Reagime në Austri pas pasaportës së Handkes

8 Nëntor, 2019 - 9:30 am

Një fotografi e cila tregon një pasaportë jugosllave të shkrimtarit kontrovers austriak dhe fituesit të çmimit Nobel për Letërsinë, Peter Handke, ka nxitur reagime në mediat austriake.

Siç ishte bërë e ditur, në vitin 1999, në kohën e fillimit të rënies së regjimit të Sllobodan Millosheviqit, Handke mori një pasaportë të RFJ-së si dhuratë, dhe gjithashtu shtetësinë jugosllave.

“Këto ishin periudha shumë polarizuese për Handke, dhe ndërsa pikëpamjet e tij pro-serbe ishin të njohura në atë kohë, po shpalosej një kapitull i jetës së tij që nuk është bërë publike deri më tani”.

“Më 15 qershor 1999, shtatë ditë pasi emisioni u transmetua, Handke mori një pasaportë RFJ nga Ambasada e RFJ-së në Vjenë. Pasaportat u lëshohen vetëm shtetasve, duke çuar në përfundimin se Handke është shpallur shtetas i RFJ-së”, kishte shkruar The Intercept.

Dhe lidhur me këtë, mediat austriake kanë “ngritur shqetësimin” nëse Handke gëzonte gjithashtu shtetësinë austriake, përcjell Telegrafi.

“Një pasaportë jugosllave e lëshuar për Peter Handke në vitin 1999 shkaktoi një trazirë – dhe më në fund vuri autoritetet në lëvizje. Platforma në internet Intercept kishte raportuar për një pasaportë. Guvernatori krahinor i Carinthia, Peter Kaiser (SPÖ), më pas urdhëroi zyrën rajonale që të ‘kontrollonte situatën’ menjëherë”, shkruan Tiroler Tageszeitung.

“Një foto e dokumentit nga arkivi privat i mikut të Handke, Hans Widrich, ka qenë në dispozicion për një kohë të gjatë në internet në faqen e internetit të Arkivit të Handke në Bibliotekën Kombëtare Austriake”, shkruan ndër tjerash mediumi austriak.

Por çfarë “i shqetëson” mediat austriake është fakti nëse shkrimtari gëzon tanimë shtetësi austriake.

Sipas tyre, një përjashtim nga ndalimi i shtetësisë së dyfishtë është i mundur vetëm nëse austriakët që dëshirojnë të bëhen shtetas të një vendi tjetër, kërkojnë leje për të mbajtur nënshtetësinë e tyre austriake, e cila është e mundur vetëm në raste të jashtëzakonshme.

“Handke nuk e ka bërë kurrë këtë kërkesë”, citohet të jetë thënë nga autoritetet austriake”. /Telegrafi /KultPlus.com

Të ngjajshme