Recension i librit ‘Martesat, valixhet dhe ngarkesat e tjera’ të autores Vlora Konushevci

4 Shtator, 2025 - 7:33 pm

Nga Driton Gashi

Sa herë në jetën tonë të përditshme ballafaqohemi me dukuri jo të mira, besa të vrazhda e anakronike?

A jemi ndalur të mendojmë për një çast se në çfarë rrethanash na janë ngulitur disa “tradita” e “zakone”, të cilat na përcjellin pothuajse deri në ditët e sotme?

Sa kemi qenë të vetëdijshëm dhe të sinqertë për zhvlerësimin, nënçmimin, dhunën verbale e fizike që u shkaktohet grave në kulturën tonë?

Pikërisht për këto tema e shumë të tjera të këtij lloji bëjnë fjalë njëmbëdhjetë tregimet unike të librit “Martesat, valixhet dhe ngarkesat e tjera”, të shkruara me mjeshtëri të rrallë letrare nga poetja, eseistja dhe përkthyesja Vlora Konushevci.

Që në rreshtat e tregimit të parë, të titulluar “Kometa”, lexuesi e ndjen se këtu kemi të bëjmë me rrëfime të jashtëzakonshme. Nga perspektiva e një fëmije mësojmë për fatin e një gruaje të shkurorëzuar, e cila nga fqinjtë në lagjen e saj shihet si të kishte zbritur nga një planet tjetër. Përballet me aq shumë paragjykime, të cilat shkaktojnë konfuzion te fëmijët. Duke qenë nga natyra të sinqertë e të padjallëzuar, ata nuk shohin diçka abnormale te gruaja që ishte e ndarë nga burri. Përkundrazi. Gruaja është shumë “normale”, e cila me gjithë sfidat e vështirësitë që konfrontohet, mundohet që vajzës së saj dhe vetvetes t’ja krijojë një ambient dinjitoz për të jetuar. Por kjo gjë nuk është edhe aq e lehtë në një ambient të pavolitshëm për vendime individuale. I gjithë llumi i kolektivitetit i bëhet pengesë e madhe, pothuajse e patejkalueshme një gruaje shumë të fortë e të vendosur, për t’i realizuar qëllimet e saj.

Autorja Konushevci ia del t’i trajtojë në veprën e saj me një humor të hollë e me një cinizëm thumbues pritshmëritë tradicionale, të cilat nuk manifestohen vetëm nga burrat, por edhe nga vetë gratë. Me mendësinë patriarkale, si duket janë edukuar e socializuar breza të tërë, burra e gra, vajza e djem, bile edhe fëmijë. Më e keqja është se misogjinia konsiderohet si diçka e rëndomtë, diçka që nuk ndëshkohet, diçka që lidhet me kulturën tonë. Sidomos kur urrejtja ndaj grave shprehet në mënyrën më të vrazhdë, kur ato ofendohen e

denigrohen me fjalë më të ulëta ose kur ushtrohet edhe dhunë fizike ndaj tyre, siç ndeshemi me shumë emocion në tregimin “All-Starkat”.

Edhe tregimet në vijim përshkruajnë situata të përditshmërisë, në të cilat skicohet letrarisht pozita e grave në shoqërinë tonë. Ato duhet të kujdesen për të mirën e gjithë familjes, të jenë nëna e bashkëshorte perfekte, nuse të dëgjueshme për vjehrrat, kuzhiniere të talentuara, infermiere në rast sëmundjeje e shumë e shumë role tjera, të cilat u imponohen nga familja e nga shoqëria. Burrat nuk kanë fare merak të heqin dorë nga pozita e të privilegjuarit, ngase janë mësuar që në fëmijëri se gratë janë ato që do kujdesen për ta tërë jetën. Do t’u lajnë rrobet, do t’u gatuajnë, do të marrin përgjegjësinë më të madhe për fëmijët, për prindërit, mysafirët etj. etj.

