Publikohen poezitë e Shaban Demirajt që i shkroi si 16-vjeçar

5 Nëntor, 2019 - 12:30 pm

Ai që do të bëhej njeriu i shkencës, që në rininë e vet ka shkruar poezi, sidomos me temën e atdhetarizmit. Janë këto poezi me një nivel të mirë artistik dhe lexohen edhe sot me kureshtje dhe interes. 

Ndoshta janë të rrallë ata, të cilët e dinë që në rininë e vet profesor Shabani shkruante vjersha. Këtë e kemi mësuar tani vonë nga zonja Fatime, bashkëshortja e mrekullueshme e profesorit. Në shtëpinë e tyre në Tiranën e Re, ajo na thotë se “poezitë e Shabanit, të shkruara nga dora e tij afro 80 vjet më parë, i kam këtu, në disa fletore… Ato janë të shumta, unë do t’i seleksionoj e disa prej tyre do t’jua jap për botim juve, si ish- student i tij, thjesht për ta kujtuar”.

Dhe para nesh, si fillim do të na paraqiste dy poezi, për të cilat, ndonëse diçka është shkruar te gazeta “Dielli” nga Enver Memishaj kohë më parë, nuk e kanë gjetur popullarizimin që meritojnë… Poezitë e shkruara nga profesor Shaban Demiraj, që janë me tematika të ndryshme, të flasin për një anë të panjohur të jetës së tij…

“Nga shënimet në fund të poezive mësojmë se Shaban Demiraj, kur i shkroi vjershat ishte në moshën 16- 17-vjeçare dhe nxënës i Medresesë së Tiranës. Po vjershat i shkroi gjatë pushimeve në vendlindjen e tij, Vlorë, e përgjithësisht shkroi për Vlorën e Flamurit e ngjarjet historike të saj. Të çudit fakti që poezitë kanë temën më të rëndësishme të kohës, atë të lirisë e pavarësisë, të nderimit të Flamurit, Ismail Qemalit, e burrave atdhedashës. Dhe ndonëse në moshë të re, vjershat tregojnë për pjekuri mendimi e nivel të mirë artistik, (paçka se atykëtu gjen edhe gabime ortografike, që justifikohen me nivelin arsimor në moshën e tij të re). Po kjo nuk ka rëndësi, rëndësi ka fakti që profesorin e ardhshëm të gjuhës shqipe e frymëzonte qyteti i tij i lindjes, që e deshi aq shumë, prandaj edhe shkroi aq bukur për të…. Por edhe Vlora nuk e harroi kurrë birin e saj të shquar. Veç vlerësimeve të larta që i bëri Atdheu, vitet e fundit Vlora e shpalli atë edhe “Qytetar Nderi” të Qarkut të Vlorës…

Poezitë e djaloshit Shaban Demiraj, edhe sot, pas shumë dekadash, si nga përmbajtja, nga forma, e niveli artistik janë të bukura dhe lexohen me kureshtje e interes. Prandaj, dikush mund të pyesë se pse ai, i riu i talentuar, braktisi rrugën e poezisë. Është e tepërt të themi se njeriu në jetë ecën në rrugën që i pëlqen dhe shikon se aty ku mund të shpalosë aftësitë dhe pasionin e tij, aty ecën më i sigurt… Dhe ai, jo rastësisht zgjodhi rrugën e shkencës së gjuhësisë dhe arriti të bëhej ai që edhe do të mbetet, “Baba i gjuhës shqipe”. Ka disa vite që profesori ynë i dashur është ndarë nga jeta, por ne nuk jemi ndarë nga kujtimet e nderimi për atë, njeriun e madh të kombit e të gjuhës shqipe. Dëshmi nderimi e mirënjohjeje janë edhe botimi i këtyre poezive. Një zë i bukur atdhetarie edhe për vendlindjen e tij, Vlorën e Labërinë.

Fryma atdhetare, me të cilën jetonte e punonte akademiku, pasqyrohet edhe në poezitë e tij, të shkruara herët, qysh në moshën e rinisë… Ato flasin se Shaban Demiraj gjithë jetën ka jetuar mes nesh e ka punuar për ne, për mëmëdhenë e dashur…. këtë e pasqyrojnë edhe dy poezitë e mëposhtme, botuar në nëntorin e vitit 1937 dhe 1938. /Duro Mustafai /KultPlus.com

Të ngjajshme