Rrëfim nga lufta: Me ato 20 marka, nesër kemi me dalë me t’i ble një palë patika n’Çezum’…

5 Tetor, 2021 - 4:31 pm

Nga Sinan Kajtazi

Kodra e Zabelit

Lufta filloi. Shumica e familjeve kosovare, e sidomos atyre si familja ime shumëanëtarëshe, në vitet e 90‘ ishin me të ardhura minimale. Për gati dhjetë vite, të ardhurat e vetme i kishim nga motrat ose vëllau që jetonin në Zvicër e Gjermani.

Me 24 mars filluan bombardimet e NATOs. Pak ditë më pas, ushtria dhe policia serbe, na larguan nga shtëpia në Shupkovc dhe morrëm tatpjetën për në fshatin tonë të prejardhjes, Zasellë. Aty gjetëm mikëpritjen vëllazërore të kushërinjëve tanë, të cilët sikur na e lehtësuan largimin nga shtëpia.

Pa u mbushur java, fshatin e granatuan dhe pas pak orësh ushtria serbe (me këmbësori) na detyroi të lëviznim drejt fshatit Kçiq, ku jetonte halla jonë Shefkija me familjen e saj.

Morëm dy lopët e shtëpisë mbas vetes, disa batanije që i kishte blerë nëna një muaj para dhe rrobat që kishim në trup e u nisëm bashkë me frikën nga e panjohura.

E bëmë një gjysmë dite rrugë dhe kur mbërrimë, halla Shefki si na pa, u gëzua njësoj sikur cdo herë tjetër kur e vizitonim, dhe mirësia e saj engjëllore, na bëri të ndjehemi sikur kishim shkuar për ndonjë festë.

  • Bajram vllau jem, a muj dul’t?
  • Qe Dadë, a jeni mirë ju krejt?
  • Mirë jemi vëllau jem, shyqyr mirë krejt.
  • Qe këta krypë e morra në krye t’sokakut, ishin kanë tuj shitë te shitorja.
  • Eu po mirë paske ba bre vlla se sot kjo çika e vogël ke te Naimovit me marrë do se na u kish pas hargju.

Kështu filloi historia e gati tre muajve të qëndrimit tonë në shtëpinë e Dadës.

Mëngjesi i parë, nuk ishte mikëpritës për ne. Çysh herët në mëngjes, filluan ta granatojnë fshatin.

Babushi na mori dhe na solli poshtë në bodrumin e shtëpisë së Dadës. Na ofroi mua, Qëndresën dhe Shkumbinin dhe po na përshpëriste në vesh se si e gjitha kjo shumë shpejt do të kaloj.

(Vetëm pasi kam arritur moshën e pjekurisë, e kam kuptuar se cfarë mund të kenë ndjerë në ato çaste, nëna e babushi).

“Na ka shku zemra n’nji vend”, ka qenë shprehja që përdorej më së shumti në ato ditë lufte. Njerëzit sikur ishin pajtuar me vdekjen dhe madje as nuk donin t’ia dinin as për orën apo ditën se kur do të ndodhtë. “Kur t’vjen deka, mirë se vjen”- thoshin.

Duket se në cfarëdo rrethane, njerëzit janë të prirur të gjejnë forma për të jetuar. Kështu në fund të mëhallës së hallës, dita-ditës, filloi të bëhej një treg, në vendin e quajtur nga fshatarët, Çezëm. Njerëzit, rrezikonin dhe depërtonin në forma të ndryshme për të sjell produkte ushqimore e veshmbathje në tregun e Cezmës.

Lopët tona, që ishin bekimi jonë dhe i shumë familjeve tjera që merrnin qumësht herë pas here nga to, duhej cuar në “Zabel” për t’i kullotë. Meqë ende konsiderohesha fëmijë, duhej unë që të shkoja mbas lopëve dhe të mos rrezikoheshin vëllezërit e mi adoleshentë, sepse gjasat për të rënë në duart e ushtarëve ose paramilitarëve serb, ishin të mëdha. (Këtë zanat e ushtroja edhe para fillimit të luftës. Isha një super-çoban, i llastuar nga kolegët e mi, sepse kisha afinitet t’i argëtoja kohë pas kohe, me akrobacione të ndryshme).

Në “Zabelin” e fshatit, i dërgoja lopët cdo ditë. Nga “Kodra e Zabelit”, shihej një pjesë e madhe e fshatrave përreth. Shpesh herë vinin dhe më thirrnin nga shtëpija.

  • Biri lopët te shpija se po granatojnë.

Thua sikur nuk i dëgjoja unë ato shpërthime!

Ndonjëherë kur ishte situata më e qetë, i sillnin lopët edhe fshatarët e tjerë të Kciqit. Në rastet kur pronari i topit të futbollit, vendoste t’i lëshonte lopët, kishim mundësi edhe të luanim ndonjë lojë futbolli (megjithëse në raste të rralla).

E kishim të pamundur të merrnim rroba me vete kur u larguam nga shtëpia, dhe ç’ështe e vërteta nuk është se kishim edhe shumë të tilla. Këpucë kisha një palë. Nga përdorimi i tyre i përditshëm (dhe sigurisht nga kualiteti i dobët që kishin), mbas disa ditësh, m’u grisën tërësisht. Sikurse tollumbat e Lulit të vocërr, edhe mua më kishin dalë gishtërinjtë e këmbëve cysh moti, por nuk e kisha shumë problem. Rezervat e pakta që i kishin qëlluar babushit kur u larguam nga shtëpia, ishin drejt fundit. Njëzetë marka gjermane, të fundit në xhepin e tij, kishin marrë tashmë vlerën e një diamanti.

  • T’u kanë cky këto k’puca krejt djali jem.
  • Po ma mirë se po më ajrosen kamët,- i thash me një ton humori, ngase ai vetë më kishte mësuar që duhej pasur kujdes me ndjenjat e të tjerëve, sidomos në situata të vështira.
  • Me ato 20 marka, nesër kemi me dalë me t’i ble një palë patika n’Çezum.
    Isha 12 vjecar dhe po t’them se nuk u gëzova, gënjej.
  • Ti po i runë lopët dhe na jemi kah ushqehemi nga këto lopë për ditë. Dhe jo vetëm na, po a po e sheh edhe të tjerë po vijnë më lyp tamël për fëmijë!

(Sepse në Kçiq kishin ardhur tashmë mijëra njerëz të dëbuar nga e gjithë Shala dhe përveç shtëpive, edhe rrugët ishin të mbushura me njerëz, të cilët kishin nevojë për ushqime).

Jam i sigurt se ajo nuk ishte aryeja kryesore, thjeshtë donte ta justifikonte këtë veprim para meje, ndoshta për të mos më vënë në pozitë të palakmueshme.

Ashtu ndodhi. Të nesërmën unë isha sipër patikave të reja, të blera në tregun e Çëzmës, me 20 markat e fundit të babushit. Më dukej sikur kisha ndërruar edhe këmbët, lëre më këpucët. Me gëzim të jashtëzakonshëm po prisja të dilja mbas lopëve, që të kisha mundësi t’i “ngisja” patikat e reja, sepse simbas rregullave të një familjeje kosovare të viteve 90’, rrobat dhe këpucët e reja, “nuk lejohej të visheshin kah sh’pija”.

Tashmë pa frikën se më gjakosen gishtrinjët duke vrapuar, kisha nisur lopët drejt Zabelit, pa përtesë. I lumtur e i buzëqeshur kodra e Zabelit më dukej shumë e vogël për këpucët e mija. Kërkoja më tepër hapësirë, kërkoja liri për të vrapuar. Ah sa shumë e doja atë liri në ato momente…


Nipi im Erioni, falë talentin, punës dhe përkushtimit të tij dhe të babait të vet, këto ditë do të luaj me përfaqësuesen e Kosovës në Austri, për kualifikimet e evropianit „Israeli 2022“.

Për të qenë sa më i përgatitur për këto ndeshje me rëndësi, babai i vet (vëllau im), ia kishte blerë një palë atlete të reja (nga ato të mirat), dhe në ndeshjen e parë me ekipën e vet, ishte i pandalshëm. Fluturonte! Sikur çdo veprim të bukur në fushë (përfshirë edhe golin), ia dedikonte atleteve të reja.

Në çdo hap të hedhur, shihej liria e pakufishme bashkë me dëshirën për triumf.
Ma kujtoj veten time në „Kodrën e Zabelit“.
Ah çfarë lumturie! / KultPlus.com

Të ngjajshme