Punën 45-së vjeçare në fushën e polifonisë, Muhamet Tartari e kurorëzon me libër

3 Shtator, 2020 - 9:31 am

“Histori në Polifoni” titullohet libri më i ri i Muhamet Tartarit, i cili ka sjellë përmes tij punën 45-vjeçare në fushën e polifonisë labe, kulturës dhe arsimit.

Në libër përfshihen studime, ese dhe këngë që nga kryengritja e jugut kundër Tanzimatit, në mesin e shekullit XIX,  deri tek zhvillimet në fushën e arsimit pas Luftës së Dytë Botërore. Po ashtu në libër janë pasqyruar edhe këngët e vjetra të Labërisë, të cilat hedhin dritë mbi ngjarjet e mëdha historike të kësaj zone e më gjerë.

Një vend të veçantë në librin e Tratarit zë edhe Lufta e Vlorës më 1920, duke përkujtuar përmes studimeve në këtë 100 vjetor figurat më të rëndësishme të asaj kohe. Në pjesën e dytë, autori fokusohet tek figura të ndryshme, të pushkës e penës, të valles e këngës, që dhanë kontributet e tyre në mëse dy shekuj për zonën e Labërisë. Në pjesën e tretë, shohin dritën e botimit tekste të poezive, këngëve e valleve labe të poetit Muhamet Tartari, që u kënduan në gjysmë shekulli nga grupet polifonike më në zë të trevës së Labërisë e deri tek Ansambi Kombëtar i Këngëve e Valleve, Ansambli i Ushtrisë etj.

Akademiku Vasil S. Tole, i cili ka përgatitur edhe parathënien e librit, thekson se “zakonisht hyrjet bёhen pёr tё futur nё temё lexuesin e panjohur me lёndёn qё libri sjell mё pas, e nё kёtё kuptim ato janё si njё lloj urimi mirё se ardhjeje, i ngjashёm me formulat qё zakonisht i zoti i shtёpisё i drejton me dorё nё zemёr e me gaz nё buzё, mikut, apo miqve qё pret tek dera e shtёpisё. I tillё mё duket vetja mua sot, si njё zot shtёpie imagjinar i cili fton miq e kalimtarё (nё kёtё rast lexues), pёr tu kthyer nga rruga e pёr tё qëndruar njё copё herё e pёr t’u çlodhur e soditur nё faqet e kёtij libri, pёr t’u njohur me tё zotin e vёrtetё tё librit-shtёpi, Muhamet Tartarin, kёtё “kёmbё mali” Labёrie, e shqiptarie”.

“E vёrteta kёrkon tё thuhet qё pёr Muhametin tonё nuk ka shumё nevojё tё flitet gjatё, pasi koha dhe historia ka folur e shkruar pёr tё, biles ai, ndryshe nga shumica qё kanё veç jetёn fizike, ka disa jetё: jetёn si bartёs e mbledhёs folklori, si rapsod e poet, si kёngёtar e valltar, si gazetar, drejtues e organizator i artit dhe kulturёs, pa folur pёr jetёn e pёrjetshme tё artit tё tij qё rron e pёrcillet mё tej sa herё qё kёnga dhe vallja labe kёrcehet e kёndohet”, – theksoi Tole.

“Sapo tё filloni tё shfletoni me kёrshёri faqet e kёtij libri, i cili nuk ёshtё shkruar siç shkruhen zakonisht librat. Para se faqet e kёtij libri tё ishin sё bashku, ato ishin tё shpёrndara fije-fije si pjesё e peizazhit kulturor qё Muhameti formoi me talentin, jetёn dhe veprimtarinё e tij krijuese mbi 50 vjeçare pёr njerёzit. Prandaj ato vijnё tek ne ashtu siç vijnё flora dhe fauna erёmirё e natyrёs shqiptare, tё cilat sjellin me vete gjithё elementet e botёs krijuese qё ka pёr autor Muhametin. Ajo ёshtё njё botё qё ju mirёpret krahё hapur, sepse krijuesi i saj ёshtё mbi tё gjitha njeri me zemёr tё madhe dhe me shpirt tradite e mik pritjeje. Muhameti mban emrin e profetit dhe si mbiemёr ka emrin e njё mali. Kёshtu ёshtё edhe jeta e tij. E lartё dhe e rёndё si mali nga rёndёsia dhe shpirtёrore, me paqe e bekim nga brendia e emrit tё Tij”, nënvizoi Tole.

Ndërsa mjeshtri i madh i poezisë popullore Lefter Çipa shprehet se  “Muhamet Tartari është poeti – artist i shquar i Labërisë së Madhe. Krijimtaria e tij poetike është aq e dallueshme sa krijimet më të mira të poetit të Luftës së Dytë Botërore nga trevat tona, Memo Meto. Talenti i tij për mishërimin e teksteve poetike në vallen magjike të Vranishtit, është një majë e pakapshme suksesi në këtë një qind vjetësh të fundit. Në artin e Fosforinës Vënçe Labe, Muhamet Tartari është pagëzuesi më i shquar i valles burrërore.”

Libri vjen me redaktimin e studiuesit prof. dr. Bardhosh Gaçe si dhe me hyrje të akademikut prof. dr. Vasil S. Tole dhe botohet nga Shtëpia Botuese Toena./atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme