“QKLL” shpall projektin për mbështetje financiare në fushën e librit dhe leximit

17 Shkurt, 2021 - 3:21 pm

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka bërë publike thirrjen për paraqitjen dhe marrjen pjesë në projektet në fushën e leximit dhe librit. Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit për të mbështetur librin shqip ka bërë publik anoncimin e fillimit të këtij projekti dhe ka lajmëruar të gjithë të interesuarit që të bëhen pjesë e këtij projekti.

QKLL-ja harton programet dhe financon projektet në fushën e librit, QKLL-ja shpall thirrjen për mbështetje financiare për projekte në fushën e librit dhe leximit 2021. Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit fton të gjithë të interesuarit, persona fizikë ose juridikë, që të paraqesin projektet e tyre të shoqëruara me dokumentet përkatëse, të cilat duhet të dorëzohen të paktën 30 ditë përpara se të fillojë zbatimi i projektit. Sipas QKLL, procedura përbëhet nga dy faza.

“Faza e parë: dorëzimi i dokumenteve të aplikimit, të cilat përfshihen në formularët përkatës për persona fizikë, ose juridikë, bashkëngjitur kësaj thirrjeje. Pas shqyrtimit dhe vlerësimit të dokumentacionit, aplikuesi i projektit fitues do të njoftohet me email dhe do të informohet mbi detajet e tjera të procedurës. Faza e dytë: aplikuesi fitues do të vazhdojë me dorëzimin e dokumenteve që vërtetojnë zhvillimin dhe mbylljen me sukses të projektit përkatës”.

Kjo qendër bënë të ditur gjithashtu se rezultatet do të bëhen publike vetëm pas 30 ditëve dhe se shuma e ofruar për këtë projekt është 500.000 lekë. Kriter kryesor dhe i panegociueshëm është publikimi për herë të parë i materialit artistik në këtë aktivitet.

Projekti i mbështetur nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në Shqipëri ka për qëllim zhvillimin dhe afirmimin e veprave të reja dhe të autorëve të rinj të cilët kanë dëshirë që të bëhen pjesë e botës së shkrimit. Suporti do të jetë i vazhdueshëm sepse edhe ngritja e kësaj qendre kishte pikërisht këtë fakt për qëllim, meqenëse sidomos emrat e rinj të letërsisë shqipe po shpreheshin se po hasnin shumë vështirësi për të depërtuar në treg për shkak të vështirësive menaxhuese apo edhe ato ekonomike./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme