Rikujtojmë diplomatin Gjergj Pekmezi, ndër shqiptarët më të kulturuar të kohës

24 Shkurt, 2021 - 12:28 pm

Sot më 24 shkurt të vitit 1938 vdiq gjuhëtari, filozofi, folkloristi dhe diplomati shqiptar Gjergj Pekmezi.

Gjergj Pekmezi ishte profesor i shqipes, bibliograf dhe albanolog shqiptar. Në nder të tij katedra e albanologjisë në Universitetin e Vjenës mban emrin “Prof. Dr. Gjerg Pekmezi”.

Studimet e para i kreu në Ohër e Manastir. Më 1887 shërbeu si mësues në Llëngër të krahinës së Mokrës. Studimet e universitare i bëri në Beograd e në Vjenë, ku u diplomua më 1898 për filozofi dhe filologji. Më 1903 u emërua shef i katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin Oriental të Vjenës.

Pas një viti themeloi Shoqërinë Kulturore Patriotike “DIJA”. Më 1908 zbulon memorandumin e famshëm të 1878-ës që Vaso Pasha e Sami Frashëri i dërguan Kongresit të Berlinit. Kontribuoi pranë Komisionit Ndërkombëtar të Kufijve duke vërtetuar shqiptarësinë e banorëve në viset jugore kundrejt orekseve synimeve greke. Punoi si përkthyes pranë këtij komisioni nga vjeshta e 1913 dhe më 1914 u emërua përkthyes i misionit austro-hungarez në Durrës.

Më 1916 me pushtim-administrimin austro-hungarez, u emërua kryetar i “Komisisë Letrare të Shkodrës”, ku me Luigj Gurakuqin, Gjergj Fishtën, Ndre Mjedën e patriotë të tjerë bënë punë të mëdha për gjuhën, tekstet dhe shkollën shqipe. Pasi shkoi për çështje private në Vjenë, kur u kthye në Shkodër gjeti të miratuar Parimet e rregullat mbi orthografinë e gjuhës shqipe të shkruar, gjë për të cilën dha dorëheqjen duke parë miratimin në mungesë të tij një veprim jokorrekt.

Në vitet 1920-24 emërohet Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë pranë Republikës së Austrisë. Riemërohet në këtë detyrë më 1926-28, vit në të cilin emërohet profesor në Universitetin e Vjenës, Katedra e Gjuhës Shqipe. Këtë detyrë e kreu deri më 24 shkurt 1938, kur ndërroi jetë. / KultPlus.com

Të ngjajshme