevojë për ndihmë, dhe të bindni veten se nuk po e përdorni psikologun si një alibi për të mos u përballur me problemet e jetës. Mendoj se duhet të analizoni me kujdes gjithçka që thuhet për shëndetin mendor në studio televizive apo portale online – të gjitha ato këshilla që ju serviren si të vërteta. Ju nuk duhet të lejoni që shëndeti juaj të përkeqësohet deri në atë pikë sa dikush tjetër të marrë kontrollin mbi jetën tuaj, duke u marrë me ndjenjat tuaja vit pas viti, pa e kuptuar shkakun e vërtetë të vuajtjes shpirtërore”, thotë Demisai.
Brenda librit thuhet se vuajtja është pasojë e padijes.
“Kërkoni dituri që të mos vuani. Kërkoni ndihmë, por gjykoni edhe vetë – mos ua lini të tjerëve të mendojnë për ju. T’i bësh dikujt një “pëlqim” në internet pa e kuptuar domethënien e asaj që shkruan, nuk është mirë. Rinia shqiptare duhet të kërkojë burime të ndryshme informacioni, derisa të gjejë ndihmën e duhur – jo të besojë verbërisht çdo gjë që thonë ekspertët e një shkence që nuk është aq ekzakte siç janë psikologjia dhe psikiatria.”
Libri “Psikologji për jetën time” kërkon të jetë një frymëzim i përditshëm, në mënyrë që vëmendja të drejtohet kah ligjet e jetës dhe jo kah misteret e trurit.
Autori i librit bën një thirrje dashamirëse për kolegët mjekë: lini modelet e trurit dhe neuroshkencën – merruni më shumë me aspektet ekzistenciale, me dritëhijet e personalitetit tuaj dhe të atyre që dëshironi t’i ndihmoni. Flisni për hallet e jetës, jo për sinapset e trurit, sepse ato nuk na e shërojnë brengën shpirtërore. Mos shkruani shumë receta për medikamente psikofarmakologjike, përveçse në raste shumë të rënda, kur është vërtet e domosdoshme – si për shembull për të zbutur një gjendje psikotike, një mani fulminante ose një delir të rëndë gjatë abstinencës. Ndonjëherë nevojiten barna kundër sulmeve ankthore, por kjo rrallëherë është e domosdoshme. Përdorni metoda të tjera për qetësim – ndihmoni pacientët të modulojnë afektet, të shndërrojnë ndjenjat sekondare në ndjenja primare. Ankthi lidhet me konflikte të zakonshme, por në raste të rralla, kur ndjenja e panikut bëhet shumë e fortë, ai duhet parë si një mekanizëm mbrojtës ndaj impulseve destruktive, që shpesh janë rezultat i trysnisë agresive në familje. Kjo gjendje alarmante mund të zbutet me metoda terapeutike, por nganjëherë nevojiten edhe hapa qetësues. Antidepresantët duhen përdorur vetëm në raste të rënda depresioni, siç është melankolia. Por nëse pacienti këmbëngul, atëherë s’kemi ç’të bëjmë. Ka njerëz që nuk guxojnë të jenë në kontakt me ndjenjat e tyre dhe ndihen të detyruar të përdorin barna. Detyra jonë kryesore është të parandalojmë krizat e ankthit dhe të depresionit, dhe të mësojmë njerëzit të kërkojnë ndihmë me kohë. Edhe psikozat, gjendjet maniako-depresive, si dhe varësitë e rënda, mund të zbuten apo të parandalohen nëse dimë shkaqet e vërteta dhe mekanizmat e shfaqjes dhe përkeqësimit.
Sipas tij, mendimet sistemike që paraqiten në këtë libër – fryt i përvojës së gjatë klinike të autorit – hapin mundësi të reja terapeutike për mjekët, psikologët, punëtorët socialë dhe për të gjithë ata që duan të shohin përtej diagnozave deskriptive, për të kuptuar më mirë problemet psikike të fëmijëve, adoleshentëve dhe të rriturve.
Ky libër është fryt i një pune të gjatë klinike e autorit si psikiatër. Ai ka falënderuar për ndihmën që ia kanë dhënë me rrëfimet e tyre të gjithë pacientët që ka takuar në klinikat e mjekësisë së përgjithshme, në klinikat psikiatrike dhe në praktikën e tij private, gjatë këtyre tri dekadave të fundit.
Rrëfimet e tyre dhe udhëzimet e kolegëve të tij më të vjetër, veçanërisht ndihma e psikologes psikanaliste K. Wedne Lindberg dhe e psikiatrit gjerman Albrecht Mahr, kanë qenë vendimtare për zhvillimin e tij psikoterapeutik.
Për cilësinë e librit, autori ka falënderuar redaktorin, profesor Rami Memushaj, për përkushtimin e tij që ky libër të dalë sa më mirë. Një falënderim i veçantë nga autori ka shkuar edhe për doktoreshën Gerdiola Topi, për sugjerimet e vlefshme para botimit të librit.
Dhe, në fund, autori ka falënderuar familjen – për durimin dhe mirëkuptimin, gjatë orëve të gjata të vetmisë së tij krijuese.
Pas përfundimit të promovimit, të pranishmit vijuan bashkëbisedimin në një atmosferë të ngrohtë e reflektuese, duke u ndalur veçanërisht te temat me ndjeshmëri: ndikimi i efektit placebo në procesin e shërimit, roli i vetëdijes dhe fuqia që nënvetëdija ka në përballjen me dhimbjet emocionale. Diskutimet shpërfaqën nevojën për një qasje më të thelluar ndaj psikikës njerëzore, ku shërimi nuk ndodh vetëm përmes barnave, por edhe përmes ndërgjegjësimit, pranimit dhe transformimit të brendshëm. Bisedat vijuan gjatë, si dëshmi e një libri që ka nxitur më shumë se lexim – ka nxitur vetëdije./ KultPlus.com