Së shpejti pritet të botohet libri ‘Njeriu në kështjellën e lartë’

6 Nëntor, 2023 - 6:31 pm

Del së shpejti në librari “Njeriu në kështjellën e lartë”, roman i shkrimtarit amerikan Philip K. Dick (me përkthim nga Rudi Erebara).

Philip K. Dick (1928-1982) shkroi 121 tregime dhe 45 romane dhe konsiderohet ndër shkrimtarët më vizionarë të shekullit XX. Temat e identitetit njerëzor dhe natyrës së realitetit e përshkojnë të gjithë këtë krijimtari voluminoze. Më 1974 ai përjetoi një sërë përvojash fetare që i dhanë një kthesë të fortë metafizike veprës së tij. Dick është ndër figurat më me ndikim në pop-kulturën bashkëkohore, duke shërbyer si frymëzim apo referencë në letërsi, kinematografi, filozofi. Janë të shumtë romanet dhe tregimet e autorit që janë kthyer në filma apo seriale, ndër të cilët: “Blade Runner” (1982), “Total Recall” (1990; 2012), “Miority Report” (2002), “The Adjustment Bureau” (2011), “The Man in the High Castle” (2015-2019).

Lufta e Dytë Botërore është mbyllur me fitoren e Gjermanisë naziste dhe Japonisë. Në vitin 1962 në Amerikë, territori i së cilës është i ndarë përgjysmë mes fituesve të luftës, skllavëria është sërish e lejuar dhe çifutët e paktë që ende mbijetojnë mbajnë emra të rremë. Në gjithë botën tashmë mbretëron teoria e epërsisë së racës ariane, Afrika ka mbetur e shkretë prej spastrimit rrënjësor, ndërsa në Europë nazistët përgatiten të hedhin bombën atomike mbi Japoni. Ndërkohë një roman i famshëm, i ndaluar në gjithë Rajhun, përshkruan një histori alternative në të cilën janë Aleatët ata që e kanë fituar luftën./GazetaExpress/KultPlus.com

Të ngjajshme