“Sa shumë djelmët i paska pasë ky Stalini në këtë dhenë tonë”

6 Nëntor, 2018 - 3:28 pm

Dhuna bahet pushtet

Dhuna tiranike e quajtun “proletare”, e ushtrume ditë e natë gjithkund e papushim, pa dallue fshat, as qytet, e shoqnume me britmat e sloganet papagal dhe torturat çnjerëzore, me rrenat e kaçarrenat e njerëzve servilë o t’paguem: mbas gjithë atyre pushkatimeve të përgjakshme, burgimeve e shpërnguljeve të dhunshme masive, ia dulen me e përkulë popullin e lirë të Shqipnisë dhe kështu dhuna partizane iu duel me u ba Qeveri.

Më 9 Maj 1945 ra Gjermania. Erdhi urdhni për më u ra të gjithë kumbonëve. Për botën duhej t’ishe gëzim i madh. Por nuk kje për ne. Fitues kishte dalë Stalini. Atij i këndohej ndër të gjitha rrugat nga gupet e repareve partizane.

“Bijt e Stalinit jemi ne,
që çlirojmë botën anë e m’anë,
e do t’valojë përmbi dhe
flamuri i kuq, flamuri parizant.”

Mbas darke , sic mblidheshim, tue folë për ngjarjet e ditës njani tha: ndigjoni fjalët e kangës; aman, sa shumë djelmët i paska pasë ky Stalini në këtë dhenë tonë!
– Lene ma,- iu përgjigj nji plak,- se këtu baba Sulltani e kushdo që të na sundojë na e thrrasim babë o xhajë.
– Pse po interesohesh ti? Sikur t’ishin këta të rijt hajde de, por ti… Para njizet vjetësh sigurisht që jo.
– – Un, – tha, – mendoj që Çurçilli nuk se si e duron Stalinin që ka zabtue gjysën e Europës, prandaj së shpejti angalzët e rusët do të jenë në luitë.
– Anglia ka paktin njëzetvjeçar të miqsisë me Bashkimin Sovjetik dhe ajo i mban paktet se e zen lepurin me qerre.
– Nuk ashtu punë paktesh,- tha një tjetër, – por Çurçilli vetë për më shkatërrue Gjermaninë ja u ka shitë Europën me gjithë kolonitë biznesmenëve të Amerikës e gjysen tjetër rusve. Gjatë historisë shofim se shumë ngjarje të mëdha të politikës i cakton vetëm trilli personal i udhëheqsave. Me këtë rasë ky i gëzohet vetëm titullit të naltë: “Strategu politik e luftës së dytë botnore” pamvarësisht se gjysën e Europës e ka hjedhë në skllavni e gjysën tjetër copë e zhel në rrugë të madhe me lypë nji copë bukë prej jankive.
– Ai qe ban, din shka ban,- tha plaku.- Un mendoj që ai bashkë me Ameriken nuk kanë me e lanë gjatë komunizmin në Europë.
– Po ti, Pater Gjon,- pveti nji tjetër,- shka mendon.
– Un ndryshoj,- tha At Gjon Shllaku.- Kjo luftë asht ba për më i sjellë botës nji ekpokë të re, atë të “Kombeve të Bashkueme”. Karta e Kasablankës na çontë nji bashkëpunim i të gjitha kombeve.
– Ajo nuk asht gja tjetër, por nji version i ri i Lidhjes së Kombeve të presidentit Uilson: ajo ma shumë e nxit luftën se e kundërshton.
– Kjo lufta e dytë, – tha At Gjoni, – u ba luftë ideologjike. Në njanen anë demokracitë kapitaliste bashkë me komunizmin dhe me tjetrën fashizmi e nazizmi që fliteshin për nji rend të ri. Kështu ky bashkëpunim ka më i përpunue njerëzit që hem kapitalistat të përqafojnë idetë e socializmit, edhe komunizmit ka me u ba demokratik e dikur e do të jetojnë bashkë.
– Kurgja nuk po na thue Pater Gjon, – tha persëri plaku. Komunizmi e demokracia janë krejt dy shjetana të kundërt dhe nuk mund aviten kurr bashkë. Hori e pasaniku jeton veç me fitue, ndërsa komunizmi asht si ai djali që kur rrin pa punë çohet e rrahë e mbyet fëmijën e vet. Mjerisht ne na ka përfshi ky e na do vuejmë deri të na lshojë. Ky nuk na lshon, por deri të vijë një tjetër me e hjekë qafet…

Ndërkaq ndër të gjitha qytetet administrata erdh tue u forcue pak a shum filloi me i sistemue edhe forcat deri atëherë partizane. Disa i veshi me uniformë policie e disa tjerë me ngjyrë tjetër. Filluen me u dukë bile edhe oficera të veshun me uniforma të bukura, por që nuk dihej se të cfarë ushtrije mund të ishin.
Edhe nëpër zyre filloi me marrë punën në dorë ndonji njeri që ishte me mjaft shkollë, megjithëse pak kush të kryente punë, por të dërgojshin herë te ai o te nji tjetër deri që të shumtën e herës të përcjellshin pa gja. – U shpallën ligjë financiare e monetare me udhnesa drakoniane: Vulosën karmonedhat dhe vunë tatime luftet, superfitimit e fitimit dhe e mblodhën gjithë florinin e ruejtun me shekujndër qypa. Ndër komisjonet e tatimit emnuen edhe shumë tregtarë, për me u dukë se janë të ndershëm, por ata të shkretët as nuk i pveste kush e ma vonë ranë edhe në burg, Së fundmi banë edhe shumë reforma e filluen diskutimet për ligjin elektoral, i cili vazhdoi gjatë. Në këtë kohë u zhvilluen edhe veprimtari të rëndësishme kulturore. Shumë njerëz edhe filluen të mendojnë se këta e kishin mbarë e përnjimend me vullnet të mirë se ishin djelm të mirë që dojshin me i dhanë nji zhvillim të vërtetë gjendjes sociale të popullit shqiptar aq të mbrapambetun. Por shumë prej njerëzve të ditun e kishin kuptue gjendjen. N’at kohë në Kishën Franceskane kishim nji kujdestar. Kishte që ishte shumë i ndershëm e besnik, por edhe jepte shejet e nji te mbete mendore dhe kushdo që e shifte tallej me të me dashuni. Ashtu vepronte edhe At Gjon Shllaku. Sa herë që e shiftë n’oborr të Kuvendit apo në kjoster e merrte mrapa tue qeshë e i thonte “O more Mark sa i lumtun je ti sot! Të gjithë duhet të kishin kokën tande se shka ndodh. Hajde t’i ndrojmë krenat bashkë”! Maarku ikte si fëmija se ndoshta mendonte se koka mund ndrrohen më të vërtetë.

Deri aty kish vojtë puna: më i pas lakmi nji të marri.

(Pjesë e shkëputur nga libri i At Zef Pllumit “Rrno vetëm për më tregue”)/ KultPlus.com

Të ngjajshme