Rruga e dashurisë në romanin e Ag Apollonit

21 Maj, 2025 - 1:00 pm

Nga Aida Buliqi

Romani “Sikur t’ isha djall” i Ag Apollonit është një vepër që ndërthur elemente filozofike, mitike dhe simbolike për të krijuar një rrëfim që në vete përmban elementin kryesor, dashurinë. Pra, dashuria është elementi kryesor i këtij romani, por ajo shfaqet në forma të ndryshme, duke marrë një thelb të ndryshuar nëpërmjet karaktereve dhe ngjarjeve që zhvillohen në qytetin e bukur të Vjenës. Romani fillon me shkronjën e parë të alfabetit latin “Alfa”. Kjo shkronjë, shpesh përdoret si simbol i fillimit apo origjinës, dhe paraqet një kuptim të thellë simbolik. Në romanin e Apollonit, “Alfa” mbase shoqërohet me një kuptim të fuqisë ose autoritetit, për shembull si “Alfa dhe Omega”, ku “Alfa” është fillimi dhe “Omega” është fundi. Pikërisht, edhe romani “Sikur t `isha djall”, fillon me “Alfa” dhe përfundon me “Omega”, që është shkronja e fundit e alfabetit, dhe që sjell një përfundim, një përmbyllje të një cikli, por mund të simbolizojë një fund të mundshëm për të kaluar në një fazë tjetër të jetës. Kështu, romani nuk është vetëm një rrëfim linear, por një udhëtim ku çdo hap është një hap drejt zbërthimit të një kuptimi më të thellë, dhe ku çdo simbol ka rolin e tij në ndihmën e lexuesit për të kuptuar më shumë jo vetëm rreth karaktereve, por dhe rreth vetes. Pra, në fillim Apolloni e nis romanin me një retorikë filozofike, ku ai paralajmëron thellësi edhe më të madhe në mendimin filozofik. Madje titulli është tejet provokator meqë askush nuk dëshiron të bëhet djall. Përveç thellësisë filozofike autori përshkruan edhe aspektin kohor. Këtu ai ndërthur edhe aspektin hyjnor, te “Bukuroshja e Durrësit”, ku thotë: “shpirti i tij ngrohej në verën e vitit 2013, ndërsa trupi lagej e bëhej qull në vjeshtën e vitit 2023, në të njëjtin vend”. Që në fillim autori paralajmëron se djalli është në detaje të shkrimit të tij. Por, pavarësisht që në fillim romani duket që ka një qasje sa filozofike aq edhe enigmatike, mund të thuhet se përbrenda përmban elemente të shumta që ndërlidhen me dashurinë. Pra, dashuria është elementi kryesor që Apolloni e ka në romanin e tij, e që në disa raste, mbase edhe mund të lexohet si autobiografi ku vet autori rrëfen “copëza” të jetës së tij.

Pra, tani shtrohet pyetja se kush është djalli?

Apo, nga kush janë rrëfyer këto tregime? Nga djalli…? Apo, nga autori i cili fillon rrëfimin e një historie të dashurisë në Vjenë, ndërmjet dy të rinjve. Në fillim te romanit, gjegjësisht në tregimin “Ujku dhe Nimfa”, siç është edhe vet titulli i tregimit, autori përdor këto dy simbole që i pari simbolizon natyrën e egër, ndërsa e dyta simbolizon bukurinë. Madje ai paralajmëron se në tregim bëhet fjalë për thurje dhe shthurje, ku gjatë leximit mund të kuptohet se “djalli” në Vjenë mbase kishte nisur historinë e këtij rrëfimi, e si shkas ishte

bere një “draft romani” . Rrugët e caktuara të Vjenës, të ndriçuara nga dritat e zbehta dhe të mbushura me “dashnore” që ofrojnë kënaqësi të shpejta në këmbim të disa monedhave të ftohta, krijojnë një atmosferë ku ndjenja dhe trupi ndërthuren në mënyrë të çuditshme. Në këtë qytet, ku çdo qoshe duket se mban një histori të fshehur, ndoshta rrëfyesi ka përjetuar edhe një përqafim ndryshe, atë të një aziatike enigmatike, e cila, përtej ndjesisë fizike, i ka hequr atij një dilemë të madhe që lidhet me fizionominë strukturore të pubisit aziatik. Ndoshta kjo përvojë, e gërshetuar ndërmjet erotizmit dhe kuriozitetit njerëzor, është një pjesë e vogël por domethënëse e asaj që ai ka përjetuar në Vjenën e vitit 2013. Në romanin e tij, Ag Apolloni i bashkon personazhet e mëdha botërorë me ata shqiptar nëpër skena të ndryshme teatrale. Në tregimin “Maska e Mojsiut”, ku autori flet për teatrin dhe aktrimin, në qendër vë aktorin shqiptar me famë botërore Aleksandër Mojsiun. Në skenën e teatrit më të madh botërorë, ai si shikues vë emra të mëdhenj si: Max Reinhardt, Max Brod, Franz Kafka, Luigi Pirandello, Josef Kainz, Stefan Zwei e të tjerë. Ai përmes këtyre “takimeve” përplas konceptet e ndryshme të mentalitetit ndërmjet mënyrës së jetesës në Vjenë dhe asaj në Kosovë. Këto dy realitete sociale dhe kulturore përplasen, duke krijuar një tension që shpesh i shtyn personazhet të kalojnë nga një botë në tjetrën, nga përditshmëria kosovare në sfidat dhe ritmet e jetës perëndimore. Ky ndërrim dinamik i përvojave thekson ndryshimet në mentalitet, stil jetese dhe sistem vlerash.

