Shahindere Hoxha, arsimtarja që u vra mizorisht në luftë

14 Shkurt, 2018 - 5:30 pm

“Nëse vjen policia, ti largohu ndërsa unë e fëmijët do të shpëtojmë” i tha Shahindere Hoxha burrit të saj Hani Hoxhës në marsin e vitit 1999. E pati gabim.

Shajndere Hoxhës do ti mbetej jeta në gjysmë, në luftën e fundit në Kosovë.

Një mësuese e shkëlqyer, Hoxha u vra nga forcat serbe, bashkë me disa familjarë të saj.

Historia tregohet në librin “Cka ndodhi në Kosovë” nga Josef Martinsen.

Tregimi i marrë nga ky libër, për Shahinderen.

Në shtëpinë e Murteza Dinajt, serbët i rreshtuan gjashtë burra dhe i mbështetën për muri dhe në fund i vranë. Midis tyre ishte edhe një djalë 8-vjeçar. Pasi i vranë, ua dogjën edhe shtëpinë. Në orën 1:00 pas mesnate, në stacionin veterinar, në rrugën “Sadik Stavileci”, civilët serb me uniformë të policisë vranë nëntë qytetarë. Njëri nga ata, i cili ishte plagosur në dorë, arriti të ikte nga masakra, por më vonë vdiq rrugës për në kufirin shqiptar. Në orën 2:00 pas mesnate serbët vranë edhe tre njerëz të tjerë. Midis tyre ishin një djalë 15-vjeçar dhe një burrë nga Mitrovica. Të premten, në orën 1:15 pas mesnate, serbët u futën në shtëpinë e Fehmi (Hamid) Lleshit, ku masakruan dhe vranë Fehmiun, (47-vjeçar ) dhe gruan e tij – Kimeten (43-vjeçare). Pas vrasjeve, ata ua dogjën shtëpinë me trupat e tyre brenda..
Dhuna e policisë ndaj familjes Caka, në shtëpinë e Lulëzim (Mehdi) Vejsës, arriti nivelet e mizorive të pa para. Ata që u vranë aty ishin:
-Valbona (34-vjeçare), me tri bijat e saj, Dalina (14-vjeçare), Delvina (7-vjeçare) dhe Diona (2- vjeçare).
-Fetije Vejsa (60 -vjeçare) dhe Tringa Vejsa (30-vjeçare) me pesë fëmijët e saj: Dorina (11- vjeçare), Arlindi (5 -vjeçar), Marigona (9-vjeçare), Sihana (7- vjeçare) dhe Rita (2- vjeçare).
-Valbona Haxhiavdiu, (38-vjeçare) me tre fëmijët e saj: Doruntina (3-vjeçare), Egzoni (5-vjeçar) dhe Rina (7-vjeçare
-Shajndere Hoxha (55-vjeçare) me bijën e saj, Flaka, (15-vjeçare).
-Shehrine Nuçi (73-vjeçare), Mandushe Nuçi (57- vjeçare) dhe Hysen Gashi (53-vjeçar).

Shahindere Hoxhën e vranë me 2 prill 1999 në Gjakovë.

Për këtë histori është folur edhe në Tribunalin e Hagës.

“Flaka Hoxha po bënte një çaj kur në dhomë hyri një ushtar. Atë e vranë, ndërsa nëna e saj duke bërtitur doli jashtë shtëpisë. Edhe ajo ishte e vrarë më pas” thuhet në tekstin e Gjykatës gjatë gjykimit të Vlastimir Đorđević, kryetar i forcave serbe MUP asokohe, shkruan KultPlus.

Tringa Vejsa, Dorina Vejsa, Marigona Vejsa, Shihana Vejsa, Rita Vejsa, Arlind Vejsa, Fetije Vejsa, Hysen Gashi, Shahindere Hoxha, Flaka Hoxha, Valbona Caka, Dalina Caka, Delvina Caka, Diona Caka, Valbona Haxhiavdia, Doruntina Haxhiavdia, Egzon Haxhiavdia, Rina Haxhiavdia, Shirine Nuci dhe Manushe Nuci, të gjithë u vranë. / KultPlus.com

Fotografia: Kori i Shkollës Fillore ish- “Vojo Llakčevič”, udhëhequr nga arsimtarja Shajndere Hoxha – 1965 / Afijete Dibra-Xerxa

Të ngjajshme