‘Rrota e Ujit’ e Resmije Kryeziut plotëson mozaikun për qytetin e Gjakovës

19 Mars, 2019 - 6:24 pm


Gili Hoxhaj

Rreth 70 personazhe janë shtrirë e shpalosur në librin “Rrota e Ujit” nga Resmije Kryeziu, që përmes përshkrimit sjellë koloritin e qytetit të Gjakovës, duke shkuar në një periudhë më të largët, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore.

Përmes këtij libri, lexuesi mund të rrugëtojë pothuajse në çdo pjesë të Gjakovës, duke kapërcyer në gjithsej 500 faqe e 24 kapituj. Personazhi kryesor i këtij libri Detja, ecën përgjatë rrugëve të Çabratit, nga Mëhalla e Hadumit, Çarshia e Madhe, teqetë, tyrbet dhe urat në tri anët e qytetit. Ky libër i cili u promovua sot për herë të parë në Prishtinë, në librarinë e Kolegjit AAB, e dërgon autoren Kryeziu në një dimension tjetër sa i përket lidhjes së saj me letërsinë, nga të qenit një studiuese e letërsisë, ajo bëhet vetë prodhuese e saj.

Para të pranishmëve, fjalën i pari e mori recensenti i librit, Hysen Matoshi, njëherit dhe drejtor i Institutit Albanologjik të Kosovës. Matoshi tha se romani “Rrota e ujit” është roman ngjarjesh të cilat mund të funksionojnë edhe si tërësi të veçanta të veprave tregimtare, kryesisht si novela. Ai tutje theksoi se ky roman është roman i personazhit që del në rolin e narratorit të gjithëdijshëm dhe ka elemente të romanit të ambientit.

“Gjakova është vendi i përbashkët i ngjarjeve, pavarësisht ndonjë dimensioni të aty- këtushëm fabulativ. Përveç përshkrimit të ambienteve reale, mëhallave, objekteve, rrugëve dhe shenjave të identitetit ambiental janë dhe veçantitë etno-kulturore dhe linguistike të protagonistëve të romanit. Nëse do ta ridefinonim më për së afërmi do të thonim se ngjarjet përbëjnë historicizmin e romanit, individualitetin që përfaqëson personazhi i narratorit (Detja) ndërsa ambienti – Gjakova e pas Luftës së Dytë Botërore përfaqëson veçantitë e një mentaliteti kolektiv”, u shpreh Hyseni, i cili tutje tha se nëse kërkohet një model i ngjashëm i narracionit dhe strukturës romanore të letërsisë shqipe atëherë romani më i përafërt me romanin “Rrotë e Ujit”, është “Kronikë në gurë” i Ismail Kadaresë.

Shkrimtari dhe studiuesi Gëzim Aliu, recensionin analitik që e lexoi para të pranishmëve e kishte titulluar “Dynjaja e Gjakovës”. Aliu tha se droja që kishte pasur për romanin “Rrotë e Ujit” i ishte zbutur qysh në faqet e para sepse lirshmëria me të cilën ndërtohet të rrëfyerit në roman dhe natyrshmëria si lidhen ngjarjet dëshmojnë për një talent të fshehur ndër vite.

“Resmije Kryeziu, studiuese disa dekadëshe e letërsisë, e njeh natyrën e letërsisë ka ditur dhe di si t’u qaset veprave që merr në shqyrtim. Sigurisht është ballafaquar me ankth kur ka vendosur ta ndryshojë mënyrën e krijimit, në fakt mënyrën e komunikimit me lexuesin, nga të shkruarit për letërsi në shkrimin të letërsisë. Njëfarë droje kisha dhe unë kur e mora në duar romanin “Rrotë e Ujit” mirëpo droja filloi të zbutej qysh në faqet e para e pastaj mu hoq krejt”, u shpreh shkrimtari Aliu.

Aliu tutje tha se janë një varg elementesh që e mbajnë gjallë leximin e kësaj vepre narrative, ku ndër to theksoi: gërshetimin e narratorit dhe autorit të nënkuptuar, storjet e shumta që lidhen motivueshëm me letërsinë, personazhet e shumtë, idetë, hapësira narrative- ambienti dhe gjuhën që lidhet me ambientin.

“Përmes këtyre përbërësve, autorja ka krijuar botën e romanit, që është njëkohësisht edhe Dynjaja e Gjakovës Letrare”, tha shkrimtari Gëzim Aliu.

“Romani “Rrota e Ujit”, ngjarje që i ka ndodhur shqiptarëve dhe gjysmës së njerëzimit”, e ka titulluar recensionin e saj Naile Demiraj, e cila tha se ky roman mund të krahasohet me romanet më të mira të letërsisë shqipe.

“Që në fillim duket se subjekti i romanit është një përjetim që e ka kaluar autorja dhe aty kanë mbetur përjetimet e pashlyera në jetën e autores. Pra, romani është një tregim ngjarjesh nëpër të cilat ka kaluar vetë autorja dhe si e tillë më së miri e ka përjetuar jetën e njerëzve e karakteristikë është se autorja ka pasqyruar vetëm atëherë kur ngjarjet janë zhveshur nga të gjitha ndikimet subjektive. Kjo vepër, sipas mendimit tim është një ndër veprat më të mëdha të letërsisë shqipe”, u shpreh Demiraj, sot në promovimin e librit që u mbajt në Kolegjin AAB.

Autorja Rasmije Kryeziu i përshëndeti të pranishmit ndërsa tha se pas fjalimeve të tre referuesve paraprak, fjalët e saj janë të tepërta  për romanin.

“Dua të falënderoj Ilir Tafën, kryetarin e bordit të Kolegjit “AAB”, e përshëndes dhe falënderoj edhe rektorin Lulzim Tafa, që e mundësuan organizimin e këtij promovimi. Falenderoj referuesit, prezantuesen, miqtë e mi, dashamirët e artit dhe letërsisë që erdhët sepse pa juve ky promovim nuk do të kishte rëndësi”, u shpreh Kryeziu në fjalën e saj.

Në këtë promovim libri, u tha se Kolegji AAB do të vazhdojë të sjellë çdo muaj aktivitete letrare në Librarinë e ABB-së. /  KultPlus.com

Të ngjajshme