Recension i librit ‘Një tango e harruar’ nga Brunilda Zllami

15 Nëntor, 2023 - 9:04 pm

Recension nga Brunilda Zllami për librin “Një tango e harruar” – të autorit Ardi Omeri

Disa njerëz lindin për të thurur poezi, jo sepse nuk dinë të bëjnë diçka tjetër, por sepse në vargje ata gjejnë veten, identitetin, në vargje shprehin ndjesitë, përkëdhelin të bukurën, mëkojnë plagët, derdhin lotë, fshikullojnë botën. Ata që shkruajnë poezi kanë një dhunti që në pak vargje të prekin fjalët e shpirtit që nuk flet dot, të krijojnë ëndrra e fantazi, të jenë të lirë në një botë që s’është aspak e tillë. Dhe është pikërisht ky rebelim, kjo ndjesi për të fluturuar nga e përditshmja mbytëse, ky evokim i të bukurës qëështë bastardizuar, e cila mbetet në thelb lajtmotivi i çdo poeti, që si një orë biologjike shpirtërore merr impulse të padukshme që i kthen në vargje e melodi, duke i bërë të prekshme për të gjithë.

Si mund të ishte një poet pa lajtmotivin shekullor për të cilën fjala e shkruar mori kuptim? Si mund të ishte një poet pa dashurinë?

Ardi Omeri në vargjet e tij paraqet dashurinë me të gjitha ngjyrat e saj, të trëndafiltë, të ndriçuar nga dielli, të puthur nga hëna. Një dashuri herë platonike, herë pasionale, herë të patjetërsueshme, herë të shkrumbuar. Një dashuri konsumuese, gjithëpërfshirëse, tronditëse, por sërisht të përkorë.Thua se e dashuria dhe iluzioni, ëndrra e pasioni janë pjesë vallëzuese e një ndjenje qëështë e kuptueshme nga gjithkush, pavarësisht nëç’epokë e kulturë flitet për të. Dashuria është një ëndërr dhe e tillë nuk mund të jetë e prekshme “Kur dy shpirtra jetojnë dy ëndrra, ato kurrë s’mund të jenë një”,  “Je ëndrra që më lë pa gjumë, je dëshira që dua më shumë” “Mos e fut ëndrrën në gjumë, njeriu atë jeton më shumë”, “Kjo ëndërr dhe nëse s’quhet dashuri, djalli e marrtë jetën ta zgjat…”. “Të ëndërrosh për puthjen tëndë, është mëkat njerëzor, Vetëm Perëndive iu lejohet, dhe unë ndjehem si To, Hyjnor”. Dhe nga këto ëndrra, lind një estetikë e bukur e ndjenjës, diçka që kërkon atë të përsosurën e papërsosur, atë që natyra dhe lakmia ende nuk ka përdhosur “I ruaj ëndrrat e mia, janë të shenjta, ndaj bëj kujdes. Përveç mëkatit të parë, të tjerat i kam për vete derisa të vdes.”

Dashuria  e Ardi Omerit është dhe e pamundur “Pse nuk linde pak më shpejt, Unë si s’linda ca më vonë”, është e duruar “Do ta ndaloja këtë shi, të paktën sa të vish ti…”, është tunduese, “Ndaj Perëndia të bëri joshëse, për të tunduar mua”, “Pi e dehur nga lumturia, Dashuri t’u bëftë kupë e zjarrtë. Bota le të digjet nga kërshëria, Kureshtjen e saj djalli e marrtë”

Dashuria është një moment më pas fluturon “Ti je një dallëndyshe, që shtegton dhe të lë në vetmi, në fakt je një dashuri ndryshe, por si të gjitha s’jeton pa poezi”

Dashuria në poezinë e Ardi Omerit, lidhet me humbjen, mallin, pamundësinë, pendimin, hyjnizimin, trishtimin. Është një dashuri që ka mbetur në të shkuarën, një dashuri që ka ikur tashmë dhe filli i lënë në mes shërben si karrem për gjëmimin e vargjeve të fshehura në errësirën e një shpirti që dritën e gjen në kujtime. Është një dashuri që në kohë kur u jetua dukej e pafundme, por njeriu e kupton se nuk është Perëndi edhe pse kur dashuron ndihet si i tillë. “Ku isha e ku jam, ku mbeta që asgjë nuk kam, Jetim mes perëndive, pa dashuri mes dashurive”, “Sa mall për dashurinë e pamundur, që akoma fle në shpirt tek unë, Sa mall paskam sa shumë.” “Kur shpirti ka mall, atë dhe Dielli e lag”

