“Rikthehet” në vendlindje Trifon Xhagjika, shkrimtari disident bashkon emrat e penës

24 Dhjetor, 2018 - 11:00 am

Poeti disident Trifon Xhagjika u rikthye sot në vendlindjen e tij në Peshtan, në një ceremoni madhështore, ku morën pjesë miq të afërm të familjes, shkrimtarë dhe gazetarë nga gjithë Shqipëria.

Nën organizmin e klubit të poezisë “Illz”, dhe të afërmeve të tij, u përurua në truallin e shtëpisë së tij në Peshtan Memoriali i punuar nga skulptori i talentuar Bernard Lekgegaj.

Kryetari i këtij klubi, publicisti Rexhep Shahu theksoi rëndësinë që ka ngulitja në memorien historike të njerëzve që kanë dhënë jetën për lirinë e fjalës si pjesë e ndërgjegjes sonë shoqërore. Dhe mes tyre Trifon Xhagjika shkëlqen në disidencën e tij.

Shkrimtari dhe studiuesi Sadik Bejko theksoi në fjalën e tij se Trifoni ishte produkti i pare i disidencës letrare shqiptare, pas luftës së dytë botërore, pasi ishte ai ishte një disident i formuar brenda komunizmit. Ai është po ashtu poeti i parë i pushkatuar për arsye letrare në Shqipëri.

Poeti Petrit Ruka theksoi në fjalën e tij vlerat e vërteta artistike të poezive të Trifonit, fuqinë e vargjeve të tij, dhe kërkoi ndjesë në emër të gjithë poetëve dhe shkrimtarëve shqiptarë për këtë nderim të vonuar ndaj tij.

Më pas Lek Tasi një bashkohës dhe mik i afërt i Trifonit mbajti një fjalim fondamental mbi vlerat që ka disidenca e Trifonit për shoqërinë shqiptare.

Rëndësia e të folurit hapur, fuqia e fjalës së lirë dhe përpjekja për të qenë në anën e më të dobëtit, edhe të pambrojturve, janë një mesazh i madh për çdo brez dhe kohë,- tha ai.

Më pas Guri Baze, një shok fëmijërie i Trifonit solli kujtimet e fëmijërisë dhe rinisë së tij me Trifonin duke theksuar se ai mbetet një gur i rënd në truallin e tij dhe se ky memorial do të kthehet në pelegrinazh për çdo qytetarë që do lirinë

Ne fund Llukan Stravro recitoi një poezi kushtuar Trifonit.

Pas një kokteji nga familjarët e Trifonit, aktiviteti vazhdoi me një debat mbi vlerat e krijimtarisë së tij organizuar nga klubi i poezisë “Illz”. /JavaNews /KultPlus.com

Të ngjajshme