Pra, duke e lexuar romanin e Ag Apollonit “Sikur t’ isha djall”, lexuesi mund të kuptoj se autori ka përdorur një stil ekspresionist të ndërtimit të rrëfimit, e kush shpesh guxon të zhytet edhe në “territoret e errëta”, duke trajtuar me guxim tabutë dhe ankthet e brendshme që zakonisht fshihen pas maskave sociale. Nganjëherë, autori përdor edhe satirën për të theksuar anë të caktuara të karaktereve dhe shoqërisë, siç është rasti në tregimin “Dishepulli i djallit”. Në këtë rast, ai përdor një shprehje të njohur dhe “famshme” të shqiptarëve, e cila reflekton tiparet e mirësjelljes dhe zakonin social te kohës.

Shprehja ku shqiptaret për hire të mirësjelljes drejtohen një femre më emrin “motër”, është një element qe përdoret për të krijuar një kontrast të pasur dhe për të nxjerrë në pah absurditetin e situatës. Kjo shprehje, që në dukje nxjerrë në pah një farë hipokrizie të shoqërisë. Në bisedën që pason, autori tregon së kjo mirësjellje ka një dyzim;

“Çka të hahet sot, oj motër?”

“O Zot, me çmendin shqiptarët, të thonë motër, kurse të hanë më sy.”

“Hajde t ‘ ha, oj motër!”

Pra, edhe kjo pjesë është e mbushur me satire, dashuri e muzikë, ku reflekton dashuria ndërmjet një poeti dhe një pianiste në Austri. Por, perse “Dishepulli i djallit”? Mbase këtu flitet edhe për incestin, por ajo qe mbetet me kryesore është se në këtë tregim flitet për tabutë.

Në këtë pjesë të tregimit, fillojnë të thyhen tabutë, duke krijuar një botë ku e verteta nuk është më lineare, por e përberë nga shtresa të shumta të përceptimi.

Aty fillohet të flitet për disa gjëra të cilat janë të vështira të imagjinohen e lere më të diskutohet për to, apo të praktikohen në realitet. Një përplasje ndërmjet dy personazheve në këtë rrefim, krijon një tension mbase poetik që e bën tekstin një pasqyrë të shtrembëruar, por njëkohesisht thellësisht të sinqert, të perjetimeve njerëzore kur flitet për tema që konsideroheshin tabu në shoqërinë tonë, e që në një shoqëri me moderne, ta zëmë në Austri, tashmë këta kufij ishin zhdukur mbase shumë kohë më parë.

Ndërsa, në aspektin letrar, “Dishepulli i djallit”, mund të shërbej si një figurë që sfidon ndarjen ndërmjet të mirës dhe të keqës dhe që bën të duket se çdo zgjedhje ka një çmim të madh. Historia e famshme e Fausit është një shembull klasik i një marrëveshje më djallin, ku Fausti në romanin e Ag Apollonit, duket se djalli lidh një marëveshje me njëriun, apo thënë ndryshe, njëriu krijon njëfarë lidhje me djallin në këmbim të një dashurie e cila ka zanafillën e sajë në një nga qytetet më të famshme evropiane, në qytetin qe njihet për muzikën, pikturën dhe dashurinë.

Romani mbyllet me tregimin “Sikur magjik” ku autori, nëpërmjet fjalës “sikur”, sugjeron një ndjenjë të thellë pendese dhe reflektimi. Pas leximit t ëfjaleve të fundit të djallit, që ofrojnë një këndveshtrim të pazakontë mbi ekzistencën e Zotit, rrëfimtari përfshihet nga një gjendje vetëanalizë, duke u kthyer të dy aspektet e karakterit të tij: ai qe është dhe ai që mund të kishte qenë.

“Sikur-I’ bëhet një element kyq në këtë fund, një mekanizëm që shpreh dëshirat e paplotësuara, gabimet e së kaluares dhe mundësintë e humbura. Kjo qasje e autorit përngjan me mënyrën se si Sterjo Spasse përdor”pse-në” në romanin e tij, si një formë për të analizuar jetën në retrospektivë. Përmes formulimeve të tipit:

“Sikur të kisha vepruar ndryshe, sot do të isha…”

“Sikur ta kisha vlerësuar atë, sot do ta kisha…”

Pra, autori krijon një hapësirë imagjinare ku njeriu përballet me veten dhe me pasojat e zgjedhjeve të tij. Apo, siç thotë edhe vet autori: “Ndoshta unë jam binjaku i personazhit tim. Binjaku i urryer në mendjen e tij të thyer”.

Ashtu, siç fillon me “Alfa”, romani përfundon me shkronjën e fundit të alfabetit, “Omega”, për të përmbyllur këtë cikël dhe për të simbolizuar përfundimin dhe përmbushjen. “Omega”, nuk është thjesht fundi i një historie, por një simbol i përmbylljes së një rrugëtimi të një dashurie që nuk

zgjati shumë, por që nuk përfundon asnjëherë.

Prandaj, duke lexuar këtë roman, mund të themi se me stilin e tij të veçantë autori këtu flet për tema komplekse dhe tabutë që e kanë kompleksuar shoqërinë tonë ndër vite, derisa me elementet e përdorura në romanin e tij, Apolloni thyen edhe kufijtë ndërmjet realitetit dhe imagjinatës./ KultPlus.com

Të ngjajshme