Ridvan Dibra promovon ‘Për Romanin dhe Romanet’: Kur nis vepra, aty fillon jeta ime e vërtetë

17 Qershor, 2021 - 10:00 pm

Era Berisha

Shkrimtari më i njohur bashkëkohorë shqiptar, Ridvan Dibra, së fundmi ka publikuar romanin e tij të titulluar ‘Për Romanin dhe Romanet’, nga shtëpia botuese ‘Bard Books’, me ç’rast sot u bë edhe promovimi i tij në ambientet e Librarisë Dukagjini, shkruan KultPlus.

Libri ‘Për Romanin dhe Romanet’, ka ardhur me një rëndësi të shumëfishtë për shkak se ky libër është një reflektim mbi zhanrin dominues të kohës sonë dhe është një shpalosje e procesit kreativ të autorit, por mbi të gjitha është edhe fillimi i bashkëpunimit me shtëpinë botuese ‘Bard Books’, që ka marrë përsipër ti botojë të gjitha veprat e autorit.

Lexues, studiues dhe artdashës të shumtë kishin zënë vendet e tyre për të dëgjuar nga afër rrëfimin e autorit mbi librin e tij që sot u promovua në Prishtinë, e që synon një komunikim të gjatë jo vetëm me lexuesin por edhe me specialistët e mirëfilltë të letërsisë.

Fillimisht, autori falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe njëkohësisht kërkoi ndjesë sepse pak para disa ditësh ai ka marrë vaksinën e dytë e që për të nuk ishte aspak dashamirëse. Tutje, para se të shpaloste përmbajtjen e tij, ai është shprehur se po ndjehet i emocionuar por edhe pak fajtor.

“Libri ka një datë në fund por nuk është e saktë sepse duhej të ishte 1993 sepse ky libër ka filluar para 30 vitesh në formën e shënimeve vetjake e personale. Kam mbajtur vazhdimisht shënime të pakujdesshme e të hedhura anash në një kompjuter dhe gjatë kohës së pandemisë njëlloj frike më kaploi se mos një ditë largohem dhe iki e mbetet diçka që duhej të thuhej si njëlloj testamenti”.

Sipas tij, libri është një dëshmi për të gjithë rrugëtimin e autorit në zhanrin e romanit ku ai ka vërejtur edhe një tepricë të energjisë pas përfundimit të romanit.

“Kësaj radhe shtrihet nevoja e komunikimit jo vetëm me lexuesin por edhe me studiuesit dhe studentët që merren me romanet e mia e për çka jam shumë mirënjohës për punën e tyre origjinale. Kam theksuar herët që kritikat janë më ndryshe në Prishtinë sesa në Tiranë e kjo vjen falë Universiteteve që i përgatit këto gjenerata”.

Për Dibrën, libri ‘Prostituta e virgjër’ ku edhe dallohet evoluimi i shkrimtarit si një shpërthim pothuajse i pavetëdijshëm, është libri që duhet të lexohet nga personat që nuk kanë lexuar akoma krijimet e tij. Ndërkohë, për sa i përket romaneve, duhet të fillohet nga e para.

“Mesa e kam ri parë këtë libër, provova njëfarë pendese që nëse nuk do të duhej që botuesi t’ia pengonte vrullin tim sepse libri në Shqipëri ka pak kopje dhe nuk njihet dhe menjëherë kanë ardhur reagimet negative nga botues konkretë”.

Autori krejt në fund ka shpalosur për herë të parë edhe disa pendesa të tjera që ai ka hasur në librin e tij.

“Tjetër peng që kam e që po e them për herë të parë është fakti i sinqeritetit tejet të thellë sidomos për gjenezën e çdo romani ku mos ndoshta nuk do të duhej të isha kaq i sinqertë e ndoshta mos duhej që vepra të lihej në një mjegullinë misteresh”, thotë Dibra.

“Unë mendoj që çdo roman është një fëmijë i braktisur sepse autori e shkruan veprën dhe e hedh në rrugë e ia jep një kujtim lexuesit duke e rritur atë e bile ëndrra e çdo shkrimtari e bënë të përjetshme e të pavdekshme. Andaj, ka shumë autorë që romanin dëshirojnë ta mbajnë afër vetes duke e promovuar jashtë mase por unë them se kjo është detyrë e lexuesit dhe kritikës”, thekson Dibra.

Tutje, autori ka treguar edhe procesin e tij kur ai nis të shkruaj e si duket ai jeton për letërsinë dhe është momenti kur ai ndjehet i vërtetë.

“Në fakt, nuk e quaj veten shkrimtar profesionistë dhe nuk e kuptoj fare këtë togfjalësh. Unë nuk punoj e nuk shkruaj çdo ditë por lexoj çdo ditë dhe mendoj që jetoj për letërsi çdo ditë. Andaj, duke mos qenë profesionistë, mezi pres atë momentin që të vijë vepra tek unë dhe jo të shkoj unë tek vepra”, thotë Dibra.

“Dallimi nga shumica e shkrimtarëve është sepse unë pres që të vijnë ngacmime dhe nuk shkoj ti gjej. Por kur nis vepra, ndjehem për mrekulli, aty fillon jeta ime e vërtetë, aty jetoj sepse momentin kur shkruaj, aty jam i vërtetë”, përfundon Dibra.

Pas këtij promovimi të pranishmit patën rastin që ta blejnë nga një kopje të librit me autografin e autorit dhe të bashkëbisedojnë tutje rreth romaneve të tij.

Ridvan Dibra është ndër shkrimtarët më të njohur bashkëkohorë shqiptar dhe veprat e tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja dhe janë shpërblyer me disa çmime kombëtare.

Ndër veprat më të njohura të tij janë: ”Prostituta e virgjër”, ”Nudo”, ”Legjenda e vetmisë”, ”Gjumi mbi borë” dhe ”Dashuritë e virgjëreshës Madalenë”. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme