Ramë Oraca publikon përmbledhjen “Kandar i Ndryshkur”: Ose s’di të shkruaj për dashurinë, ose kam shkruar tepër për dashurinë

9 Shtator, 2020 - 1:15 pm

Lapsi i tij ka pushuar së shkruari për dashurinë. Sipas tij ose sepse s’di të shkruaj për të, ose sepse ka shkruar shumë. Krijimtaria e tij fokusohet në tema si koha, vetja, tjetri. Pikërisht duke trajtuar këtë trekëndësh, shkrimtari Ramë Oraca sjell përmbledhjen me mbi 40 tregime me emër ‘’Kandar i ndryshkur’’, shkruan KultPlus.

Përbrenda përmbledhjes, botues i së cilës është Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, gjendet edhe tregimi me po këtë emër “Kandar i ndryshkur”, i cili krahas tregimeve tjera të shpërblyera, ka arritur të fitoj çmimin e parë “Lulëkuqet e Prillit” në një manifestim letrar në Dardanë dhe çmimin e parë në organizimin vjetor të Bibliotekës së Prizrenit.

“Nuk e ka titulli i librit këtë kandarin e pazarit, ka të bëj me peshoren e shpirtit, sa ne kemi arritur ta peshojmë shpirtin tonë me të drejtën, ta peshojmë në realitet tjetrin, për ta njohur vetveten”, thotë për KultPlus, autori i librit “Kandar i Ndryshkur”.

Kandari sipas tij është i ndryshkur, ndërkaq këtë ai e sheh në kontekst kohor. “Diçka që është e prishur nga koha, që nuk po mat mirë, që na ka humb peshorja të gjithëve duke u nisur nga ajo kohore, shpirtërore, emocionale e të tjera’’, ka thënë Oraca për KultPlus, ku autori marrëdhëniet ndërpersonale i lidh me çështjen e njohjes së vetes dhe tjetrit. Madje ai ndalet te “rinjohja”, ashtu siç ai iu referohet, në rastet kur njeriu mendon se e njeh dikë, por i del e kundërta.

“Në rinjohje tenton ta dekodosh-njohësh tjetrin por, prapë në njëfarë mënyre nëse s’ka qenë përbrenda vetvetes kurrë s’do ta njohësh të tërin. Problemi është në ty, në mua, në secilin prej nesh sepse ne duhet të kryejmë pazarin me veten dhe pikërisht kjo është ndryshkja që e kam quajtur “, shprehet më tej për KultPlus Oraca.

Personazhet e tij Ramë Oraca i njeh mirë sepse ata nuk janë fiktiv, por të gjallë, real, që i ka takuar ndërkaq, në letërsi mbështillen me petkun figurativ.

“Janë personazhe tona, të mentalitetit tonë, flasin me gjuhën tonë dhe tregimet janë që ecin nëpër tokë”, thotë Rama.

Personazhet vijnë nga rrethina e qytetit të Podujevës dhe sipas tij lexuesit e asaj ane shpesh e deshifrojnë se për kë po bëhet fjalë përgjatë leximit.

‘’Unë jam shumë i bindur që do ta bëjnë jetën e tyre brenda kopertinave të librit, brenda kujtesës së lexuesit”, thekson shkrimtari podujevas.

Krijimtaria e tij letrare kryesisht është shtrirë mbi tematikën e kohës, duke marrë diçka nga e kaluara, duke frymuar në të sotmen dhe duke tentuar të lë diçka për të ardhmen.

 “Asgjë brenda gjithë krijimtarisë time letrare nuk do të doja ta shtjelloja ndryshe përveçse kohës, dhe e kam lënë që vet emocioni të referoj nëpër kohët e tjera”, thekson Ramë Oraca.

Oraca mendon që nuk ka pasuri më të madhe sesa gjetja e vetes, madje nuk mund të ketë një njohje të tjetrit pa këtë të parën dhe pikërisht duke qenë vetja ne kemi zgjedhur edhe një përkatësi.

“Unë shpesh e them ne përpiqemi, kemi lexuar, shkruar, kemi parë filma, shfaqje dhe gjithmonë brenda këtyre temave të caktuara shpesh jemi identifikuar me ndonjë personazh atje. Shpesh kur kemi parë ndonjë fotografi, ndoshta të një miku apo mikeshe, kemi dashur të jemi pjesë e asaj por ja që s’jemi, sepse ne kemi dashur t’i takojmë vetvetes”, thekson shkrimtari Oraca.

Mungesën e dashurisë në shkrimet e tij i kanë dalluar edhe lexuesit dhe kritikët letrar, ndërkaq ai ka një shpjegim për këtë.

“Është interesant, unë them shpesh se ose s’di të shkruaj për dashurinë, ose kam shkruar tepër për dashurinë dhe sikur ata krojet e shpirtit nuk burojnë më diçka, jo që shterojnë, jo që ka humbur ajo dashuri, por unë brenda vetvetes kam disa probleme në krijimtarinë time që ta gjej veten brenda vetvetes, brenda konceptit tonë kohor”, ka thënë Oraca.

Oraca beson se nuk ka vepër të përfunduar plotësisht, sepse autori secilën herë mund t’iu rikthehet veprës, dhe beson se secili letrar duhet të “shkarkoj” potencialin krijues.

“Duhet të jesh paksa i habitur që të shkruash një libër dhe të mos i takosh këtij normaliteti tonë kohor, jo të mos jesh normal, por unë them nganjëherë krijuesit kanë veçori, specifikë dhe dallojnë nga njerëzit e përditshëm”, vlerëson Rama.

Për Oracën e rëndësishme është të vdesësh si njeri, e këtë mund ta arrish vetëm me shumë punë dhe angazhim.

“Unë them nganjëherë ‘O Zot shyqyr që ka mbet një pikë fuqi në trupin, shpirtin tim dhe me atë të vdes si njeri’. Përpiqem që gjithë energjinë time që e kam për ta harxhuar për krijimin e një libri, të jem vetvetja, vetëm që të vdes si njeri”, thekson Oraca.

Rama përveç që është i njohur për lapsin e tij, ai një kohë është marrë edhe me teatër, duke qenë skenarist, regjisor e aktor. Madje, dashuria e tij për teatrin është shprehur edhe në emërtimin e librit të tij të parë me titullin “Teatri Memec”. Ndërkaq nga të gjitha shfaqjet që ka realizuar, më e mira për të mbetet komedia “Ajshja” e Adem Mikullovcit, në të cilën ka qenë aktor dhe regjisor në kohën sa ishte maturant, gjatë viteve 77-78.

“Kurrë nuk e harroj, si i ri, atëherë gjithmonë e kemi pasë dilemën a do të pëlqehet shfaqja, a do të ketë shikues, ose kush do të na shikoj. Por të nesërmen, jemi ndjerë si heronj kur kemi ec nëpër rrugët e Podujevës, kur e kemi ditë që na kanë shikuar të gjithë ata shikues”, shprehet me mallëngjim kontributdhënësi i Teatrit.

Poezia ‘’Lum Lumi’’ e Ali Podrimës kishte arritur të krijonte ndjesi te shkrimtari Oraca. Kësisoj, ai bëri dramatizimin e poezisë dhe regjinë e shfaqjes në vitin 94, e cila ka rrëmbyer çmime në Festivalin e Teatrove Amatore në Preshevë dhe Prizren. Ndërkaq, në kohën kur institucionet kulturore ishin të uzurpuara nga okupatori serb, vendi i shfaqjes së kësaj drame nuk ishte Teatri.

“Xhaminë e kemi shndërruar në teatër, nuk ka xhami në Llap që nuk është shfaqur Lum Lumi i Ali Podrimës. Nuk kemi pasë hapësirë, talentet tona aty janë shfaqur”, shprehet regjisori i shfaqjes Lum Lumi.

Shfaqjen e cila u realizua me tematikë e frymëzim të poezisë kushtuar djalit të tij, Ali Podrimja kurrë nuk e pa për shkak të ndjeshmërisë së saj për të, anipse nuk u kursye në komplimentim të saj.

“Kam marrë fjalët më të mira të mundshme prej tij, më ka kërkuar falje që nuk ishte i pranishëm asnjëherë, por nuk mund të vinte ta shihte atë shfaqje nga afër “, shprehet Oraca teksa kujton bisedën me Ali Podrimën.

Ramë Oraca është autor i librave: “Teatri memec” (1995), “Fat i pa emër” (1997), “Midis dy vdekjeve” (2000), “Kënga e këputur” (2016), “Jeta në Libër” dhe së fundi “Kandar i ndryshkur”. Që nga viti 2000 është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, ndërsa anëtar kryesie është që nga viti 2017. Njëherit është fitues i disa çmimeve letrare për prozë e poezi nëpër manifestime të ndryshme letrare./ Medina Pasoma/ KultPlus.com

Të ngjajshme