31 Korrik, 2017 - 4:25 pm
Kanë mbetur edhe dy javë, deri në nisjen e edicionit të 36-të, të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili mbahet në ambientet e Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, shkruan KultPlus.
Këtë e bëri të ditur, vetë drejtori i këtij seminari, Rrahman Paçarizi, përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook.
Ai tregoi se edicioni i 36-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, do të nisë më 14 gusht dhe do të zgjasë deri më 25 gusht.
Edhe këtë vit ky seminar karakterizohet nga tri tema bosht. Tema boshte e sesionit të letërsisë është ‘Fakti dhe fiksioni’, tema e sesionit të gjuhësisë është ‘Qendrat e zhvillimit te shqipes’, ndërsa në sesionin e kulturologjisë është ‘Media dhe identiteti kulturor’.
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë, atëherë Fakulteti Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Ky Seminar organizohet për studentë e studiues që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht. /KultPlus.com