Dashuria është autentike, e pakopjueshme, e përkorë. Ajo nuk mund të kopjohet, as të tjetërsohet, ka një vulë të padukshme që e bën autentike. Është diçka që jetohet vetëm nga njerëz të cilën zhveshin qënien nga kotësia e i falen plotësisht, pa kushte : “Nuk është dritë Dielli një neon i rremë, kuptohet, ndjehet që në gërmën e parë, Sepse gjinkallat kopjojnë bilbilat në behar, jo vetëm kur këndojnë, por dhe në dashuri”; “Nga Grerëz në Bletë nuk bëhesh dot, sepse mjalti krijohet prej nektarit, ndaj lule më lule mos ul ul më kot, s’ka aromë fija e keqe e barit…”

Dashuria është hyjnore, është adhurim, nënshtrim, është forcë e parezistueshme, e paqortueshme, e pametë, është ndjesia e vetme që të bën mbret e të mjerë njëkohësisht, është patjetërsuese, e paharrueshme, e përjetshme, është ajo të printon shenjën e saj në shpirt, të ndryshon, të bën vartës pa të dhënë më asgjë veç dozës së parë të një realiteti që nuk ke njohur as do njohësh më vonë, por që do ta kërkosh në çdo ditë e çdo natë në ëndërr. Dashuria është adhurim i dikujt që nuk ke takuar më përpara e në një moment njeh çdo gjë të saj, ke të pikturuar në mendje elementë që nuk mendoje që as ekzistonin, ke të formuluar në lëzjet muzikën që ende nuk viështë kompozuar, por ti e di, e ndjen, e prek ndonëse nga prekja jote ajo tretet si eter. Sado të shkruash për dashurinë, sado poezi të thurësh, ka ende fjalë që nuk janë thënë, emocione që nuk janë përshkruar, lotë që nuk janë tharë e drama njerëzore që nuk janë treguar. Sepse ajo është e njëjtë dhe ndryshe për çdokënd, është forca që dhe memecin e bën të flasë, analfabetin të shkruajë.

Kush nuk ka shkruar dy vargje kur ka rënë në dashuri?

Kush nuk është fikur pas një pije të errët kur e ka humbur?

Kush nuk takohet nëëndrra me dashurinë që ka ikur?

Por askush nuk mund ta paraqëse më të gjallë se një poet. Sepse dashuria dhe poezia kanë lindur bashkë, dhe Ardi mbetet ndër poetët e vërtetë, ata që shkruajnë sepse poezinë e kanë ushqim të shpirtit, sepse poezia i bën të ndiejnë sëmbimet e vogla që për të tjetrët janë të pandjeshme apo shuhen në tisin e harresës, sepse e di që më poezinë e tij, ai mund të shkundë këtë pluhur dhe të gjejë tek seicili prej nesh atë që është thellësisht njerëzore dhe e pastër, por edhe e frikshme, e çiltër, por edhe e turpshme, hyjnore dhe mëkatare. Ashtu siç janë dashuria dhe pasioni.“Unë s’të harroj dot, sepse ishe dashuria e fundit, Por kurrë më s’do ti këndoj, Pulëbardhave në breg të lumit”.

Dhe ai, si çdo poet e di, se ato që shkruan sot do jenë ndryshe nga ato që do jetojë nesër. E di që jeta do i japë motive të tjera, e vargjet do përshkruajnë rrugë që nuk i ka shkelur. Koha i ka dhënë maturi poezisë së tij, por para poezisë një poet mbetet gjithmonë një nxënës që kërkon më shumë, që ka kureshtje për të fluturuar në vende që nuk i ka prekur. E jeta, e shkurtra dhe e gjata jetë, është një telajo për ngjyrat, një pentagramë për notat, një faqe e bardhë për gërmat që do krijojnë vargje në rrugëtimet e të ardhmes. Vargje që shprehin pendime e dëshira, mall e çmenduri e mbi të gjitha krijojnë vetë nuancat e jetës, asaj jete që mbart ende një mister.

“Por nuk i duhet kupës së jetës, ne asnjëherë nuk e pimë atë më fund”

