Revista ‘Akademia’ prezantohet në Trieste

13 Qershor, 2019 - 10:28 pm

Më 11 qershor, në një ndër lokalet historike të Triestes, janë prezantuar numri i katërt dhe i pestë i revistës për kulturë, gjuhë dhe media, “Akademia”, botim i Shtëpisë Botuese “Armagedoni” në Prishtinë.

Prezantimin e revistës e ka hapur kritiku letrar Enzo Santese, i cili ka folur për vlerat e revistës dhe u ka bërë analizë teksteve të shkrimtarëve italianë të cilat janë botuar në numrin e katërt të revistës.

Gjithashtu, Santese ka çmuar shumë edhe punën e përkthyeses Leonora Buçinca për ti përkthyer 40 poezi të 20 poetëve bashkëkohorë italianë dhe publikuar në revistë. “Jemi në epokën e kapitalizmit. Sot, edhe pse mendojmë se askush nuk do t’ia dijë për vlerat e vërteta, gabohemi, sepse ka disa njerëz në botë që kujdesen për to. Neve derën e bashkëpunimit mund të na hapte edhe ndonjë revistë prestigjioze sllovene apo austriake.

Ja ku i kemi, në prag të shtëpisë, matanë rrugës. Por, këtë vepër madhështore që e bëri revista ‘Akademia’ për të gjithë ne, s’e bënë as sllovenët e as austriakët. E bëri Prishtina. E bëri shtëpia botuese ‘Armagedoni’. E bëri poetja dhe përkthyesja LeonoraBuçinca. E bëri zemra e madhe e një kryeredaktori shqiptar, e Beratit që, siç më ka thënë Leonora, punon pa ndalur për kulturën, sepse e do, e respekton dhe e nderon punën e vet dhe të të tjerëve.

Kjo revistë, përpos që ringjalli të vdekurit në gjithë botën, ua rriti jetën të gjallëve me përfshirjen e teksteve të shkrimtarëve të kombësive të ndryshme shkruar ndër vite. Kush thotë sot që Kosova është e largët, larg nesh, e ka gabim. Kosova tani është më afër nesh se shtetet e tjera fqinje. Dua ta vizitoj këtë shtet të sapolindur sa më parë”, ka thënë kritiku italian Santese, i cili, nëpërmjet bashkëpunimit të përkthimit të teksteve nga gjuha shqipe në italiane, ka komentuar edhe disa prej teksteve të autorëve shqiptarë dhe të huaj që janë prezantuar në numrin e katërt dhe të pestë të revistës.

Të ngjajshme