10 Maj, 2025 - 11:56 am
Nga Albulena Nuredini
(Besnik Mustafaj ‘Porta e ngushtë e purgatorit’ Onufri 2024, Tiranë).
‘Porta e ngushtë e purgatorit’ është një vepër që përbëhet nga tri novela, të cilat mund të lexohen si romane të shkurtëra.
Në qendër të novelave kemi një personazh të paemër, i cili mund të konsiderohet si alter ego e autorit. Pse themi kështu? Sepse në dialog me Georgesin në novelën e dytë, bisedon me të duke i treguar se si Besniku kishte ikur papritur nga vendi i tij, duke tradhtuar bashkëvendasit e tij, ku në fakt ishte me mision si Ambasador i vendit.
Duke u bazuar në të dhënat për këtë autor se ishte me të vërtetë Ambasador në Francë më 1991, Ministër i punëve të jashtme 2005, mik i Sali Berishës, na del në pah, se edhe në libër luan rolin e personazhit si politikan, diplomat dhe shkrimtar.
Libri është i ndarë në episode ose faza që përfaqësojnë përballjet shpirtërore të protagonistit. Në pjesën e parë, Amerika nuk është kontinenti që zbulojnë shqiptarët, por simbolizon shansin e madh, mundësinë për rilindje.
Pas rënies së komunizmit, shqiptarët përjetuan një moment historik që mund të krahasohet me zbulimin e Amerikës, pra u çliruan nga një regjim i mbyllur dhe shkatërrues, duke pasur mundësi të ndërtojnë një shtet demokratik dhe të hapur ndaj botës.
Vepra mund të themi se është alegori e tejzgjatur e realitetit shqiptar, një shoqëri që gjeti mundësi të mëdha për ndryshim, por që u fundos shpesh në kaos, korrupsion dhe humbje shpresash.
‘Porta e ngushtë e purgatorit’ është simbol i Biblës që përfaqëson vështirësitë e rrugës drejt shpëtimit moral e shpirtëror, ndërsa Purgatori është hapësira që ka të bëj me spastrimin, ku personazhi nuk ndëshkohet nga jashtë, por nga ndërgjegjja e tij.
Ndërgjegjja është element që e shohim te personazhet si te Alush Bello të cilin e mundon vetëm pyetja e parë ‘ Ju jeni’ duke e shëndërruar në tjetër njeri me dyshim të tmerrëshëm, fyes, paralizues për të shkuar më tej, duke mos qenë në gjendje të nxjerrë asnjë fjalë prej goje.
Në pjesën e dytë e mbren ndërgjegjja të rri në vendin e tij sepse e kishin votuar, ose të shkonte si Ambasador në Francë, sepse ia kërkoi Berisha. Te pjesa e tretë kemi Agron Shalën i cili mendonte se dilte kundër Sigurimit ose Partisë, pra gjithmonë ndjenja e fajit e përgjimit i përshkon personazhet duke iu cenuar liria e tyre.
Në këtë vepër Mustafaj paraqet një reflektim të thellë mbi shpirtin njerëzor dhe ndërgjegjjen kolektive. Mund të shihet si kritikë e mprehtë ndaj historisë dhe shoqërisë shqiptare post-komuniste.
Vepra nuk ka ndarje klasike kapitujsh, ngjarjet jepen përmes një rrëfimi të ndërthurur ndërmjet retrospektivës dhe reflektimeve të brendshme, pra shfaqet më shumë si monolog sesa dialog mes personazheve.Duke u bazuar në këtë dialogët janë të kufizuar, duke mbizotëruar monologët e brendshëm, ku rrëfimi shpesh ndërprehet nga reflektime të gjata mbi jetën, mundësinë e shpëtimit, kështu duke e zhytur lexuesin në një atmosferë të thellë.
Në pjesën e parë protagonisti shihet si një nga shumë shqiptarë që dështojnë të ndërtojnë një botë të re, pra Alush Bello i cili ende në moshën 60 vjeçare synon të krijoj jetë më të mirë se që kishte në Vlorë, por që dështon.
Atmosfera më e qetë, por edhe më e thellë shihet në pjesën e dytë sepse këtu protagonisti është në përballje me fajet personale, atë e mundon se ishte tradhtar ndaj vendasëve të tij dhe se shpresa e tij për të pastruar ndjenjën e tradhtarit ishte të nxiste Georgesin për të dërguar në Tropojë, njërin nga veprimet e shoqatës, për të dërguar veshje fëmijësh për njerëzit në nevojë.
Në po këtë pjesë, Mustafaj bën të ditur se shqiptarët nuk këmbëngulin të ndryshojnë diçka, janë të pafuqishëm për të ndihmuar veten duke mos bërë asnjë përpjekje për të dal nga humnera. Kjo gje shihet në fjalët që përdor autori:
‘Nëse Georges-i do t’i kishte pyetur me zë të lartë se çfarë mund të bënte për ta që t’i ndihmonte të vinin në vete, ndoshta nuk do e kuptonin përse ishte fjala’.
Porta e ngushtë është një metaforë, për vështirësinë e rrugës drejt shpëtimit. Historinë shqiptare autori e sheh si histori e mundësive të humbura, kjo për shkak të dobësive të brendshme, ku faji nuk është vetëm rezultat i veprimeve individuale, por edhe pjesëmarrjes në një shoqëri që në vend të bashkëpunimit dhe ndërtimit, zgjedhë përçarjen dhe shkatërrimin.
Vepra vjen pra si një kritikë e heshtur, por e fuqishme ndaj realitetit shqiptar post-komunist, ku mundësitë për ndërtim shkatërrohen nga egoizmi, korrupsioni dhe mungesa e ndjeshmërisë morale. Ndjenja e frikës është element i rëndësishëm që paraqitet, duke ndjekur personazhet si Alush Bellon, frikë nga përgjimi, Besnikun, Agron Shalën nga Partia e me radhë.
Në mes të rreshtave shihet gjendja e shqiptarëve, ku ishin kufijtë e mbyllur me tela dhe gjemba nga brenda, të cilët ishin të hapur nga jashtë. Por kot! Nuk dilnin dot. Pasi që u rrëzua më në fund diktatura dhe e fundosën rrethimin e brendshëm, ishte përsëri kot, nuk dalin dot, sepse kufijtë ishin të mbyllur nga jashtë dhe kështu vazhdon fati i keq për ta.
Mustafaj ndërton tekst me finesë, me kujdes dhe me ndjeshmëri. Personazhi i tij është larguar nga Shqipëria, por jo nga vetja. Kjo distancë fizike nga atdheu është, por që nga shpirtërorja ka mbetur aty!
Tema qendrore si në gjithë krijimtarinë e këtij autori është se njeriu shqiptar ka qenë gjithmonë peng i historisë dhe sipas tij edhe kjo vepër ka këtë arsye, sepse shumë pak pjesëtarë të kombit tanë kërkojnë të spastrohen nga mentaliteti i tyre.
Si boshte tematike mbi të cilat ndërtohen novelat janë: faji personal dhe kolektiv, kujtesa e cila jepet si ndëshkim , pra kujtimet jo formë nostalgjie, por si dhimbje e të kaluarës dhe nuk harrohen, ku harresa shihet edhe si shpëtim dhe në fund shpëtimi i pamundur. Pra edhe pse kërkon pastrim porta është e ngushtë, e vështirë dhe gati si e mbyllur.
Brenda veprës nuk ka tensione dramatike ose kthesa të papritura, por një rrjedhje e vazhdueshme e vetëdijes, ku protagonisti mediton për jetën, fajin, fatin e një kombi dhe të çdo shpirti njerëzor që kërkon shpëtim.
Personazhet kryesore, Alush Bello dhe Agron Shala paraqesin botën brenda vendit nga vijnë, si ‘zbulues’ pra njëri i Amerikës dhe tjetri i Parisit, ndërsa personazhet e dyta si Georges Vignaut dhe Katrine Berger janë të ardhur nga jashtë e që përmes tyre dalin në pah mbetjet e popullit shqiptar, si në rastin e ndihmave, si në rastin e Agronit i cili lidhet më shumë me aspektin moral. Përmes personazheve të jashtëm tregohet edhe qasja ndaj shqiptarëve. Tek Alush Bello, kur i vie lajmi për punësim se duhej të kalonte një test dhe të gjitha njohuritë që kishte fituar dhe zotërimin e letërsisë amerikane, bien në ujë me një pyetje të thjeshtë. Pastaj përmes Georgesit, kur i drejtohet Besnikut se ishte marrë në pyetje se çfarë e lidh me një përfaqësues të lartë të një vendi ish-komunist në Francë, por edhe si mik i afërt i presidentit të vendit të tij etj.
Në raport me tërë krijimtarinë kjo vepër paraqet një lëvizje nga angazhimi politik e diplomatik, drejt reflektimit mbi mendimet e ndjenjat personale.
‘Porta e ngushtë e purgatorit’ është një vepër serioze e ndërtuar me mjeshtëri dhe me qëllim të qartë ku Mustafaj ka qenë dhe do mbetet një ndër autorët më të rëndësishëm të letërsisë shqipe duke dhënë zë, një përvoje njerëzore të thellë e shpesh të heshtur./ KultPlus.com