Ardi Omeri është poet rebel. Jo vetëm vargjet kushtuar dashurisë, por edhe ato ndaj botës e cila për asnjërin nuk është ajo që do kishim dashur. Një botë e trazuar, e kamufluar, e veshur me ngjyra fallso, me njërëz të deformuar. Një botë ku sundojnë servilët  “Bërtasin më shumë se “I zoti”, sa i ngatërron si “të parë” ata vetë, Përballë tyre hutohet dhe Zoti, servilizimi zanat me bereqet”.  Ardi ekspozon me vargje ata njerëz që si fije e keqe po përhapen duke mbytur gjithçka të bukur “E kthehemi aty ku u nisëm, tek kalliri plot dhe ai bosh, Të dy të verdhë të ndritshëm, por njëri bëhet brumë dhe tjetri shkon në kosh”. Ai fshikullon ata njerëz që lahen në madhështitë e kota, në lavdet e vetvetes, që lëpijnë e shkëlqejnë pendët e tyre artificiale, që kanë futur kthetrat në çdo gjë të bukur, edhe në të përkorën poezi “I keni parë vargjet e mia, sikur i ka shkruar një Perëndi, Sepse unë jam vetë historia, si mua nuk ka asnji”. Është një fshikullim që në të vërtetë më shumë i dhemb atij që vuan këtë dhunë të padrejtë, sepse atyre që janë bosh e lakmiqarë, nuk kanë ndjesi, as të kuptojnë, as t’i jetojnë. Ata që tashmë gjenden gjithkund, deri atje ku nuk prek dot as vështrimi.  Një sëmundje e krijuar nga ata që boshëllëku i ka ngritur në ajër duke i fryrë deri në zvetënim. Njerëz fjalamanë si profetë të rremë që e kanë kthyer kohën ku jetojmë në toksike e të pamundur për të bukurën, njerëz që janë të dedikuar për të shuar lirinë, për të kastruar emocionet, për të fshirë çdo gjë që na bën të ëdërrojmë. Jetojmë në një kohë që vret pa mëshirë çdokënd që është ndryshe nga ata, sepse dikush që është i vërtetë është pasqyra ku shihen e ndihen ashtu siç janë të paaftë e të shëmtuar, ku ndihen të zhveshur nga bojatisjet e përditshme, ku janë si kunguj bosh që nuk shërbejnë për asgjë. “Ndaj miq të dashur, mos i shkoni pas kujt flet shumë. Asnjë portofol nuk është trashur, me fjalë dhe pa punë”.Thonë që ndryshimet e historisë njerëzore nisin nga poetët. Ata janë busulla e pandryshueshme e asaj që duhet të jetë morali i një shoqërie, ata janë shpirti që tregon veriun.

Shumë njerëz shkruajnë, e shkruara është liri, por pak jetojnë nga poezia, pak e kanë të shkruar në gjen të jenë pjesë e këtij rrugëtimi të fjalës.E ndër ata që shkruajnë, po pak prej tyre kanë lindur të jenë poetë. Ardi Omeri është në thelb i lindur nga poezia e për të krijuar poezi. Është një feniks që digjet në vargjet e tij, për të rilindur sërisht prej tyre. E ky rrugëtim vuajtje, dëshire, pasioni, rebelimi e bën atë krejt ndryshe nga shumë prej të tjerëve që derdhin vargje në shkretëtirë. Sepse shumica e vargjeve në shkretëtirë treten nga rëra, ndërsa qëllon që rrallë ai ujë i bekuar fjalësh është kaq i vërtetë, kaq i fuqishëm që krijon oaze.Në thelb, në qënie, në AND, Ardi Omeri është poet. Gjithçka që është e vërtetë, gjithçka qëi ka krijuar emocion, që e ka lumturar e lënduar, gjendet në poezitë e tij. Siç duket ai që shkruan duhet t’i nënshtrojë veten burimit të së vërtetës për të dalë para botës ashtu siç është me të mirat e të papërsosurat e tij. Pikërisht është e paparësosura jonë që na jep ato detajet e veçanta, na krijoj defektet e hijshme që i japin dimension qënies sonë. Dhe poezia është po burimi ku shpirti pastrohet, tjetërsohet, ndryshon. Është ajo pjesëz e humbur, ku të jesh mëkatar nuk është mëkat. Thjesht e vërteta që të tjerët mundohen ta zmerilojnë e ta fshehin pas fasadave. “Kam bërë mëkatë?! Pse e vini në dyshim?! Por jam i mirë, i kam rrëfyer në vargje, gjeni aty çdo gjë të shpirtit tim”.

Ky kolazh poezish, është si një melodi që të bën të provosh të gjitha ndjenjat, është një kartolinë dashurie që poeti e ka thurur për ata që ende nuk kanë frikë të ekspolorojnë vetveten mes vargjeve, është një përshpërimë në netët me hënë, është një himn ndaj femrës, dashurisë e pasionit, është një ofshamë për mallin e humbjen, është një klithmë për të gjetur sërisht njeriun, është një përqafim ngushëllues për mosarritjet e dështimet, është një frymëmarrje e thellë aty ku po soset oksigjeni, është shpirti i një poeti që përmes vargjeve ju jep tharmin e qënies së tij. Është një mesazh dashurie për njerëzit.Është si një këngë mjëllme. Unike!

“Ndërsa ju jeni përjetësuar në çdo varg të poezive që ju kam kënduar…Mbajini kujtim, janë të vyera. Me dashuri ua kam dedikuar!”/KultPlus.com

Të ngjajshme