Pse nuk e shkruaj një libër?

17 Janar, 2024 - 3:06 pm

Nga Ermal Mulosmani

Kjo është një pyetje që e ndesh shpesh ndër miqtë e mi më të mirë. Nuk e fsheh që edhe brenda meje fle tundimi për një libër dhe, sa herë dikush ma zgjon këtë tundim, i jam mirënjohës.

Mes meje dhe letërsisë ka ekzistuar një flirt i pashprehur qysh në vogëli. Ishte si dashuria e parë e një fëmije për një princeshë: e fortë, e papërballueshme e njëkohësisht mosbesuese dhe e pathënë.

Droja se do të ishin të refuzuar në dashuri të tilla, të pamundura, ka lënë shumë njerëz me zjarr në gji gjithë jetën. Ata janë endur mes mundësisë dhe pasigurisë për të zgjedhur forma të mjegullta shpërfaqjeje. Është sikur ata çunakët që thonë “e dua si motër” apo “e kam shoqe” kur e gjithë qenia e tyre buis dëshirë. E për të mos u zgjatur në të tilla persiatje, po dal në një terren më konkret.

Unë druaj të nis një libër në respekt të shkrimtarëve të vërtetë!

Po. Bash kjo është arsyeja më e thellë! Unë mendoj se vrasja e letërsisë është masiviteti i saj. Ky është shumë herë më i dëmshëm se censura totale! Censura zgjon adrenalinën e konspiracionit, një joshje e papërballueshme e racës sonë. Në censurë shkëlqejnë edhe gjenitë e rezistencës por edhe ata të artit të madh! Në kohëra të errëta dalin të mëdhenjtë, nevoja për dritë na bën të kërkojmë për ta. Ndërsa liria absolute është vdekja e çdo letërsie të madhe.

Në lirinë absolute shpërthejnë memuaret-përralla (respekt për përrallat e vërteta) historitë e fisit, lavditë e paqëna, deliret, paranojat, erotikat banale; vrasësit e kriminelët injorantë janë yjet e publikut. Ndërsa shkrimtarët e vërtetë, ata që shtrydhin trurin me orë të tëra duke ndërruar fjalët në funksion të fuqizimit artistik të mendimit, ata që përhumben me vite të tëra në endjen e romanit “që do të trondisë mbarë lexuesit” përfundojnë në tronditjen e thellë shpirtëtore të tyre!

Nëse unë do të tentoja të shkruaja një libër druaj se do të shtoj edhe një pikë ujë në oqeanin ku janë fshehur perlat e vërteta. Dhe nuk dua të ndjehem në faj për këtë.

Unë jam -besoj- lexues i mirë. Qysh i vogël lexova letërsi që ishte mbi mundësitë e mia për ta përtypur. Lexova dramat e Shekspirit kur nuk duhej. Por ky ishte i vetmi defekt mendoj. Më vonë krijova një standart që e kam të vështirë ti shmangem edhe sot. Babai im sigurisht ndikoi në këtë gjë: “Nëse lexon letërsi shqipe është humbje kohe” – më tha kur isha 10 vjeç. “Është sikur të vish në jetë tani dhe të zgjedhësh të lexosh letërsinë e Guatemalës”- më tha. (Respekt për Guatemalën. Mjafton Asturias për të pohuar madhështinë e letërsisë së saj). “Ti duhet të përpiqesh të lexosh si njeri pa kombësi. Nuk duhet kombësia të të diktojë formimin tënd”.

Nuk ma tha tekstualisht kështu sigurisht por thelbi ky ishte. Dhe në njëfarë mënyre më ndikoi.

Nuk është vendi këtu për të përmendur shkrimtarët e mi të preferuar. Por është me vend të them se pikërisht cilësia e shkrimit të tyre më ndikoi për të qëndruar në anën tjetër të barrikadës: atë të lexuesit.

