QKLL shpall tre fituesit e Fondit të Krijimtarisë Letrare për Fëmijë

13 Qershor, 2025 - 3:33 pm

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ndau sot vlerësimet për fituesit e Fondit të Krijimtarisë Letrare për Fëmijë për vitin 2025.

Mes 19 dorëshkrimeve juria përzgjodhi tri vepra:

“Enigma e Kësulës së Kuqe” me autor Ermir Nika, me motivacionin: “për një lojë intertekstuale postmoderne të përrallës së Kësulkuqes që vjen e dekonstruktuar natyrshëm dhe që nxit më tej kureshtjen dhe imagjinatën e lexuesve të vegjël përmes një rrëfimi të zhdërvjellët dhe domethënës”.

“Iliri dhe Lepurushi zbulojnë kopshtin zoologjik magjik”, me autore Flogerta Krypi, me motivacionin: “për sendërtimin e një përralle edukative që kultivon raporte të gjalla mes fëmijëve dhe botës së kafshëve, për vlerat didaktike në formësimin psikologjik dhe emocional të fëmijëve, që vijnë natyrshëm përmes të gjithë elementeve që përmban libri”.

“Dhjetë pyetjet e Ardenit që pritnin përgjigje”, me autore Raimonda Belli Gjençaj , me motivacionin: “për gjetjen tematike që provokon botën e fëmijëve sot, për një regjistër të hollë humori në rrëfim dhe për jetësimin e vlerave të librit dhe dijes njerëzore tek fëmijët”.

Juria kryesohej nga dr. Albert Gjoka dhe me anëtarë Irena Prici dhe Flori Kasaj. Fondi i Krijimtarisë Letrare për Fëmijë, çdo vit, u jep mundësinë 3 autorëve të letërsisë për fëmijë të botojnë veprat e tyre./ KultPlus.com

Të ngjajshme