Qendra ‘Sotir Kolea’, një hapsirë për lexim, krijimtari dhe inspirim

6 Gusht, 2025 - 11:10 am

Biblioteka Kombëtare ka hapur dyert e Qendrës “Sotir Kolea” për të gjithë ata që kërkojnë një vend të qetë, frymëzues dhe të përshtatshëm për punë intelektuale, lexim apo zhvillim idesh të reja. Nëpërmjet një njoftimi në rrjetet sociale, ajo ka ftuar publikun të shfrytëzojë këtë ambient bashkëkohor, i cili kombinon estetikën me funksionalitetin.

Qendra ofron kushte të favorshme për punë individuale, duke përfshirë wi-fi falas, hapësira të qeta, si dhe një atmosferë pa zhurmë, ideale për përqendrim maksimal. Ajo është krijuar për të qenë jo vetëm një vend për lexuesit e pasionuar, por për këdo që kërkon një strehë mendimi, reflektimi dhe krijimtarie.

Një nga veçoritë dalluese të kësaj qendre është salla e literaturës shumëgjuhëshe, ku gjejmë libra të ndarë sipas gjuhëve, nga gjermanishtja dhe italishtja, te greqishtja e lashtë, latinishtja dhe gjuhët orientale. Kjo pasuri gjuhësore dhe kulturore e bën Qendrën “Sotir Kolea” një pikë referimi për studiuesit dhe të apasionuarit pas kulturave të ndryshme.

Stafi mikpritës dhe profesionist është gjithmonë i gatshëm të ndihmojë vizitorët, qoftë për të gjetur materialin e nevojshëm, apo për të orientuar drejt burimeve që ndihmojnë në zhvillimin e projekteve akademike apo krijuese.

Biblioteka Kombëtare thekson se kjo qendër nuk është thjesht një vend për studim, por një hapësirë e hapur për dialog kulturor dhe shkëmbim idesh. Ajo është një dëshmi se kultura dhe dijet nuk janë privilegj, por një nevojë e përbashkët që na bashkon dhe na zhvillon./KultPlus.com

Të ngjajshme