“Rruga 66”, roman me konflikte dhe dramë të thellë psikologjike

27 Nëntor, 2018 - 6:45 pm

Shkruan: Esat Vatovci

“Rruga 66” është romani më i ri i shkrimtarit Binak Kelmendi, në të cilin ai paraqet një mënyrë të re të shkrimit dhe të trajtimit të temës, ku përmes personazheve të tij, ndanë një mendje në dysh dhe secila lufton, ndeshet dhe kundërshton tjetrën, në të gjitha aspektet e përjetimeve, në kohën reale dhe atë të kaluar.

Qysh në fillim të romanit, autori Kelmendi ballafaqon imagjinatën me realen, personazhet me intrigën, me realen, me abstrakten e tij, duke e trajtuar me mjaft mjeshtëri, bukuri dhe estetikë lojën e tij përmes personazheve.

Përdorimi përmes figurave dhe trajtimit të Marrdheu dhe Japdheu që konsiderohen të jenë Njëshi i Pandashëm. E si mundet të mos jetë njëri kërkuesi i pandalshëm i sakrificës e tjetri i robëruari. Këtu vihet në përdorim metafora dhe përpjekja e autorit që të trajtojë njërin si ndjekësin e sakrifikuar i lirisë dhe tjetri mbrojtës i pakontestuar i robërisë. Pra,
ironia përcjellë rrëfimin përmes frazave dhe kodeve që funksionojnë si mesazhe epike historie.

`Dhoma ishte e errët, tavolina kërciste tek mbështetej e ndalej në mur …`, e po ashtu `Japdheu, me frymëmarrje të rënduar u ul i lodhur dhe i mërzitur. Mërdheu qëndroj në këmbë stoikisht.`, si `Japdheu deshi t`i thoshte me tërë zërin “përshëndet me grusht në ballë , çfarë pret më”.

Por, si arriti autori të luajë lojën e tij të artit në romanin që po trajtojë, përmes një emërtimi të quajtur Route 66?!, apo në gjuhën shqipe Rruga 66. Dihet mirë se është mjaftë e popullarizuar shprehja Route 66.

”Çdo gjë e lidhur. Shpërngojnë, pranga, tela, litarë, zinxhirë, lidhëse…`, `Ku dreqin është liria?! Pse flasim të gjithë aq shumë për të? Unë nuk dua ta përmend më asnjëherë. Fundja, unë ende s` e kam parë lirinë! Madje nuk po e shoh askund!”`.

Romani “Rruga 66” i Binak Kelmendit, ose udhëtimi dramatik i njeriut që konsiderohet të jetë me duar të lidhura. Libri pikant i trajtimit të një ngjarje bashkëbisedimi dhe kërkimi, duke trajtuar në thellësi imagjinatën e tij dhe i trajton me mjeshtëri rolet dhe personazhet e tij, sidomos në romane.

Mardheu vazhdimisht e pyeste Japdheun se ku është Route 66 apo Rruga 66, e Japdheu nuk ju përgjigjet, e zgjedh heshtjen.
Në roman përshkruhet një betejë metaforike brenda identitetit personal, kokës së njeriut që kishte aspiruar rrëfimin ta fokusonte në sfondin e kauzës historike.

Si një trup i pandashëm dhe një mendje e ndarë në dysh, Marrdheu dhe Japdheu konsiderohen si dy mendje ku njëra personifikon ndjekësin e sakrifikuar të lirisë, kurse tjetra mbrojtësin e pakontestueshëm të robërisë.

”Tymi, nëse nuk është në oxhak, shkon nga të dojë vetë.”, “Liria që më sjell ti është e kufizuar.”, Udhëtarët vazhdonin ta shikonin me habi. Mardheu i bërtiti: “Qetësohu më. Më çmende, jo vetëm mua”.

