Ramush Haradinaj në Javën e Bibliotekës në Kosovë: Qeveria e Kosovës vjen pak si e turpëruar para jush

10 Prill, 2018 - 2:51 pm

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” sot filloi edicionin e 16-të të veprimtarisë kulturore “Java e Bibliotekës në Kosovë”, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Në ceremoninë që u hap në Hollin e Bibliotekës të këtij edicioni ishin shumë të pranishëm figura zyrtare e njerëz që kanë kontribuar e kontribuojnë çdo ditë në gjendjen e bibliotekave në Kosovë. “Arsimimi dhe trajnimi bibliotekar” është tema që hapi edicionin e këtij viti.

Në ceremoninë hapëse fjalën e mori Fazli Gajraku, drejtor i Bibliotekës Kombëtar të Kosovës, i cili me këtë rast falënderoi bashkëpunëtorët që e kanë mbështetur deri më tani këtë organizim dhe të pranishmit që erdhën në hapjen e këtij edicioni të “Javëve të Bibliotekë në Kosovë ndërsa falënderoi bibliotekarët, botuesit, lexuesit dhe personat me aftësi të veçanta që japin aq shumë dashuri për të tërhequr komunitetin e njerëzve të bibliotekave. Gajraku shtoi se kjo është veprimtaria më e rëndësishme për bibliotekat e Kosovës, që bashkon shumë njerëz e biblioteka në një vend.

“Nëpërmjet kësaj veprimtarie kërkojmë që të arrijmë suksesin një fushatë ndërkombëtare për të arritur përkrahjen dhe ndërgjegjësimin e komunitetit të Kosovës por edhe për të njohur kontributet e vlefshme të të gjithë punonjëse të bibliotekave, donatorëve , financuesve institucional”, u shpreh Gajraku në fjalën e tij.
Ai krejt në fund tha se këtë vit do të diskutohet për temën “Arsimimi dhe trajnimi bibliotekar” , ndërsa në kuadër të këtij edicioni do të kërkohet përgjigje ndaj pyetjeve të vështira lidhur me çështjet shqetësuese.

“Kemi zgjedhur këtë temë për shkak se na duhet dije teorike për shkak të një përgjegjësi të madhe që kemi që të mos na bëjmë me faj nesër se si jemi sjellë për mbledhjen dhe ruajtjen e trashëgimisë letrare. Ne mund të mësojmë nga dija dhe përvoja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës” u shpreh Gajraku.
Menjëherë pas tij fjalën e mori, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i cili tha se Qeveria e Kosovës ndihet e turpëruar për shkak të kohës së paktë që iu kushtojnë bibliotekës e librit ndërsa tha se është falënderues ndaj atyre që edhe në kohëra të vështira kanë kontribuar për bibliotekat dhe librat.

“Kemi pasur një vakum dhjetëvjeçar para luftës , gjatë luftës, pas shkatërrimeve të luftës dhe në kohëra emergjente dhe fati ynë ka qenë se në këto kohëra nuk jemi ndodhur vetëm pasi kemi pasur ndihmën e Ambasadës së Amerikës”, tha Haradinaj.
“Qeveria e Kosovës vjen pak si e turpëruar sot para jush për faktin se jo shumë kohë e vëmendje i kushtojmë bibliotekës dhe librit dhe aktiviteteve që na bëjnë nder dhe ndjejmë obligim. Ky objekt lëngon në kuptimin se ka pengesa funksionale por shpresoj që se shpejti do t’i qasemi”, tha tutje Haradinaj.

Menjëherë pas tij fjalën e mori ministri i Kulturës, Kujtim Gashi i cili tha se ndihet i kënaqur që është pjesë e hapjes së “Javëve të Bibliotekës së Kosovës”. Ai shtoi se ky aktivitet që zhvillohet me traditë prej gjashtëmbëdhjetë vite ka arritur që të zhvilloi dhe trajtoi tema e problematika të ndryshme nga fusha të ndryshme. Ai po ashtu shtoi se MKRS është e angazhuar që të përmirësoi gjendjen momentale të Bibliotekës së Kosovës.

Ambasadori amerikan Greg Delawie tha se ndihet i gëzuar që është sot këtu pasi që bibliotekat dhe personeli i tyre janë thelbësorë për edukimi e qytetarëve të Kosovës. Ai tha se shpreson se kjo javë paraqet pikënisje shumë të mirë për bibliotekat për fillimin e një sistemi trajnues të qëndrueshëm dhe afatgjatë për bibliotekarin në Kosovë.

“Bibliotekat u ndihmojnë studentëve që ta përmirësojnë mësimnxënien dhe i mbështesin mësimdhënësit gjatë mësimdhënies dhe hulumtimeve të tyre, për këtë arsye edhe i kemi mbështetur “Javët e bibliotekës prej fillimit të tyre. Kam vizituar disa biblioteka në Kosovë dhe mund të them se të gjithë ata që i kam takuar, kam parë që ata e bëjnë me pasion punën e tyre, natyrisht iu duhet edhe investime dhe përkrahje më të mëdha”, tha Delawie.

Po ashtu në këtë edicion u ndanë edhe mirënjohje për bashkëpunëtorët e BKK
Ky edicion organizohet në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Ambasadën e SHBA-së e OJQ ndërsa do të zgjas deri më 14 prill ./KultPlus.com

Të ngjajshme