Qyqja, shpendi metaforik i vetmisë

2 Gusht, 2020 - 3:54 pm

Shënime në kohë pandemie

Nga Ibrahim Berisha

Edhe nëpër Kosovë një shpende bën thirrje që përgjason me emrin e saj, zë ky kozmpolitan po edhe edhe shembull shkollor onomatopeik.

Thonë: Kush e dëgjon i pari në pranverë këngën e saj, nuk do ta dëgjojë pranverën tjetër.

Qyqja, specie paralajmëruese, shpend i dhimbjes, lë pas jehonën alarmuese. Kushdo që i lutet ajo do t’i tregojë gjatësinë e ditëve dhe viteve të jetës. Kështu: “Qyqe, qyqe, kraht shkrue/ pash tye, pash mue/ edhe sa vjet kam me jetue”.

Fëmijët, nëpër dega e shkurre, e kërkojnë ta shohin, por ajo nuk duket, sa do që është e pranishme ngamosç gjithkund e askund. E përhershme.

Atëherë rishfaqet profili trazues i lutësit, i cili ende pret më mëdyshje e kurreshtje zgjatjen e vajeve, premtimeve po edhe lajmin përfundues. Sa klithma, aq vjet leje janë caktuar për lutësin nga ky shpend me zërin më të pikëllueshëm se loti i pishës. Ndoshta pse është gjithmonë e vetmuar dhe lë pas ndonjë ve të pashoqe, për të dalur nga ajo gëzhojë e brishtë, fryti i saj i plogshtë, rritur shumë – shumë vështirë.

Jo kot thonë: “Është bë si voja e qyqes!”.

Siç është shënuar edhe në mitologjinë shqiptare, në përralla, legjenda dhe këngë, ndërsa duket që këndon, ajo vetëm vajton vëllëzërit e saj, harrimin dhe kohët e liga, ëndrrat e parealizueshme dhe të papërsëritshme.

Zakonisht, qyqja këndon në vende të ngrehura më lart në drunj, në brigje dhe kodra.

Kur vjen ky shpend, duket edhe kali i qyqes.

Besohet se kali i qyqes duket më përpara qyqes. Është paralajmërim për ardhjen e shpejt të saj.

Është shënuar edhe në revistën famoze Bota shqiptare (1943), se jetojnë shumë legjenda për shpendin qyqe. Legjendën e plotë nuk mund ta përmbledhë as ky rrëfim në revistën kulturologjike: Qyqja dikur ka qenë vajzë. Ka pas dy vëllëzër. Vëllaut të madh i thoshin Qurku e të voglit Kuku. Të tre ishin jetimë dhe rronin nga bagëtia.

Dy vëllezërit pasi qethen një verë dhentë, vajtën për të pushuar nën një lis. I mashtroi një blegrimë dashi. Kuku e kërkoi dashin, por nuk e gjet, sepse ajo ish vetëm një blegërimë shejtani. Dy vëllezërit pastaj u grindën mes veti pse dashi blegërinte e nuk po gjendej. Qurku, me gërshanë të qethjes e therri Kukun. I tromqur nga pendimi, pastaj theri edhe vetën. Barinjtë i varrosën në një ledh. Motra sa ndjeu fatkeqësinë, u bë qyqe. Doli ta vajtojë anëve të botës fatin e zi të vëllezërve që kishin një beagti dhe mirësi derisa ishin bashkë dhe punonin për fatin e tyre. Kishin një lumturi të ardhshme si vëllezër, por u hyri në mes shejtani. Shejtani ua vuri vrasjen në mes, për të ndërtuar legjendën e fatkeqësisë së përhershme të motrës, e cila me pafuqinë e vet, përgjithmonshëm, edhe sot e kësaj ditë, vajton e kërkon dy vëllezërit e saj, Qurkun dhe Kukun.

Në revista për letërsi e art Shkëndija (1941) po në këtë temë, shkruan: “Motra tha: Bëmë një shpend të fluturoj, nga çdo anë e botës së gjerë, për të kërkuar vëllezërit e mi, ku janë tretur. Më jep një zë që të përmend dhe të shqipërojë, gjithnjë dhe kudo, vetëm emrin e këtyre. Pa ta s’mund të rroj dhe as që më vlen jeta.

E, vetme, unë Qyqe, nuk e dua jetën”.

Studiuesi i folklorit Anton Çetta në vitin 1969 nga Shaqir Sopaj në Llapushnik të Drencës ka shënuar gojëdhënën Qyqja (Çetta 1983:309). Është e përafërt me

gojëdhënën e Kalasë së Rozafatit. Nëntë vëllëzërit të vetmen motër e martojnë larg, ata desin nga dergja dhe për të mbajtur fjalën e dhënë, vëllau më i vogël, me erën e dheut, shkon e merr e sjell në derë të oborrit, ku shtëpia ishte rrëxu dhe nana e vetme mbetur, kur e sheh, e pyet qikën: Kush t’pruni? I përgjigj ajo: Halili. Vllau i vogël.

I tregon nana se nantë vëllaznit kanë dekë qe sa vjet. Motra e lutë të madhin Zot: “He Zot, banëm qyqe rrem n’rrem me knue për nan vllazën”.

Thotë gojëdhana: “E sot e at dit gjith knon, n ‘deg t’njom nuk rrin, veç ku a lisi i thatë”.

Qyqja shtegton vetëm natën. Dimrin e kalon në vende të ngrohta. Nga Evropa nisë e largohet në gusht, për t’u rikthyer në prill. (Ëernham, 2002)

Por, është gjynah me vra qyqen.

Legjendat dhe këngët edhe në Ballkan janë plot me shkaqe të shndërrimit të motrës në qyqe. Asnjëherë të vëllaut në qyq. Një kësi transformimi gjendet edhe në këngën Motra e Hasan Agës. Versione të kësaj kënge krahas në shqipe, ndeshen edhe në gjuhët sllave, veçmas në atë boshnjake. Por, kënga në gjuhën shqipe, po me motiv të vrasjes së vëllaut nga “Dymbdhet’ pushk’ …” , e thotë: ”Kjau e briti çika dit’ e natë:’/- Banm’ o Zot qyqe! – çika ka thanë.\Flaturim qyqe qenka çue.\ Rrem më rrem gjithmon’ ka knue!”

Megjithatë, pse gjithmonë vetëm çika?!

Një botë e habitshme shpeze, kjo e shpendit metaforik. Zogu i qyqes që lindë o çelë në folenë e huaj, nuk e njeh nënën e tij, por njerkën e di për nënë të vërtetë. Ai lindë para zogjëve të nënës së huaj vetëm për dymbëdhjetë ditë nga vendosja në fole të huaj nga nëna e vërtetëe. Ua ha ushqimin zogjëve për të cilët prindët bëjnë mund t’ua sjellin rregullisht. Pastaj i largon krejt nga foleja. Një ditë kur bëhet e

zoja për të fluturuar lë folenë e njerkës dhe nisë e këndon nëpër degët e thata të lisit. Njësoj sikur gjithë qyqet e botës.

Qyqja nuk ndërton fole të vet.

Shpend që e lë vezën në folenë e zogjëve tjerë, prandaj simbolizon edhe parazitizmin!

Po në fakt, nuk shihet relaconi tjetër. Ajo është bota më e braktisur e shpendit nga të gjitha dhe kërkon të humburen e përhershme, dashurinë dhe ngrohtësinë e përkatësisë llojit të vet.

Në anë të ndryshme të globit, që nga Japonia e India, pakashume njëjtë është ndërtuar legjenda për shndërrimin e motres në qyqe.

Ps. Motra mbetet gjithmonë besnike e pathyeshme, por edhe vëllëzërit në asnjë rast nuk harrojnë premtimin, njohur ndryshe si fjalë e dhënë, apo besë për t’iu gjetur gjithmonë afër motrës. Edhe, qyqja jeton e jeton, kjo metaforë e vetmisë po aq edhe e dashurisë së përjetshme. Pasi në secilën dashuri të madhe ka edhe vetmi të madhe. / KultPlus.com

Të ngjajshme