Pra, Japdheu udhëton duke takuar të mirat dhe të këqijat që e kishin përcjellë në jetën e tij, duke I rrëfyer tërë kohën dhe duke qenë njëkohësisht dhe pandalshëm në adresën e tij të cilën pa reshtur e përmend, por që është vetë jeta kolektive e një shoqërie.

Sipas studiuesit Ibrahim Berisha, ky roman është një udhëtim në kohë, njëherësh edhe me shumë shenja simbolike që tronditin me përmasën e humbjes së Japdheut në kohë dhe hapësirë. Edhe në pikën më të skajshme, më të lartë në ikje dhe ardhje kudo është Mbinjeriu i tij që askund nuk arrin dhe nuk do t’i shmanget dhe as ka forcë madje ta mendojë këtë.

`Të gjithë lëviznin ose lëkundeshin, uji, anija, njerëzit, ora dhe Japdheu. Ushtarët e zgjedhur, të trembur, e lëshuan rrethit ushtarak dhe iu afruan Mbretëreshës duke e future në mesin e tyre. Ushtarët u rreshtuan me shpejtësi shumë të madhe. “Një, dy, një, dy”, numëroi hapat ushtarakë Japdheu. –Ti, ti dhe ti, pas meje, bëri Teuta me zërin e dridhur duke hapur me shpatë dyert e kuqe të çadrës së verdgë`.

Gjatë gjithë romanit vërehet trajtimi i pambarim i konfliktit që ka një mendje e ndarë në dy dysh, ku në asnjërën pikë nuk bien dakord, duke kundërshtuar pandalshëm njëra tjetrën. Gjithmonë zhvillohet një luftë dhe një konflikt i pambarueshëm, që mund të quhet edhe psikologjik, nga fakti se imagjinata që rrëfehet dhe trajtohet në roman, nuk ka të ndalur, dhe dialogu gjithmonë zhvillohet i acarshëm dhe me kundërthënie në mes Japëdheut dhe marrëdheut, si dy personazhe që nuk e kuptojnë dhe nuk e mirëpresin iden apo rrefimin e njëri-tjetrit.

”Veç këtyre, ka edhe njerëz atdheu”, tha pastaj Marrdheu. “Si?, bëri Japdheu. Paska edhe njerëz atdheu? Unë e di që njerëzit e atdheut janë vetëm ata që e përmendin çdo ditë atdheun. Dhe atdhe kanë vetëm ata. “Jo”, u përgjigj me vendosmëri Japdheu. “Sepse nëse jepen të gjitha për atdheun, atëherë çfarë do të mbetet? Nuk do të mbetet as atdheu”!.

“Udhëtimi ikën në fantazinë historike të vonshme të jetuar realisht me ngjyra lavdi teutiane apo ngjyrë krizë boshe socialiste, kujtime ku liria është fëmijërore dhe pastaj robëria ushtarake, nën urdhra të forta zërash eprorë kur shumëçka është tragjike”, thotë në vlerësimin e tij kritik studiuesi Berisha. Ai më tej shton: “Është kjo që përmbytë gjithë atë iluzion njeriu të pafuqishëm, i cili pajtohet me bashkëhumbjen në kohë dhe hapësirë duke kërkuar asgjënë në fakt, si trishtim i plotë dhe shterje jete. Kjo ikje e pafuqishme nga atdheu simbolik e mban të robëruar tërësisht Japdheun. Ironia përcjell rrëfimin përmes frazave dhe kodeve që funksionojnë si mesazhe epike historie”.

Pra, shikuar në tërësi, në këtë roman kemi të bëjmë me një luftë psikologjike që trajtohet në mënyrë të kujdesshme dhe mjaftë mirë nga ana e shkrimtarit Kelmendi, i cili duke ndarë një personazh në dy mendje, duke i dhënë dy mendjeve nga një emër, ai trajton një luftë të brendshme që ka një mendje e ndarë në dysh, ku nuk pajtohet me realitetin, apo me mendimin për të ardhmen që mund ta përcjellë fati i jetës. /KultPlus.com

Të ngjajshme