Propozojmë librat që duhet të lexohen gjatë muajit prill

3 Prill, 2018 - 4:33 pm

Muaji prill veç sa ka nisur.

Jo që ky muaj ka dicka më të vecantë se të tjerët, por është një muaj ideal për të lexuar dicka. Hulumtim, dokument i vjetër, ri-lexim i këndshëm, një histori e guximit njerëzor, gjithcka do të jetë e mirëseardhur për lexim gjatë 30 ditëve të këtij muaji.

Po propozojmë kështu disa vepra dhe lexime që mund të bëhen gjatë muajit prill, me shpresën që do ti ndihmojmë lexuesit tanë të koncentrohen dhe të vendosin për një shfletim që na pasuron mendjen e shpirtin.

BASTARDJA E STAMBOLLIT – ELIF SHAFAK
Një libër fantastik i cili ballafaqon dy familje mes vete, me Turqinë, Amerikën dhe Armeninë si shtete ku personazhet udhëtojnë në kërkim të vetes dhe familjarëve. Asya Kazançi dhe Armanoush Tchakhmakhchian janë dy vajza të reja që e gjejnë një shoqëri për lakmi. Shkrimtarja e librit, Elif Shafak, gati sa nuk morri burg për këtë libër. Libri përngjan shumë me mentalitetin shqiptar, prandaj me një lexim secili mund të bëjë lehtë krahasime me shqiptarët. Libri është i përkthyer edhe në gjuhën shqipe, ndërsa në origjinal është “The Bastard of Istanbul”.

FISET SHQIPTARE – HISTORIA, SHOQËRIA DHE KULTURA – ROBERT ELSIE
Robert Elsie, një prej albanologëve më të mirë, ka lënë pas vetes një trashëgimi të madhe të librave dhe hulumtimeve rreth shqipes e shqiptarëve. Gjatë muajit prill, mund të lexoni librin e tij rreth fiseve shqiptare. Libri hulumton 69 fise shqiptare, analizon kulturën dhe gjuhën e tyre, adetet, legjendat dhe historitë e tyre. Libri ju ndihmon të njihni më mirë shqiptarët dhe fiset shqiptare në Mal të Zi, në Shqipëri e në Kosovë.

INTERVISTË ME VETVETEN – PETRO MARKO
Libri “Intervistë me vetveten” i Petro Markos, u botua fillimisht në vitin 2000, pothuajse një dekadë mbas vdekjes së shkrimtarit. Është ndër librat që jehonën e ka të vazhdueshme, pikërisht për një dëshmi autentike, dramatike, për profilin e njeriut-shkrimtar, për atë qenësi vlerash të njeriut të letrave, i cili komunikoi dramatikisht me kolegët, me lexuesit. Libri i Petro Markos është një formë interesante për të shkruar për veten, por njëkohësisht edhe për të tjerët. Në rrëfimin e shkrimtarit ngjarjet zhvendosen siç zhvendosen pamjet e një filmi. Shkrimtari ka rrëfyer për ato gjëra ku i dhembte më tepër, aty ku shpirti i vlonte më shumë.

ALKIMISTI – PAULO COELHO
Ky është një nga romanet më të suksesshme të Paolo Coelhos dhe një prej librave më të shitur në botë përgjatë këtij shekulli. Briliant në rrëfim, magjik dhe i thjeshtë në mënyrën sesi komunikon me lexuesin. Është një gjetje fantastike për dhurata për të dashurit apo miqt tuaj. Alkimisti nuk duhet humbur. Santiago udhëton nëpër piramidat e Egjiptit pasi ka ëndërruar se atje do të gjejë një thesar. Ai dashurohet në Fatiman. “Kur dëshiron dicka, i tëri universi bashkohet për të të ndihmuar drejt realizimit” është një pjesë e librit, që në fakt cilësohet si pjesa bazë e tij. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme