Puka: ‘Tregimet e tranzicionit’, fushëbëtejë e jetës

26 Janar, 2022 - 3:39 pm

Shkruan Gëzim Puka

“Jam unë në këto tregime,” – na thotë shkrimtari i “Tregimeve të tranzicionit”. Në pamje të parë duket sikur tekstit i është dhënë më shumë rëndësi se kontekstit. Bashkëthurja me gjendjen politiko-shoqërore në këto tregime të shkurtra, ka nevojë për shumë plotësime nga ana jonë si lexues. Jemi ne që i mbushim me kuptim këto tregime, kur jemi të lexuar. Shumë prej këtyre copëzave janë lehtësisht të mbushëshme, pasi shumë njerëz dhe ngjarje i kanë njohur dhe përjetuar. Çështja që shtrohet më shumë më duket se është tranzicioni dhe stanjacioni (ndalesa). Në leximin tim “jemi ndalur” këtë përpiqet të na e thotë libri, na është ndalur ora, nuk ecim dot në hapin e kohës dhe të punës, nuk ndjekim dot askënd. Ne të gjithë hyjmë brenda këtij teksti duke e njohur mirë kontekstin. I pari që nuk i shpëton dot kësaj gjendjeje është vetë autori, zëri kryesor, të cilit i është besuar rrëfimi.

“Tregimet e tranzicionit” përpiqet të na thotë se njëmendësia ku mbështetet dhe nga ku rikrijohet vepra është një fushëbetejë e jetës, që bëhet fushëlojë e veprës. Në pjedestalin e ironisë autori nuk ka asnjë lëkundje. Kjo është poetika që ka shpalosur prej vitesh me poezinë, prozat dhe dramat e tij. Personazhe si Leopoldi, Shpendi, Selamiu lehtësisht të identifikueshëm radhiten përkrah të trilluarve në të trija ndarjet në libra të këtij teksti. Këto ndarje dëshmojnë lakoren e jetës të unit që jeton dhe unit që shkruan, e cila ironikisht koincidon me fazat e pjekurisë intelektuale: ëndërrimi, dyshimi dhe dështimi.

Larg modestisë mund të them se për motive studimore kam qenë një ndër ndjekësit dhe nyjëtuesit më të vazhdueshëm në shtyp të veprës së autorit Stefan Çapaliku. Mund t’ju them se ai befason vazhdimisht me larmishmërinë e gjetjeve tematike në të trija gjinitë klasike që ka letërsia. Befason edhe me përkthyeshmërinë dhe impaktin që ka pasur në gjuhë të mëdha e të vogla të botës. Befason kur provokon. Ky libër lë sythe temash tabu të paprekshme të provincialitetit qytetas dhe kryeqytetas. Kjo poetikë operon me fjali e mendime të paplotësuara. Ka shkelje syri për lexuesin, për gjëra që i dimë e nuk i themi, si dhe për gjëra që i themi, por nuk i dimë.

Diku në një tregim “Leopoldi” ka batuta që censurohen apo vetëcensurohen. Në shumë tregime ka emra “arkaikë” që stereotipizohen. Tekste dhe kontekste në pikëvështrimin grotesk të tranzicionit përkrah rrjedhës së njëmendtë të stanjacionit. Më pak anësi dhe më shumë guxim kërkon vepra për ta shembur stereotipin dhe paracaktimin e kuptimit të veprës. Më shumë guxim për të bluar idetë në të mirë të figurshmërisë artistike. Me pëlqen fjala “ngutí” që përdor ndonjëherë Rugova në kritikat e tij. Çapaliku ka ngutínë për ta përshkuar tranzicioni më frikën se po i rrëshqet nga duart. Për medimin tim fjalia më domethënsëse e librit është: “Që prej vitit 1992, pra që në kohën kur edhe këtu tek ne theu qafën komunizmi, fituam edhe ne lirinë e fjalës e të protestës”. Unë pyes: Të jetë e vërtetë vallë që e theu qafën dhe fituam lirinë?!

Së fundi, një sugjerim do të kisha. Lëreni kuptimin e veprës të marrë udhë vetë! Hiqini parathëniet dhe pastheniet e shkruara prej vete autorëve!/ KultPlus.com

Të ngjajshme