QKLL shpall 2024-ën vitin e Lasgush Poradecit

12 Shkurt, 2024 - 3:27 pm

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shpalli vitin 2024 si Vitin e Lasgush Poradecit, në 125-vjetorin e lindjes së poetit. Përmes mbrëmjeve poetike, konferencave, aktiviteteve në shkolla e librari, takimeve me të rinj, QKLL do të sjellë më pranë lexuesve figurën e poetit që e lartësoi gjuhën shqipe.

Drejtuesja e QKLL, Alda Bardhyli priti në mjediset e kësaj qendre, Marian, vajzën e poetit tonë kombëtar, Lasgush Poradeci, me të cilën bisedoi mbi punën e jashtëzakonshme të realizuar prej saj, për zbardhjen dhe koleksionimin e letërkëmbimeve të poetit me personalitete të njohura të kohës si Skënder Luarasi, Gjergj Bubani, Mitrush Kuteli, Eqrem Çabej, etj.

Pjesë e arkivit të Poradecit, këto letërkëmbime do të vijnë së shpejti në një botim të dedikuar, nën kujdesin e Marias dhe mbështetjen e QKLL-së.

“Koha vendos në vend gjithçka. Për gjërat e mëdha duhet një kohë e gjatë për vleftësimin e tyre. E kohë e gjatë është ajo kohë e cila muros, e bën monument vlerat e kulturës sonë kombëtare”, shkruan Lasgushi në një letër drejtuar Mitrush Kutelit, shprehje të cilën e kujtoi Maria, gjatë bisedës me drejtoreshën e QKLL. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme