Run, run, run…after the bus nr.5

26 Korrik, 2020 - 8:52 pm

Tregim nga Nerimane Kamberi

Postoj shpejt një foto n’Instagram, për ta filluar ditën mbarë, atë ku sytë e saj të kaltër shkrihen në kaltërsinë e qiellit. Nuk pinte kafe në mëngjes, madje kurrë, ” si mundesh, çuditeshin shoqet, jeton në vendin e kafes”, “e ndoshta nuk jetoj në vendin e duhur!” ja kthente ajo me një krenari që e bënte të veçohej nga ato.”.

U drejtua kah ormani, “do te vishem më sportive apo më femërore?” Por nuk u mendua gjatë “do ta veshi fustanin ngjyrë krem, atë të Italisë, se pas mësimit shkoj te Mama, asaj i pëlqejnë fustanet, dhe prijmë një gotë vere të bardhë në ballkon, duke i shikuar drunjtë, blinat, sa gjelbërim ka sivjet, ende është pranverë%, por dita po është e nxehtë, plot diell. Mama do të ia tregon foton ku e mban në prehër, sa e vogël që ishte, një natë festive, do t’ i tregon se si e përqafonte kur flinte. Mama ishte si një nënë e dytë për të, apo Mama e kishte atë si bijë. Mezi e gjeti fustanin, se e kishte paluar te rrobat e dimrit të cilat ende nuk i kishte nxjerr nga qeset hermetikisht të mbyllur. I lyeji sytë; buzët, jo. Se e hante një copë bukë të lyer me reçel kumbulle, atë qe e donte me se shumti, të cilën e mbante në një dorë, kurse me dorën tjetër mbërthente sandalet. U sigurua se e kishte shti telefonin në çantë, ndihej e lehtë, e lumtur.

Vuri dorën në dorezën e derës por për një moment u ndal. U shtang. Dukej si një skulpture atlete nga ndonjë muze i arkeologjisë . Bëri një hap mbrapa, zbërtheu sandalet, lëshoj në tavolinë copën e copës së bukës të lyer me reçel kumbulle. Fshiju grimin e syve. Hoqi fustanin. Hoqi foton nga Instagrami. Filmi “reversë”. U drejtua kah dritarja. Asgjë nuk lëvizte, qyteti i saj ishte i vdekur, një virus e kishte paralizuar tërë vendin, tërë botën. Qëndroj ashtu një orë, duke pritur të kalonte autobusi nr.5 pas të cilit ajo vraponte çdo dite për ta nxënë, e për të shkuar në fakultet. E për të saten herë, e shtrirë mbi kanape, shikonte videon e saj “slow motion”. Në mend. Jo në instagram. / KultPlus.com

Të ngjajshme