Qindra botime të Institutit i dhurohen Ministrisë për Sistem Politik

25 Dhjetor, 2020 - 11:26 am

Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Skender Asani, zhvilloi një vizitë në Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, me ç’rast u prit nga ministri i saj dhe njëherësh zëvendëskryeministër i parë i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi.
Drejtori Asani, i dhuroi afër 100 tituj – botime të Institutit, të cilat do të mbushin raftet e bibliotekës së objektit të ri të Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive.

Përmes këtyre librave, Asani njëkohësisht prezantoi edhe punën e ITSHKSH-së gjatë këtij viti kalendarik, i cili ndonëse në kushte të jashtëzakonshme pandemie, megjithatë ishte mjaft produktiv në shumë segmente, e posaçërisht në atë të botimit.
Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë, Artan Grubi, falënderoi drejtorin Asani për këtë dhuratë të çmuar, dhe njëkohësisht uroi për punën e palodhshme në drejtim të promovimit të vlerave kulturore e shpirtërore të shqiptarëve, si dhe zbardhjes së të vërtetave të cilat deri më tani kanë qenë të panjohura për opinionin shkencor.
Njëkohësisht iu dhurua edhe një CD nga filmi dokumentar kushtuar figurës emblematike të botës shqiptare, Parashqevi Qiriazi, një prodhim i Institutit i mbështetur nga Ministria e Kulturës, i cili më 17 dhjetor u emitua në UNESCO. /itshksh/ KultPlus.com

Të ngjajshme