Kadare në parathënien e “Shpirtra të vdekur” shkruan (pak a shumë) :

“Nëse do të përfytyronim për një çast se letërsinë e madhe dhe letërsinë mesatare apo komerciale i ndan një vargmal i madh e i pakapërcyeshëm, një nga majat më të larta është ky libër”! Sapo mbarova librin rashë dakort me të. Çiçikovi është personazh i papërsëritshëm në letërsi. E përfytyrova veten një milingonë duke u ngjitur majës së lartë të Çiçikovit. Një nga 1 miliard milingonat që nisen për ditë nëpër kodrat përballë asaj Himalaje dhe dorëzohen.

E dyta herë që më erdhi të qesh me veten ishte kur po lexoja një libër-biografik të gruas tahitiane të Marlon Brandos, aktorit të madh hollivudian. Brando ishte i shtrirë në shtratin e vdekjes, në grahmat e fundit. Gruaja që kishte kaluar gjithë jetën larg tij (dhe grave të tjera të tij), në atë moment fundor e pak solemn, i drejtohet:

“Marlon, do të shkruaj një libër për raportin tonë”.

Ishte një çast qesharak në atë moment le të themi tragjik të aktorit. Ky i hapi sytë dhe i tha:

“Po Tarita, shkruaje edhe ti librin tënd”.

Mua mu lexua si përqeshje a përbuzje, sikur po i thoshte:

“Të erdhi dita edhe ty tashmë, bëj ça të duash”.

Mu duk sikur më tha edhe mua. Qesha.

****

Shqipëria ka mijëra shkrues të paskrupuj librash, këngëtarë, influencerë, bigbrotheristë, blogerë. Në gjithë këtë oqean plot dallgë e cuname abdurditeti noton me siguri edhe ndonjë perlë e bukur e fshehur në kushedi se çguaskë të vogël. Por që dallgët e oqeanit të tmerrshëm të mediokritetit e largojnë çdo ditë nga kërkuesit e perlave.

Dhe dëmin më të madh në këtë drejtim e bën një shkrimtar mesatar. Një shkrimtar i dobët a folklorik e dëmton letërsinë shumë më pak sesa një mesatar. Sepse folkloriku është i pari që largohet nga një lexues le të themi mesatar. Se edhe lexuesit kanë rangun e vet. Nuk bien të gjithë në rrjetën e Albatrosit fjala vjen. Atë e largojnë me nënqeshje sipërane, sqimatare, a thua vetë janë më shumë se ai.

Dëmin më të madh e bëjnë kategoria e mesatarëve, atyre që nuk janë krejt pa gjë, që kanë njëfarë stili a mendimi. Ti heziton para emrit të tyre, nuk është se nuk joshesh ta lexosh. Dhe shpesh e merr atë mut libri për tu penduar më vonë dhe për të ndëshkuar herën tjetër, bashkë me mediokrin, nga paragjykimi për të, edhe një të talentuar që shfaqet pranë tij.

Por akoma më i dëmshëm se shkrimtari mesatar është lexuesi mesatar. Ky menjëherë shpall gjenialitetin e shkrimtarit blushian, i bën jehonë, më shumë për të shpallur gjasme nivelin e tij si lexues. Dhe kështu përhapen dallgët bashkëqendrore të mediokritetit si cunam që shet nga libraritë lajlelulet afrodiziake apo klonimet perëndimore të nostradamëve lokalë.

Kombinimi i lexuesit mediokër me shkrimtarin mediokër përbën biznesin e librarive. E këtu, bash këtu e gjej hezitimin tim. Druaj se do jem një më shumë në këtë batërdi me manipulues letrarë. Ose edhe më keq se aq. Druaj se do jem një nga ata që do të vuaj mungesën totale të lexuesit. Shoh shumë ustallarë fjalësh që brengosen përditë nga epërsia e hamenjve të saj. Po sikur të kem ndonjë çikë talent e të mos më lexojë askush?

Do ishte më e tmerrshme, më e papërballueshme.

Më mirë rri diku në mes, me dashurinë e pashprehur e me shpresën se dikur do të ndodhë. Të paktën do e kem zjarrin në gji. Nuk i dihet. / KultPlus.com

Të ngjajshme