Se nën çfarë presioni gjenden shumë gra të shoqërisë sonë, për të qenë amvise perfekte me shtëpi të pastër e të rregulluar dhe për t’u prezantuar te të tjerët si familje e përsosur, e kuptojmë definitivisht në tregimin “Fruta të plastikës”. Autorja e përshkruan aq bukur dhe me detaje të këndshme shtëpinë e vjehrrës së saj para se t’i vijnë mysafirët e ftuar. E për këta mysafirë duhet kujdesur nusja e djalit, natyrisht. Kush tjetër? Muhabete plot kotësira, që zakonisht i karakterizojnë vizitat e tilla, por edhe thumbime tendencioze në drejtim të nuses, e cila nuk ka fëmijë, si duket e skicojnë një vizitë të tillë tradicionale. Një “mbledhi”, në të cilën parimisht duhet përmbushur pritshmëritë e të tjerëve, pa marrë parasysh si qëndron realiteti i asaj familjeje. Rrethi shoqëror e përcakton se si duhet të jetosh në shtëpinë tënde, çfarë mobilesh të kesh, ku t’i kalosh pushimet e si ta organizosh jetën tënde bashkëshortore. Një titull i zgjedhur për mrekulli nga autorja, i cili simbolizon këtë “farsën” tonë plot çudira.

Duhet veçuar patjetër edhe guximin e autores për të trajtuar tema jo aq të popullarizuara, por që janë goxha relevante për një shoqëri fragjile dhe në tranzicion. Sidomos varësinë e të rinjve nga lëndët narkotike dhe barrën e madhe të përkujdesjes dhe përgjegjësisë ndaj tyre, e cila kryesisht i bie nënave, e kuptojmë më mirë në tregimin “Tri dhoma”). Pastaj ballafaqimi me sëmundjen e kancerit te gratë në tregimin “Posteri”, gjë që në shoqërinë tonë injorohet plotësisht. Autorja i ofron lexuesit një qasje aq njerëzore ndaj kësaj teme të rëndë, pa elemente melodramatike, por me shumë respekt dhe dinjitet.

Duke i lexuar tregimet njërin pas tjetrit, lexuesi fiton përshtypjen se ata kanë shumë lidhshmëri përmbajtësore me njëri-tjetrin. Në fund të krijohet ndjesia se e ke lexuar një novelë të vetme. Natyrisht se edhe zhvillimet politike e shoqërore në Kosovë që nga vitet tetëdhjetë, duke vazhduar pastaj në periudhën e rëndë të okupimit serb në të nëntëdhjetat e deri te lufta e armatosur për liri dhe bombardimet e NATO-s, janë pjesë shumë të rëndësishme për ta kuptuar kontekstin historik. Në veçanti për lexuesit më të ri në moshë, të cilët nuk i kanë përjetuar ato kohëra, por edhe lexuesin e huaj,

ngase jam shumë i bindur që ky libër nuk do ta humbte aspak vlerën e lartë letrare dhe origjinalitetin, kur të përkthehet edhe në gjuhën angleze apo në gjuhë tjera të huaja.

“Martesat, valixhet dhe ngarkesat e tjera” është një ftesë për reflektim. Një manifest i lirisë, dinjitetit dhe emancipimit. Një thirrje për respekt, humanitet, mirënjohje dhe barazi. Kjo vepër e pasqyron në mënyrën më të sinqertë realitetin tonë dhe si jemi ne si shoqëri në të vërtetë. Na shkakton të qeshura me sarkazmin dhe humorin e zi, të cilat nuk na zgjasin shumë, pasi që menjëherë konfrontohemi me dukuritë e vrazhda dhe të trishta, të cilat nuk na lënë të qetë një kohë të gjatë. E pikërisht ky efekt e bën një vepër të veçantë për lexuesin. Të na pengojë në rehatinë tonë të përditshme, siç ka thënë dramaturgu gjerman Bertolt Brecht, dhe të na frymëzojë që ta bëjmë një botë më të mirë./ KultPlus.com

Të ngjajshme