Rekordet më interesante Guinnes në fushën e librave

10 Dhjetor, 2018 - 7:46 pm

Në gusht të vitit 1955 u botua libri i parë i rekordeve Guinness, një botim me 198 faqe që u bë menjëherë një nga më të shiturit e atij viti. Libri është një përmbledhje e arritjeve dhe rekordeve nga më të çuditshmet. Dhe meqë ne jemi faqe dedikuar librit, bëmë një kërkim mbi disa nga rekordet Guinnes pikërisht në fushën e letrave.

1. Libri më i trashë i publikuar ndonjëherë

Është plot 322 mm trashësi dhe është publikuar nga “HarperCollins” në Londër, në maj 2009. Libri përmban të gjithë krijimtarinë e “zonjës së krimit”, Agatha Christie. Ai përbëhet nga 4,032 faqe dhe peshon 8.04 kg.

2. Libri i shitur më ngadalë

Ky rekord i përket përkthimit të testamentit të ri nga David Wilkins. I botuar nga Universiteti i Oksfordit në vitin 1716, në vetëm 500 kopje, libri ka shitur vetëm një kopje çdo 20 javë.

3. Koleksioni më i madh me libra me autografe

Richard Warren nga Kalifornia ka koleksionuar 2381 libra me autografe nga autorët përkatës. Ai e nisi koleksionin në vitin 1970, kur ishte 16 vjeç. Gjatë këtyre viteve ai ka udhëtuar nëpër botë, duke u kërkuar autorëve t’i nënshkruanin librat. Historia e tij u bë e njohur dhe disa autorë ia dërgonin vetë librat e tyre të nënshkruar.

4. Personi më i ri që ka botuar libër

Në këtë rast është një vajzë vetëm 4 vjeçe. Dorothy Straight nga Uashingtoni shkroi “Si nisi bota” në vitin 1962, në moshën 4-vjeçare, edhe pse libri u botua 2 vite më vonë. Vajza e shkroi librin për gjyshen dhe prindërit e saj menduan t’ia dërgonin një botuesi.

5. Maratona më e gjatë e leximit

Është plot 113 orë e 15 minuta, e arritur nga Deepak Sharma Bajagain nga Nepali, e realizuar më 19 – 24 shtator 2008. Ai lexoi me zë 17 libra të ndryshëm nga 13 autorë. /KultPlus.com

Të ngjajshme