“Secili çmendet simbas mënyrës së vet” u promovua sot në Prishtinë

19 Dhjetor, 2018 - 3:05 pm

Alberina Haxhijaj

Shkrimtari Stefan Çapaliku sot në Prishtinë, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ka bërë promovimin e pjesës së tretë të romanit “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, shkruan KultPlus.

Pjesa e tretë e këtij romanit shtrihet në mes të viti 1992-1997 dhe sjellë ngjarje të rënies së komunizmit. Kujtime të autorit tëveshura me fiksion. Një ndërlidhje që para lexuesit shfaq një botë sa reale aq edhe intriguese. Tashmë, një pjesë e miqve të autorit që ishin personazhe në vëllimine parë janë larguar nga Shqipëria.

Edhe pse romani është ndarë në tre vëllime, gazetari Agron Shala,u shpreh se të tri pjesët lexohen me një frymë dhe të mahnitin me gegnishten e përdorur. Gegnishte që sipas tij është për tu lakmuar. Kjo u dëshmua edhe gjatë promovimit pasi që aktori shkodran Enver Hyseni lexoi për të pranishmit disa fragmente të marra nga romani.

Sjellja e romanit “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” për shkrimtarin Stefan Çapaliku, erdhi si një nevojë që ai të vë në letër disa kujtime të tij. Sipas tij secili njeri ka një jetë interesante, kujtime interesante edhe të fëmijërisë, e të cilat shpeshherë duhet të ndahen me të tjerë ‘për të larguar barrën e rëndë’.

“Letërsia apo proza ime është e bazuar krejtësisht mbi kujtesën dhe mbi ato që kanë lënë gjurmë tek unë mirëpo këtu ka edhe një moment prost-produksion. Unë, tutje i marrë të gjitha këto copëza dhe ndërtojë një figurë apo disa figura dhe ky proces është fiksion, shpikje, pjesë e fantazisë dhe e formimit letrar. Në këtë kuptim dokumentarja me fiktiven bashkëjetojnë, plotësojnë njëra-tjetrën”, u shpreh ai.

Ngjarjet në roman janë të vendosura në Shkodër edhe pse aty shpesh herë lëvizin edhe në jug të Shqipërisë, por po ashtu edhe në Itali tek vëllimi i tretë. Autori, Çapaliku bëri të ditur se do të sjellë edhe vëllimin e katër, duke përfunduar kështu këtë cikël të romanit. Vëllimi i fundit do vijë edhe në Kosovë, pasi që autori do të përfshijë ngjarje nga periudha e viti 1997 e tutje.

“Secili çmendet simbas mënyrës së vet” erdhi si titull që në vëllimin e parë. Autori u shpreh se njerëzit shpeshherë kur shikojnë dikë i cili është më ndryshe e konsiderojnë të çmendur duke mos menduar se ai vet mund të konsiderohet si i çmendur nga dikush tjetër. Pra, sipas tij jetojmë në një botë ku ‘secili çmendet simbas mënyrës së vet’.

“Çmenduria tek romanet e mia është të dalësh nga rreshti dhe jo të jesh uniform me të tjerët, të mos jesh pjesë e kolektivit”, theksoi ai. 

Promovimi i fundit i romanit “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” i shkrimtarit Stefan Çapaliku është bërë në Paris ndërsa pas Prishtinës, promovimi i këtij romani do të bëhet edhe në Itali./KultPlus.com

Të ngjajshme