‘Pusulla letre’, i autores Vera Bekteshi rrëmben çmimin letrar Kadare

27 Shkurt, 2022 - 9:25 pm

Këtë vit, edicionin e 7-të të Çmimit letrar Kadare, e ‘rrëmbeu’ mes 21 dorëshkrimesh romani “Pusulla letre”, i autores Vera Bekteshi me motivacionin: “ Për risinë stilistikore në shkrirjen e zërit të autores me atë të personazhit kryesor në një rrëfim të kthjellët dhe origjinal, edhe pse personazhi vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Ky rrëfim në vetë të parë vjen përmes një ligjërimi autentik të shkarkuar nga ngërçi i verigave të realizmit socialist, të vendosur në një regjistër leksikor të zgjedhur nga autorja.

Vepra shpërfaq autoren si mbijetuese të sprovuar, me një ind rezistence të admirueshëm në nivel sa jetesor, aq edhe artistik.”
c

Bekteshi bëhet shkrimtarja e parë fituese femër në gistorinë 7 vjeçare të këtij Çmimi. Në këtë projekt, që ka si qëllim inkurajimin e të shkruarit të prozës shqipe, kanë konkuruar deri tani afro 250 vepra dhe laureatë të tij kanë qenë pena të shquara dhe të reja në letrat shqipe si Rudolf Marku, Shkëlqim Çela, Musa Ramadani, Virgjil Muçi, Loer Kume dhe Gani Mehmetaj.

Vera Bekteshi është autore e disa veprave letrare si: ‘Një det i moçëm’ , ‘Ora me rërë,’ ‘Bella ciao’. Veçanërisht romani i saj autobiografik ‘Vila me tri porta’, ka shënuar një sukses letrar në vitet e fundit.

Çmimi letrar Kadare jepet nga Instituti Europian Pashko dhe mbështetet nga UET PRESS dhe Universiteti Europian i Tiranës. Top Channel /KultPlus.com

Të ngjajshme